Cha Bum-Kun, futbollisti më i mirë aziatik që ndoshta kurrë nuk e keni dëgjuar

2019-01-04 15:25:49 CRI Komenti juaj Printoni

Sot nis në Emiratet e Bashkuara Arabe edicioni i 17-të i Kupës Aziatike i Konfederatës Aziatike të Futbollit (AFC). Kupa Aziatike është një veprimtari që zhvillohet një herë në katër vjet dhe ku përballen përfaqësueset e ndryshme aziatike. Në edicionin e sivjetshëm përballë njëra-tjetrës janë 24 ekipe të ndara në katër grupe. Finalja do të zhvillohet më 1 shkurt. Kampione në fuqi është Australia, ndërsa fituesja e dy edicioneve të para të këtij kampionati është Koreja e Jugut. E pikërisht një futbollist koreanojugor do të jetë protagonisti ynë për sot.

Nëse do t'ju pyesnin se cili është futbollisti më i mirë nga çdo kontinent, në Europë ndoshta do të zgjidhnit Kristiano Ronaldon, Zidanin apo Krojfin ... emra të njohur në mbarë botëm. Amerika e Jugut ka Messin, Maradonën dhe Pelen, Afrika Drogbanë dhe Tourenë, Amerika e Veriut Sanchez, Donovan dhe Chicharito, ndërsa Australia Timmy Cahill-in. Për sa i përket Azisë, kontinenti më i madh në botë, kjo është një pyetje e ndërlikuar. Për shumë njerëz, është e vështirë të thonë se cili është lojtari më i mirë aziatik. Disa mund të përmendin Ali Daei dhe Hidetoshi Nakata, ndërsa të tjerë Son Heung-Min dhe emra edhe më të rinj.

Por pa dyshim, ish-sulmuesi i Koresë së Jugut Cha Bum-Kun është futbollisti më i shquar aziatik i të gjitha kohërave. Megjithatë, mund të thuhet se çuditërisht vetëm tifozët aziatikë dhe ata të Bundesligës së viteve '80 e njohin këtë legjendë futbolli. Cha është golashënuesi më i mirë i ekipit të Koresë së Jugut dhe futbollisti aziatik që ka e tundur më shumë herë rrjetën në Bundesligë, duke u votuar si Lojtari i Shekullit i Azisë nga Federata Ndërkombëtare e Historisë dhe e Statistikave të Futbollit (IFFHS).

Cha Bum Kun luante për "Eintracht" Frankfurt.

Fillimet dhe karriera e hershme

Cha, që ka lindur në maj 1953 në Hwaseong të Koresë së Jugut, ishte një tifoz i zjarrtë i futbollit dhe një futbollist i mirë që në moshë të vogël. Ai u bë i njohur që në shkollë të mesme. Në moshën 17-vjeçare, Cha u përfshi në ekipin kombëtar të të rinjve dhe u bë i dashur për tifozët koreanë.

Ndeshja e parë ndërkombëtare për Cha Bum-Kunin ishte në kampionatin aziatik të të rinjve në vitin 1971, kur Koreja e Jugut doli e dyta pas Izraelit. Për rastësi, e njëjta ndodhi një vit më pas, kur përsëri Izrali doli kampion dhe Koreja e Jugut nënkampion.

Në 1972-shin Cha u fut në Universitetin e Koresë dhe po atë vit u përfshi në përfaqësuesen e të rriturve. Ndërkohë që ishte ende student, Cha Bum-Kuni shënoi golin e parë për vendin e tij kundër Republikës Kmere (tani Kamboxhia). Koreja e Jugut atë vit u fut në finalet e Kupës Aziatike, duke humbur vetëm ndaj Iranit në kohën shtesë e duke dalë kështu nënkampion. Pas diplomimit, Cha u bashkua me klubin e futbollit "Seul Trust Bank", por pastaj u detyrua të futej në klubin e Forcave Ajrore, për shkak të shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

Transferim në Gjermani dhe u bë ikon kombëtar

Pas përfundimit pothuajse të gjithë shërbimit ushtarak, Cha u transferua në klubin gjerman "Darmstadt" në moshën 25-vjeçare. Trajneri i "Schalke"-s, Friedel Rausch, e kishte parë talentin e Cha-së kur ishte në Korenë e Jugut dhe e nxiti atë të shkonte në Gjermani. Megjithëse karriera e sulmuesit ishte ngecur në ekipin e Forcave Ajrore, ai ishte bërë rekordmbajtësi si golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në Kore. Me 58 gola në 132 ndeshje, Cha kryesonte listën me epërsi absolute. Shumë shpejt emri i tij u bë i njohur për çdo koreanojugor, dhe ai ishte shpresa i ekipit kombëtar për t'u kualifikuar në Kupën e Botës. Sulmuesi kishte tërhequr edhe vëmendjen e tifozëve të mbarë Azisë dhe botës, që do të thotë se ai nuk ishte fare i panjohur kur u tranferua në Gjermani.

