Liang Wenchong-u, nga ferma në fushën e gjelbër të golfit

2018-11-29 09:05:20 CRI Komenti juaj Printoni

Nga 22 deri më 25 nëntor do të zhvillohet në Klubin Metropolitan të Golfit në Oakleigh-in Jugor të Australisë edicioni i 59-të i Kupës Botërore të Golfit. Në këtë veprimtari të rëndësishme ndërkombëtare do të konkurrojë edhe golfisti kinez Li Haotong. Në emisionin e sotëm do të flasim për një tjetër lojtar kinez të golfit, i pari golfist nga Kina që ka hyrë në renditjen botërore të 100 lojtarëve më të mirë të golfit, duke zënë dhe vendin më të lartë në këtë listë, gjithmonë për sa u përket golfistëve kinezë. Ai është Liang Wenchong-u.

Kur përmendet emri i sportit të golfit, rrallë të shkon në mendje Kina. Sidoqoftë, golfisti kinez Liang Wenchong po e ndryshon një gjë të tillë, duke e shkruar emrin e tij në turnetë profesioniste ndërkombëtare të golfit.

Liang Wenchong-u u ngjit befasisht në skenën kineze të golfit më shumë se dy dekada më parë dhe u bë golfisti i parë profesionist kinez 10 vjet më pas. Ai ishte i pari nga pjesa kontinentale e Kinës që fitoi "Udhrin e Meritës" të Turneut Aziatik dhe gjithashtu i pari kinez që u rendit në vendin e tetë në kampionatin e ShBA-së të Shoqatës të Golfistëve Profesionistë (PGA).

Nëse do të kishte një Yao Ming ose Liu Xiang për golfin, ai do të ishte pa dyshim Liang Wenchong-u.

 

Ylli befasues në "sportin elitë" të Kinës

Liang në moshën e re

Në 1993, klubi i parë modern kinez i golfit "Zhongshan Hot Spring", po kërkonte të trajnonte një numër lojëtarësh të rinj. Liang ishte 15 vjeç kur klubi publikoi njoftimin. Në atë kohë, një numër relativisht i vogël kinezësh e njihnin golfin edhe në qytetet e mëdha e të pasura si Pekini dhe Shangai. Liang Wenchong-u, një djalë nga fshati, nuk kishte fare njohuri për këtë sport. Megjithatë, ai iu përgjigj njoftimit të klubit të golfit, duke u larguar përgjithmonë nga jeta e fshatit.

Klubi i golfit zgjodhi një duzinë fëmijësh nga shkolla e Liang-ut për trajnim. Shumë u larguan pas një ose dy javësh, duke mos arritur të ndiqnin programin. Liang Wenchong-u sjell ndër mend që ai çohej në orën 5 të mëngjesit dhe stërvitej deri në muzg. Kur kthehej në shtëpi, ai përsëri praktikonte goditjet e shkurtra me një thes topash të përdorur.

Golfist profesionist

Në moshën 17-vjeçare, Liang-u kishte arritur tashmë një herë të shënonte me më pak goditje sesa vlerësoheshin si të nevojshme, një arritje e dukshme për një lojtar amator. Në 1999, Liang u bë golfist profesionist.

Liang-u ka luajtur në Turneun Aziatik, Turneun e Golfit të Japonisë dhe Turneun "OneAsia". Ai u rendit në vendin e 21-të në "Listën e parave" të Turneut të Golfit të Japonisë në vitin 2006, pasi doli i dyti në "Fujisankei Classic".

Në vitin 2007 Liang Wenchong arriti majën e parë të karrierës: u bë golfisti i dytë kinez, pas Zhang Lianwei-t, që luante në një sërë turnesh të rëndësishme ndërkombëtare. Asokohe Liang-u stërvitej deri në gjashtë orë në ditë, duke goditur rreth 600 topa çdo sesion.

Në kampionatin e PGA-së në gusht të vitit 2010 në ShBA, në raundin e tretë, Liang vendosi një rekord të ri, duke shënuar me 64 goditje, 8 më pak sesa numri i përcaktuar, dhe duke e mbyllur me vendin e tetë këtë kampionat, gjë që e bëri lajm kryesor të mediave amerikane. Zyrtarë nga shoqatat e golfit të ShBA-së e vlerësuan lart Liang në shtyp, duke e cilësuar si "pioner i golfit kinez, që i ka sjellë lavdi të re golfit kinez."

Karriera e Liang-ut vazhdoi të ngjitet në maja më të larta. Në vitin 2015, ai siguroi për herë të parë titullin kampion në Turneun e Golfit të Japonisë dhe, njëkohësisht, u kualifikua për në Turneun e Hapur të Britanisë po atë vit.

Krijimi i brezit të ri të golfistëve

Transformi i Liang-ut prej një figure të panjohur nga një fshat i vogël në një lojtar profesionist golfi me famë botërore ushtroi ndikim në përcaktimin e golfit si "një sport elitë" në Kinë, duke hequr pengesat për ata që donin të merreshin me këtë sport pas tij.

Në vitin 2007, Liang krijoi Fondacionin e Golfit për të Rinj "Wenchong", me shpresën për të formuar lojtarë që do të ndjekin rrugën e tij. Përveç kësaj, bashkë me Klubin e Golfit "Zhongshan Hot Spring" për të cilin luan, Liang ka krijuar gjithashtu një fondacion për të rinjtë me emrin e këtij klubi.

Me mbështetjen e këtyre fondacioneve, lojtarët e rinj me potencial mund të bëjnë stërvitje profesionale dhe të marrin pjesë në veprimtari për të rinjtë, që të fitojnë përvojë dhe çmime.

Suksesi i Liang Wenchong-ut është një histori do të frymëzojë brezin e ri që dashuron golfin, si edhe rreth 250 mijë golfistët e rinj kinezë. Mesazhi i Liang-ut për yjet kinezë të së ardhmes është i thjeshtë: me këmbënguljen dhe përpjekjet e shumta, bota e "topit të vogël të bardhë" nuk  është aq e vështirë të arrihet sa e mendojnë ata.

(Wang Xianya)

Mrekulli
Lajmet Kryesore