2019-02-22 14:17:47 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Kampionati Botëror i Patinazhit të Shpejtë i vitit 2019 do të mbahet në pallatin e sportit "Thialf" të Heerenveen të Holandës gjatë kësaj fundjave. Ky kampionat ka nisur që nga viti 1970 dhe ShBA-ja, ish-Bashkimi Sovjetik dhe Kanadaja janë tre vendet e para për sa i përket numrit të medaljeve të arta. Njëkohësisht një vend që po bëhet gjithnjë e më konkurrues në këtë veprimtari është Kina, që tani renditet në vendin e tetë me 5 medalje të arta. Dy prej këtyre medaljeve janë fituar nga personazhi i emisionit tonë të sotëm. Ajo është një patinatore e specializuar në patinazhin e shpejtë me distancë të shkurtër dhe ka qenë kampione bote në patinazhin e shpejtë në vitet 2012 e 2014, duke vendosur rekordin në distancën e shkurtër dhe në 500 metrash. Ajo është Yu Jing.
Yu Jing, e lindur më 29 maj 1985, konkurroi për herë të parë në Kupën e Botës në qytetin Changchun të Kinës Veriore në vitin 2008, pasi kishte fituar një medalje ari dhe një bronzi në Kampionatin Aziatik një vit më parë. Një javë më vonë, Yu Jing korri fitoren e parë të saj në Kupën Botërore në disiplinën 500 metra, në Nagano të Japonisë, dhe doli e dyta në garën e 1000 metrave. Gjatë Kampionatit Botëror të Patinazhit në Distancë të Shkurtër të vitit 2009 në Moskë, ajo arriti të siguronte një medalje bronzi. Gjatë atij sezoni, Yu Jing u ngjit shpesh në podium në Kupën Botërore, e cila është një veprimtari që përbëhet nga një varg garash në vende të ndryshme, por në renditjen e përgjithshme arriti vetën në vendin e 5-të në 500 metra dhe në vendin e 9-të në 1000 metra. Në Kampionatin Botëror të Distancave të Vetme në Richmond të ShBA-së në vitin 2009, Yu nuk u ngjit dot në podium në të dy disiplinat, 500 dhe 1000 metra, duke përfunduar përkatësisht në vendin e 4-t dhe atë të 12-të.
Në sezonin 2009-2010 Yu Jing-u u mundua të mbante nivelin e saj. Në Kupën Botërore, me gjithë përpjekjet, ajo nuk arriti rezultatet e vitit të mëparshëm dhe deri në fund të sezonit, nuk u ngjit dot në podium. Në Kampionatin Botëror të Patinazhit në Distancë të Shkurtër 2010 në Obihiro të Japonisë, Yu përfundoi e gjashta. Yu gjithashtu përfaqësoi Kinën në Olimpiadën Dimërore 2010 në Vankuver të Kanadasë, por përfundoi vetëm në vendin e 32-të në 1000 metra.
Yu Jing fitoi vendin e dytë në stacionin e Gjermanisë të Kampionatin Botëror të Patinazhit të Shpejt me Distancë të Shkurtër, 2009.
Në sezonin 2010-11, Yu Jing u rikthye plot shkëlqim dhe u ngjit në podium tri herë në Kupën Botërore në 500 metra në Changchun të Kinës dhe në Obihiro në dhjetor 2010. Ajo zgjodhi të mos konkurronte më në Kupën e Botës, në mënyrë që t'ia kushtonte të gjithë vëmendjen Lojërave Dimërore Aziatike 2011 në Astana, që filluan në fund të janarit 2011. Dhe pati sukses Më 1 shkurt, ajo arriti të merrte medaljen e artë në 500 metra, duke mundur bashkëatdhetaren e saj Wang Beixing dhe rivalen nga Koreja e Jugut Lee Sang-hwa.
