2019-01-30 10:17:57 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Edicioni i 26-të i Kampionatit Botëror të Hendbollit për Meshkuj u zhvillua nga 10 deri në 27 janar në Danimarkë dhe Gjermani. E veçanta e këtij edicioni është se për herë të parë mori pjesë një ekip i përbashkët korean. Protagonisti i emisionit tonë të sotëm do të jetë një kampion bote dhe olimpik nga Kroacia, i votuar pesë herë rresht si lojtari më i vlefshëm në veprimtaritë kryesore ndërkombëtare, dhe një prej katër lojtarëve të hendbollit që kanë marrë dy herë çmimin "Lojtar i Vitit" të Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit (IHF), përkatësisht në 2003 dhe 2006. Ai është votuar gjithashtu si hendbollsti më i mirë në histori në një sondazh të organizuar nga IHF-ja në internet, duke u quajtur edhe si "Moxart" i hendbollit për teknikën dhe elegancën e tij. Ai është Ivano Baliç.
I lindur më 1 prill 1979 në Split të Kroacisë, Ivano Baliç është i vetmi fëmijë i një familje hendbollistësh. I ati, Zharko Baliç, ka luajtur për "RK Split" në ligën e dytë të ish-Jugosllavisë dhe Ivano kënaqej kur shikonte të atin në fushë. Ivano ka luajtur basketboll për ekipin e famshëm të "KK Splitit" deri në vitin 1995, kur një mik i babait të tij dhe njëkohësisht trajneri i "RK Splitit" Mate Bokan i sugjeroi të luante hendboll. Kështu Ivano filloi të ndiqte rrugën e të atit, duke u ngjitër më vonë në majën e këtij sporti.
Në vitin 1998 Baliçi filloi të luajë për Kroacinë, për ekipet nën 20 vjeç dhe nën 21 vjeç njëkohësisht. Në dhjetor të vitit 2000 ai nisi stërvitjen me ekipin kombëtar për Kampionatin Botëror të vitit 2001. Në stërvitje Baliçi u lëndua dhe i duhej të pushonte për 20 ditë, kështu që e humbi Kampionatin Botëror në Francë.
Baliçi përfundimisht e pati debutimin e tij për ekipin kombëtar në Lojërat Mesdhetare të vitit 2001 në Tunizi, ku Kroacia fitoi vendin e parë. Në Kampionatin Botëror 2003 në Portugali, ekipi kombëtar kroat mundi Arabinë Saudite, Rusinë, Francën, Hungarinë, Egjiptin, Danimarkën, Spanjën e Gjermaninë dhe siguroi edhe një herë titull kampion. Po atë vit, Ivano u bë kroati i parë që fitoi titullin "Lojtar i Vitit" të IHF-së.
Në janar të vitit 2004, Baliçi u thirr për të luajtur në Kampionatin Evropian në Slloveni. Kroacia kishte një fillim të mirë, mundi Spanjën dhe Danimarkën dhe doli me Portugalinë në barazim. Kroacia shkoi deri në gjysmëfinale, ku humbi kundër Sllovenisë dhe përfundoi e katërta, pas humbjes me Danimarkën në ndeshjen për vendin e tretë. Baliçi u përfshi në Ekipin e të Gjithë Yjeve. Ai u votua si lojtari më i mirë dhe lojëbërësi më i mirë i veprimtarisë. Në gusht të atij viti, Baliçi u zgjodh për të luajtur në Olimpiadën Verore 2004, ku Kroacia fitoi vendin e parë. Kroacia ishte e pamposhtuar gjatë gjithë turneut dhe Baliçi u shpall përsëri lojëbërësi më i mirë. Për fitimin e medaljes së artë, të gjithë lojtarëve të skuadrës kroate iu dha Çmimi Shtetëror "Franjo Bučar" për Sportin po atë vit. Sigurisht ndër ta nuk mund të mungonte Baliçi. Ai arriti të fitonte një tjetër çmim vjetor për veten.
Në Kampionatin Botëror 2005 në Tunizi, Kroacia përfundoi në vendin e dytë me humbjen ndaj Spanjës në finale. Baliçi u votua si "Lojtari më i vlefshëm" i turneut dhe lojëbërësi më i mirë. Në Kampionatin Evropian të vitit 2006 në Zvicër, Kroacia përfundoi përsëri në vendin e katërt. Baliçi u shpall përsëri "Lojtari më i vlefshëm" i turneut dhe lojëbërësi më i mirë, duke qënë golashënuesi i katërt më i mirë me 43 gola dhe golashënuesi më i mirë nga fusha me gjithashtu 43 gola. Po atë vit, Baliçi ishte gjithashtu anëtar i ekipit që fitoi Kupën Botërore "Stratoil" në Suedi dhe Gjermani. Gjatë këtij turneu, Baliçi shpiku pseudonimin e ekipit kombëtar kroat të hendbollit, "kaubojët".
Në Kampionatin Botëror 2007 në Gjermani, Kroacia përfundoi në vendin e pestë. Baliçi u votua përsëri si "Lojtari më i vlefshëm" . Ai luajti edhe gjatë Kampionatit Evropian të vitit 2008 në Norvegji, ku Kroacia pësoi një humbje nga Danimarka në finale. Kjo medalje argjendi ishte medalja e parë në Kampionatin Europian e fituar nga Baliçi. Hendbollisti kroat u votua si qendërmbrojtësi më i mirë dhe golashënuesi më i mirë, së bashku me Nikola Krabatiçin dhe Lars Christiansen-in me 44 gola.
Baliçi në Kampionatin Europian të vitit 2010
Në Kampionatin Europian të Hendbollit të vitit 2008, ai ishte bashkëgolashënuesi më i mirë me 44 gola. Baliçi i siguroi Kroacisë një medalje të argjendtë dhe ishte në Ekipin e të Gjithë Yjeve të turneut. Në të njëjtin vit, Baliçi u zgjodh flamurtar i Kroacisë në Olimpiadën Verore të vitit 2008 në Pekin. Për fat të keq, turneu nuk shkoi kaq mirë. Kroacia përfundoi në vendin e katërt, duke e humbur medaljen e bronzit, që u mor nga Spanja. Baliçi nuk luajti me mundësitë e veta më të mira në këtë turne, kësisoj nuk mori asnjë çmim individual. Sfida e ardhshme e ekipit kombëtar, me të cilin ballafaqohej Baliçi, ishte Kampionati Botëror 2009, që do të zhvillohej në atdheun e vet. Edhe pse Kroacia ishte e pamposhtur gjatë gjithë turneut, Franca i mundi ata në një ndeshje të dhimbshme finale. Në Kampionatin Europian të vitit 2010, Kroacia fitoi një medalje tjetër argjendi.
Kroacia e përfundoi Kampionatin Botëror 2011 në vendin e 5-të. Pas një viti Baliçi fitoi dy medalje bronzi për Kroacinë në Kampionatin Europian në Serbi dhe Olimpiadën Verore në Londër. Para Kampionatit Botëror 2013 në Spanjë, Baliçi doli nga ekipi kombëtar dhe shpalli largimin nga sporti. Një ceremoni e veçantë e kushtuar Baliçit u mbajt po atë vit. Gjatë ceremonisë, idhulli i hendbollit i Baliçit, Jackson Richardson, erdhi për ta përgëzuar kroatin për karrierën e tij.