Le Jingyi, "lulja" e notit kinez të femrave

2018-12-13 15:55:54 CRI Komenti juaj Printoni

Në Hangzhou të Kinës po zhvillohet Kampionati i 14-të Botëror i Notit në Korsi të Shkurtër (25 m) i Federatës Ndërkombëtare të Notit (FINA). Në edicionin e parë të këtij kampionati, që zhvillohet një herë në dy vjet, i cili u mbajt në vitin 1993 në Palma de Majorka të Spanjës, u vendosën 12 rekorde botërore: 10 prej tyre nga notaret femra dhe dy nga ata meshkuj. Kina ishte vendi që fitoi numrin më të madh të medaljeve të arta në atë kampionat, gjithsej 10 të tilla, të gjitha të fituara nga notaret femra. Një prej tyre është Le Jingyi, që arriti të sillte vendlindjen e saj pesë medalje të arta: dy të fituara në garat individuale dhe tre në stafetë. Por arritja më e madhe e karrierës së saj është pa dyshim fitimi i medaljes së artë në Lojërat Olimpike Verore të Atlantës 1996, në garën e 100 metrave stil i lirë për femra. Në emisionin e sotëm do t'ju njohim pikërisht me këtë figurë të njohur të sportit kinez në mes të viteve '90 të shekullit të kaluar.

Le Jingyi ka lindur më 19 mars 1975 në Shangai. Në moshën 7-vjeçare u fut në klubin sportiv të Shangait, ndërsa pas pesë vjetësh në ekipin e notit të Shangait. Le Jingyi u bashkua me ekipin kombëtar të notit të Kinës në moshën 16- vjeçare, në vitin 1991.

Le është vlerësuar si një talent i lindur noti: shpatulla të gjera, këmbë të gjata dhe peshë të lehtë. Por, kur u fut në klubin sportiv të Shangait në vitin 1982, Le Jingyi u rekomandua për t'u stërvitur për kërcimin në ujë, për arsye të shtatit të dobët. Megjithatë, asaj i mungonte ajo forca e këmbëve dhe kështu u eliminua. Pastaj, Le Jingyi provoi të hynte në notin e sinkronizuar, por këmbët e saj të gjata dhe mungesa e fleksibilitetit bënë që ajo të mos arrinte të sinkronizonte lëvizjet me sportistet e tjera, prandaj u kthye prapë në ekipin e notit. Që atëherë, Le Jingyi nuk u nda më nga noti.

Në moshën 17-vjeçare, Le Jingyi u shfaq në arenën olimpike. Ishte viti 1992, në Lojërat Olimpike të Barcelonës. Në stafetën 4 herë 100 metra stil i lirë për femra, Le ishte notarja e fundit që do të konkurronte për ekipin kinez dhe do të kishte përballë rekordmbajtësen e atëhershme amerikane Jennifer Beth Thompson. Ndonëse e gjendur nën një presion të madh, Le Jingyi arriti rezultatin më të mirë personal, duke i siguruar Kinës medaljen e argjendtë. "Objektivi im në atë kohë ishte të bëhesha kampione kombëtare dhe nuk kisha menduar ende për Olimpiadën... Për mua ishte një garë e zakonshme ndërkombëtare që nuk ndryshonte nga garat e tjera. Por vetëm pasi u ktheva në atdhe, u bëra e vetëdijshme që kisha marrë pjesë në Lojërat Olimpike. Që nga atëherë, shpallja kampione olimpike u bë ëndrra ime," ka kujtuar Le Jingyi.

Por meqë ishte e katërta në stafetë, Le Jingyi u përball me stres të madh dhe që nga ajo kohë, ajo vendosi të mos i lejonte notaret e tjera ta kalonin.

Tre fitore të veçanta për Le Jingyi-në

E vendosur për të arritur gjithmonë rezultatet më të mira, Le Jingyi nisi të përpiqej më shumë dhe në karrierën e saj si notare, ajo siguroi gjithsej 18 tituj kampione ndërkombëtare. Tre ndër to janë të veçanta.

Një prej tyre ishte titulli i fituar në Universiadën Verore që mbajt në Buffalo të ShBA-së në vitin 1993. Kjo ishte medalja e parë e artë për Le-në. Në këtë kampionat, ajo fitoi dy medalje të arta. Në atë kohë, në sportin e notit kishte pesë notare të tjera të spikatura kineze, që quheshin "pesë lulet". Le u bë kështu "lulja më e re" e çelur në arenën e notit dhe, që nga ajo kohë, nuk pushoi së thyeri rekorde individuale dhe botërore. Në edicionin e parë të Kampionatit Botëror të Notit në Korsi të Shkurtër që u mbajt po në të njëjtën vit në Palma de Majorka, Le fitoi pesë medalje dhe vendosi pesë rekorde botërore.

Për Le Jingyi-në, medalja e artë më domethënëse ishte ajo e fituar në Kampionatin e 7-të Botëror që u mbajt në Romë të Italisë në vitin 1994. Kjo ngjarje ka vlerën e një guri kilometrik në historinë e notit kinez. Pas Lojërave Olimpike të Barcelonës në vitin 1992, "pesë lulet" e notit kinez të femrave gradualisht filluan të dilnin nga skena ndërkombëtare. Le, një yll në lindje, fitoi në atë kampionat katër medalje të arta, duke thyer edhe rekordet botërore. "Viti 1994 ishte viti kur u vendos statusi im në arenën ndërkombëtare të notit, nga një lule e vogël në një lule të artë," thotë Le për këtë periudhë të spikatur të karrierës së saj.

Në vitin 1995, në Kampionatin e 2-të Botëror të Notit në Korsi të Shkurtër, Le fitoi tre tituj kampionë. E veçanta e atij edicioni qe se medaljet ishin në formë katërore, por sipas Le Jingyi-së, një gjë tjetër e veçantë ishte edhe pishina ku u zhvillua gara. "Gara u zhvillua në Rio-de-Zhanejro të Brazilit dhe pishina ishte ndërtuar buzë detit. Uji vinte nga deti, prandaj ishte i kripur," tregon Le Jingyi.

Lojërat Olimpike të Atlantës, 1996

Në Lojërat Olimpike të Atlantës të vitit 1996, Le Jingyi fitoi medaljen e parë të artë olimpike në 100 metra stil i lirë. Ajo kishte besim të plotë për këtë fitore edhe që para konkurrimit.

Pasioni i Le Jingyi-së jashtë sportit ishin mangat dhe tani që ajo e ka lënë notin si sportiste, ka hapur një klub për manga. Njëkohësisht, Le menaxhon një palestër e dëshiron që më shumë njerëz t'i kushtojnë rëndësi sportit dhe shëndetit.

(Wang Xianya)

Mrekulli
Lajmet Kryesore