Bilardisti më i mirë në kohën moderne, Stephen Hendry

2019-01-11 11:12:30 CRI Komenti juaj Printoni

Edicioni i 45-të i turneut "Dafabet Marster", një turne i bilardos profesioniste, do të zhvillohet nga 13 deri më 20 janar në Londër të Anglisë. Personazhi i emisionit të sotëm është një lojtar skocez i bilardos që e ka dominuar këtë sport në vitet '90 të shekullit të kaluar. Ai ka fituar 7 herë Kampionatin Botëror, një rekord në kohën moderne. Gjithashtu, ai u rendit në vendin e parë për tetë sezone me radhë, nga viti 1990 deri në 1998, dhe një herë tjetër në 2007. Ai po ashtu mban rekordin për fitoren e të ashtuquajturave "tituj të renditjes", domethënë të turneve që llogariten kur bëhet vlerësimi i renditjes botërore të biliardos, 36 gjithsej. Ai është Stephen Hendry, që vlerësohet gjerësisht si bilardisti më i mirë në histori.


Vitet e para (1981-1988)
Stephen Hendry ka lindur më 13 janar 1969 në Edingburg të Skocisë. Ai filloi të luante bilardo që në moshën 12-vjeçare, kur i ati i bleu një fushë të vogël bilardoje për fëmijë si dhuratë për Krishtlindjet. Pas dy vjetësh, ai fitoi Kampionatin e Skocisë për moshën nën 16 vjeç.
Në sezonin e tij të parë në turneun profesionist "Mercantile Credit Classic"  (1986/87),  Hendry u rendit ndër 32 të parët, ndërkohë që u bë fituesi më i ri i Kampionatit Profesionist të Skocisë në vitin 1986. Ai u bë gjithashtu bilardisti më i ri i kualifikuar ndonjëherë për në Kampionatin Botëror, duke e mbajtur këtë rekord deri në vitin 2012. Në sezonin 1987/1988, Hendry fitoi titujt e tij të parë të renditjes, fillimisht "Çmimin e Madh", duke mundur në finale kampionin e botës, irlandezin Dennis Taylor, e më pas "Turneun e Hapur të Britanisë". Në vitin 1987, Hendry u rendit i katërti në botë dhe u votua nga BBC-ja si "Personaliteti sportiv i vitit i Skocisë".

Stephen Hendry fitoi Kampionatin Botëtor, 1992

 
Kampion bote dhe nr. 1 i botës (1989-1999)
Periudha e mbretërimit të Hendry-t filloi nga sezoni 1989/1990. Ai fitoi Kampionatin e Mbretërisë së Bashkuar,  turneun "Classic" të Dubait, "Turneun e Hapur të Azisë", turneun "Masters" të Skocisë, "The Masters", si edhe kampionatin e tij të parë botëror, duke mundur "kampionin e popullit" Jimmy White 18-12 në finale. Si rezultat, ai u ngjit në vendin e pare të renditjes botërore në moshën vetëm 21- vjeçare. Pas humbjes ndaj Steve James në sezonin 1990/91, në sezonin e mëpasëm Hendry rimori titullin kampion bote me fitimin e 10 lojëve rresht përballë Jimmy White, duke e përmbysur rezultatin nga 8-14 në 18-14. Po atë vit skocezi fitoi edhe "Çmimin e Madh" dhe "Turneun e Hapur të Uellsit".
 
Në 1994/1995, pasi u dekorua me "Urdhrin më të Shkëlqyer të Mbretërisë Britanike", Hendry fitoi tre tituj të renditjes, duke përfshirë Kampionatin Botëror dhe Kampionatin e Mbretërisë së Madhe, dhe arriti t'i mbante këta tituj edhe vitin e ardhshëm. Në finalen e Britanisë së Madhe të vitit 1994, Hendry mundi Ken Doherty 10-5, duke bërë 7 100-pikësh në ndeshje. Kjo u përshkrua nga gazetari sportiv David Hendon si "ndoshta loja më e mirë që dikush ka luajtur ndonjëherë". Suksesi i tij vazhdoi deri në 1995/1996 me tre tituj, duke përfshirë Kampionatin Botëror.
 
Pas kampionatit botëror të vitit 1996, paraqitja e Hendry-t filloi të zbehet. Pasi u rendit i pari në botë për tetë sezone të njëpasnjëshme, ai e humbi këtë status me një humbje në raundin e parë në kampionatin botëror 1998. Ai gjithashtu humbi në finalen të vitit 1997, duke u dhënë fund 30 fitoreve radhas në kampionatin botëror. Në moshën 30-vjeçare, Hendry mendoi daljen në pension, por këmbënguli, duke punuar me ish-trajnerin Frank Callan.
 

Stephen Hendry fitoi Kampionatin Botëtor, 1996

Karriera e mëvonshme (1999-2012)
Fitoret në "Turneun e Hapur të Skocisë" e turneun "Masters" të Irlandës rikthyen besimin e Hendry-t. Në kampionatin botëror të vitit 1999 ai i mbijetoi një shorti të vështirë, duke arritur në finale, në të cilën ai mposhti 18-11 Mark Williams, një lojtar i shquar nga Wellsi. Edhe një herë Hendry vendosi rekord, duke fituar shtatën tituj kampion bote, më shumë se çdokush tjetër. Në nëntor ai rimori vendin e parë.
 
Pas kampionatit botëror të vitit 1999 ylli i Hendry-t nisi të venitej përsëri. Megjithëse siguroi një vend në 10 të parët e renditjes, ai nuk ishte më në gjendje të ngjitej në lartësitë që kishte arritur në dekadën e kaluar. Megjithatë, në vitin 2006, ai dëshmoi prapë zotërimin e talentit me të cilin u bë një simbol i bilardos në vitet '90. Po atë vit, ai zaptoi vendin e parë të renditjes botërore edhe një herë tjetër. Në vitin 2012, ai u tërhoq papritur nga tryeza e gjelbër pas humbjes së tij në çerekfinalet e kampionatit botëror të bilardos.
 
Tashmë, Stephen Hendry punon si komentator për BBC dhe ITV, duke vazhduar të përfshihet në këtë sport të saktësisë që kërkon përqendrim mendor.
 
Ekstra
Bilardo e ka origjinën nga oficerët britanikë në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të. Me përdorimin e një çoku dhe 22 topave me ngjyrë, lojtarët duhet të godasin topin e bardhë (çokun) për t'i futur topat me radhë në gropë dhe kështu llogariten pikët e grumbulluara për çdo futje. Në një lojë individuale del fitimtar ai që siguron më shumë pikë. Një ndeshje fitohet nga lojtari që fiton më shumë lojë.
 
Kampionati Botëror i Bilardos filloi në vitin 1927. Joe Davis u bë një figurë kyçe gjatë të zhvillimit të hershëm të sportit. Ai fitoi 15 kampionate nga 1927 deri në 1946. Koha moderne e bilardos filloi në 1969, pasi BBC nisi të transmetonte programin televiziv për bilardon "Pot Black", dhe Kampionatin Botëror në 1978, duke çuar popullaritetin e këtij sporti në një majë të re.
 
Vitet e fundit, bilardo është preferuar gjithnjë e më shumë në Kinë.


 
Mrekulli
Lajmet Kryesore