2019-02-15 16:45:18 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Gara e Ralit të Suedisë për vitin 2019 do të mbahet për katër ditë nga 14 deri më 17 shkurt. Ky është sezoni i 67-të i Ralit të Suedisë dhe raundi i dytë i Kampionatit Botëror të Ralit. Gara e sivjetshme është e bazuar në qytezën Torsby në qarkun Värmland dhe ndahet në 19 etapa speciale, me një gjatësi të përgjithshme konkurrimi 319.17 kilometra.
Në emisionin e sotëm, do t'ju njohim me një ralist profesionist francez, që konsiderohet si më i suksesshmi në historinë e Kampionatit Botëror të Ralit, duke qenë kampion bote për nëntë herë rresht. Ai mban gjithashtu disa rekorde të tjera të Kampionatit Botëror të Ralit, përfshirë numrin më të madh të kampionateve të fituara, numrin më të madh të ngjitjeve në podium dhe numrin më të madh të etapave të fituara. Me gjithë shpalljen e lënies së sportit në fund të sezonit 2012 të Ralit Botëror, në fund të vitit 2018 u publikua lajmi i rikthimit të tij me skuadrën "Hyundai" për sezonin 2019. Ai është Sebastian Loeb.
Sebastian Loeb ka lindur në Alzasë të Francës më 26 shkurt 1974. Në fillim ai u mor me gjimnastikë, po pasi fitoi pesë medalje të arta në kampionatin kombëtar të gjimnastikës të Francës, kur ishte 15 vjeç Loeb ndryshoi drejtimin e tij sportiv në garat e makinave. Në 1995, ai filloi të konkurronte në garën e ralit, dhe në vitin 1998, me bashkëpilot Daniel Elena-n e Monakos, ai filloi të konkurrojë në Seritë e "Trofeut Citroen Saxo të Francës". Po atë vit, ai korri dy fitore dhe fitoi titullin kampion në vitin 1999. Guy Frequelin, lideri i ekipit "Citroen Sport ", do të ishte udhërrëfyes i Loeb-it kur mori pjesë në Kampionatin Botëror të Ralit për të Rinjtë në 2001. Loeb u bë i pari kampion i Serive, duke fituar pesë nga gjashtë garat.
Në sezonin e vitit 2002, për herë të parë me ekipin "Citroen Total", Loeb doli i dyti në garën e parë dhe fitoi garën e dytë, Ralin e Gjermanisë. Në sezonin e parë të tij të plotë, në vitin 2003, ai arriti të fitonte tre gara: të Monte Karlos, Gjermanisë dhe Sanremos, duke përfunduar vetëm një pikë prapë kampionit të atëhershëm nga Norvergjia Petter Solberg. Kjo fitore shërbeu si një pedanë kërcimi për ngjitjen e tij në këtë sport. Sebastien dominoi skenën e Kampionatit Botëror të Ralit në vitin 2004 me 6 fitore, rekord i sezonit, dhe kështu e mundi lehtësisht rivalin e tij Solberg dhe siguroi titullin kampion. Në sezonin e mëpasmë, ai tregoi aftësinë e vet jo vetëm në asfalt, ku ishte specialist, por edhe në terrene të tjera, si ato me dëborë, me fitoren e Ralit të Suedisë. Ai ishte i pari nga jashtë vendeve nordike që fitoi Ralin e Suedisë. Po atë vit, Sebastien siguroi 10 fitore, duke i bërë i pari që fitonte 6 herë resht. Ai fitoi titullin kampion i vitit me 56 pikë, duke thyer rekordin 25-vjeçar në historinë e Kampionatit Botëror të Ralit.
Në vitin 2006, Loeb garoi për një ekip privat, "Citroen Xsara", në Kampionatin Botëror të Ralit, dhe prapë theu rekordin e 26 fitoreve të karrierës në këtë kampionat, të vendosur nga spanjolli Carlos Sainz, duke arritur 8 fitore më shumë. Kur ishte drejt fitimit për herë të tretë me radhë të titullit kampion bote, Sebastien humbi katër raundet e fundit të kampionatit për shkak të një lëndimi në shpatull. Në garën e famshme "Çmimi i Madh i Qëndresës Le Mans", ku kishte pasur debutimin vetëm një vit më parë, në vitin 2006 Sebastien i gjithanshëm fitoi vendin e dytë. Në 2007-n, ai u kthye në "Citroen Total" dhe filloi të drejtonte një automjet të ri "C4 WRC". Por përshtatja me makinën e re nuk e ndaloi të fitonte 6 gara dhe kurorën e tij të katërt të Kampionatin Botëror të Ralit.
Sebastien, me Elena-n në krah, partneri i tij për një dekadë, e çoi zotërimin e tij në një tjetër nivel në 2008-n, duke vendosur rekorde me 11 fitore në një sezon dhe titullin e tij të pestë të Kampionatit Botëror të Ralit. Në vitin 2009, ai e shtoi vargun e rekordeve në një mënyrë dramatike, me fitimin e garës së fundit të sezonit vetëm pak më shumë sesa rivali i tij finlandez Mikko Hirvonen. Kampionatin e tij të shtatë ai e fitoi në vitin 2010, kur triumfoi në 8 gara, përfshirë fitimin e 60-të në karrierën e vet, Ralin e Francës që mbaroi në rrugën e vendlindjes së tij, Haguenau. Titulli i tetë kampion në vitin 2011, e nxori francezin përpara pilotit të "Formulës Një" Michael Schumacher, për sa i përket titujve profesionistë në historinë e garave me makina. Pasi fitoi kampionatin e tij të nëntë në vitin 2012, Loeb shpalli largimin nga rali si sportist me kohë të plotë, për të konkurruar vetëm në gara të përzgjedhura të Kampionatit Botëror të Ralit.
Ekstra
Rali është një garë e ndërtuar mbi një itinerar të caktuar publik, në të cilën një drejtues dhe një navigator përpiqen të mbarojnë programin e paracaktuar midis pikave të kontrollit. Itinerari, në përgjithësi është i panjohur për pjesëmarrësit derisa të fillojë rali. Një konkurrim i tillë filloi në vitin 1907 me garën Pekin-Paris, që zgjati gati 12 000 km. Rali i Monte-Karlos, me pika të ndryshme të nisjes, filloi në vitin 1911 dhe vazhdoi deri më sot me ndalesë në kohë lufte. Rali u bë e parapëlqyer pas Luftës së Dytë Botërore në Evropë dhe vende të tjera, duke filluar edhe veprimtaritë ndërkombëtare. Rali i fundjavës po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm në botë, nga ato që organizohen nga klubet vendore deri në veprimtari të sponsorizuara nga organizatorë më të mëdhenj.
Rali i Dakarit, i themeluar në vitin 1978 me një gjatësi deri në 15 000 km, konsiderohet si gara më e vështirë. Ndërsa rali më i gjatë ishte ai nga Londra në Sidnei në vitin 1977, rreth 31 107 km.