Kur sezoni i Kupës Botërore filloi në vjeshtën e vitit 2011, Yu filloi të dominonte në patinazhin e 500 metrave. Në ndalesën e parë në Chelyabinsk, ajo fitoi dy garat në këtë disiplinë, të dy herët me 0.4 sekonda diferencë. Yu Jing nuk mori pjesë në garat në Astana, por ajo vazhdoi të triumfonte në garat me 500 metra në Heerenveen dhe siguroi një vend të dytë në 1000 metra. Natyrisht, ajo mund të ishte një konkurrente kryesore e Kinës në Kampionatin Botëror të Patinazhit në Distancë së Shkurtër 2012 në Calgary të Kanadasë, dhe ndoshta e vetmja e aftë për të sfiduar kampionen e atëhershme, Christine Nesbitt.
Në ditën e parë të kampionatit, Yu Jing kishte probleme teknike në 500 metra dhe përfundoi në vendin e 7-të, por fitoi një vend të respektueshëm, të 4-tin në 1000 metra. Kur u mbyll dita e parë e garës, ajo ishte në vendin e pestë, 0.665 pikë pas Nesbitt-it, e cila kishte vendosur një rekord botëror në 1000 m dhe dukej qartë që ishte pretendentja kryesore. Në garën e dytë të 500 metrave, Yu konkurroi me rekordmbajtësen e atëhershme botërore Jenny Wolf. Përballë një rivaleje të fuqishme, Yu Jing konkurroi me gjithë përkushtimin dhe arriti rezultat të mrekullueshëm, duke e kaluar vijën e mbërritjen për 36.94 sekonda, duke thyer kështu rekordin botëror dhe duke u bërë e para patinatore që i përshkonte 500 metrat brenda 37 sekondash. Ajo gjithashtu arriti t'ia merrte kurorën e kampiones Nesbitt-it. Yu Jing kishte një epërsi prej 0.57 sekondash para garës përfundimtare të 1000 metrave, ku u gjend përballë kanadezes. Në garën e fundit, Yu filloi në mënyrë agresive dhe kishte epërsi kundrejt Nesbitt-it pas 200 metrash dhe 600 metrash. Por siç pritej, Nesbitt ishte më e shpejtë në raundin e fundit dhe fitoi, por me vetëm 0.54 sekonda më pak se Yu Jing-u. Rezultati përfundimtar i Yu Jing-ut ishte 1 min 13.47 sekonda, rekordi i saj personal. Në fund, Yu u bë kampione bote me vetëm 0.02 pikë diferencë, dhe gjithashtu vendosi rekord botëror në patinazhin në distancë të shkurtër.
Yu Jing fitoi titull kampione në Kampionatin Botëror të Patinazhit të Shpejtë me Distancë të Shkurtër, 2012.
Kulmi i dytë i Yu Jing-ug në Kampionatin Botëror të Patinazhit të Shpejtë në Distancë të Shkurtër ishte në vitin 2014 në Nagano të Japonisë. Yu dhe shoqja e saj e ekipit Zhang Hong, fituan përkatësisht medaljen e artë dhe të argjendtën. Në ditën e parë të garave, Yu i përshkoi 500 metrat në 37.67 sekonda, duke zënë vendin e parë. Në disiplinën e 1000 metrave, Zhang Hong zuri vendin e parë, ndërsa Yu Jing të tretin. Në garat e ditës së dytë, Yu Jing ishte më e shpejtë sesa të tjerat në 500 metra, ndërsa doli e katërta në 1000 metra. Në renditjen e përgjithshme, Yu arriti të ngjitej prapë në fronin e kampiones.
Karriera e Yu Jing-ut nuk ndaloi pas kurorëzimit të dytë të saj si kampione bote. Në sezonin 2015-2016 të Kupës Botërore të Patinazhit të Shpejtë, Yu Jing fitoi nga një medalje individuale në Holandë dhe Norvegji, në disiplinën 500 metra. Në sezonin 2016-2017 të Kupës Botërore, në Harbin të Kinës dhe Nagano të Japonisë, Yu Jing doli në vendin e tretë në 500 metra, ndërsa në Astana donimoi dy garat e së njëjtës disiplinë, 500 metra.
Yu Jing është akoma aktive në patinazh. Paraqitja e saj e fundit në një veprimtari të rëndësishme botërore ishte në Lojërat Olimpike Dimërore të Pyeongchang, në vitin 2018. Kësaj here, ajo arriti vetëm në vendin e 9-të në 500 metra, disiplina ku është specializuar.
(Wang Xianya/Artan Goga)