Megjithëse "Darmstadt"-i kishte lidhur kontratën me Cha-në, që e kishte bërë tashmë debutimin e tij për këtë ekip kundër "Bochum"-it, problemet lidhur me shërbimin ushtarak nënkuptonin se ai duhej të kalonte pothuajse gjysmën e 1979-s në Kore për të vazhduar ushtrinë. Si rezultati, ai arriti të luante vetëm një herë për "Darmstadt"-in para se të largohej. Megjithatë kjo nuk do të thoshte se karriera e Cha-së në Gjermani kishte përfunduar, përkundrazi, ishte vetëm fillim. Në korrik 1979, ai u bashkua me Eintracht të Frankfurtit dhe shpejt u bë një hero. Imagjinoni Mohammed Salah dhe "Liverpool"-in, po në vend të tij një aziatik.

Por ndërsa karriera e Cha-së në klub filloi të merrte formë, karriera e tij me kombëtaren ishte në fazën e fundit. Pas mosarritjes së Koresë së Jugut të kualifikohej për në Kupën e Botës të vitit 1978 në Argjentinë, Cha vendosi të tërhiqej nga përfaqësueja. Megjithatë, ai arriti të fitonte medaljen e artë në lojërat aziatike po atë vit, edhe pse triumfi u nda me Korenë e Veriut.

Legjendë te "Eintracht"

Në fund të viteve '70 Cha filloi me "Eintracht"-in dhe ndoshta, nuk kishte asnjë ide se sa i suksesshëm do të ishte gjatë dekadës në vijim. Në sezonin 1979-'80, koreani shënoi 12 gola në 31 ndeshje në Bundesligë për Frankfurtin. Edhe pse klubi përfundoi në vendin e nëntë me pesë pikë më pak se sa i nevojiteshin për një vend në Europë, fitorja e famshme e Kupës UEFA ua hoqi tifozëve zhgënjimin që përjetuan në kampionat.

Në 11 ndeshje të Kupës UEFA, Cha shënoi tregolësha për "Eintracht"-in në ndeshjet me "Feyenoord", "Aberdeen" dhe "Bayern" Munich (kjo ndeshje e fundit një dramë e vërtetë, ku të katër golat u shënuan në kohë shtesë) në rrugën drejt finales. Në atë kohë, finalja e Kupës UEFA zhvillohej me dy takime për të përcaktuar fituesin. Në filanen e cila ishte e gjitha gjermane, Cha drejtoi "Eintracht"-in në triumfin ndaj "Borussia" Monchengladbach me gol në fushën kundërshtare, duke ngritur kështu Kupën UEFA 1979-'80.

Cha Bum Kun luante për Bayer Leverkusen.

Legjendë e Bundesligës dhe pjesëmarrja në Kupën e Botës

Në sezonin e tij të parë në Leverkusen, Cha përsëriti historinë e tij në Frankfurt me 12 gola në 35 ndeshje. "Bayer"-i përfundoi i shtati në Bundesligë, ndërsa "Eintracht"-i, në nevojë të madhe për dikë si Cha, përfundoi në vendin e 16-të gjatë fazës me eleminim.

Në vitet '80, reputacioni i Cha-së vazhdoi të rritej në gjithë Evropën dhe tërë botën. Kur u kthye në Korenë e Jugut, ai u njoh si hero kombëtar dhe futbollisti më i mirë.

Në vitin 1986, Koreja e Jugut u kualifikua për në Kupën e Botës dhe federata koreanojugore e futbollit e bindi Cha të rikthehej dhe të merrte pjesë në turne. Për fat të keq, atë vit Koreja e Jugut ishte në grup me Italinë, Argjentinën dhe Bullgarinë, ndërsa Cha nuk shënoi gol. Ndeshja e fundit në grup kundër Italisë ishte edhe ndeshja e fundit e sulmuesit për atdheun e tij.

Në vitin 1986, Koreja e Jugut u kualifikua për në Kupën e Botës. 

Trashëgimia e përjetshme e Cha-së

Cha shënoi gjithsej 170 gola në 482 ndeshje për klubet e ndryshme dhe ekipin kombëtar. Deri më sot, ai është golashënuesi më i mirë i Koresë së Jugut dhe golashënuesi më i mirë aziatik në Bundesligë, duke u konsideruar si një legjendë në vendin e tij dhe në Gjermani. Dhe të gjitha këtyre u shtohet korrektesa e Cha-së. Gjatë gjithë karrierës, ai mori vetëm një karton të verdhë.

Mrekulli
Lajmet Kryesore