Mjeshtrja e Madhe e Shahut, Xie Jun

2018-11-02 09:21:25 CRI Komenti juaj Printoni

Në Rusi ka nisur kampionati botëror i shahut për femra. Në mënyrë të figurshme mund të thuhet se "boshti" i shahut, veçanërisht të femrave, po zhvendoset drejt Azisë, sidomos falë shahisteve kineze. Dëshmi për këtë është edhe fakti që në Olimpiadën e 43-të të Shahut të mbyllur muajin e kaluar në Batumi të Gjeorgjisë, Kina u shpall fituese si për femra, ashtu edhe në atë që quhet turne i hapur, ku marrin pjesë si shahistë meshkuj, ashtu edhe femra. Ajo për të cilën do të flasim në emisionin tonë të sotëm është pikërisht kampionia e parë e botës jo vetëm nga Kina, por dhe nga Azia, duke e futur shahun e femrave në një epokë të re. Ajo ka qenë kampione bote në periudhat 1991 - 1996 dhe 1999 - 2001. Ajo po ashtu e ka ndihmuar ekipin kinez të shahut të femrave të fitojë në vitin 1998 Olimpiadën e Shahut. Ajo është Mjeshtrja e Madhe e Shahut Xie Jun.

Xie Jun-i ka lindur në vitin 1970 në kryeqytetin kinez Pekin. Ajo filloi të luajë shah kinez që në moshën 6 vjeçe, kurse pak katër vjetësh u bë kampione e Pekinit për të reja. Por ishte ky sukses që do të bënte që Xie Jun-i të ndryshonte disi rrugën e të kalonte në atë që mund të quhet shah ndërkombëtar. Ajo kujton: "Një trajner erdhi e më tha: 'Ne kemi mjaft lojtarë të shahut kinez. Pse nuk luan shah ndërkombëtar, sepse të dyja lojërat janë shumë të ngjashme.' Unë atëherë nuk i kuptoja të përbashkëtat apo ndryshimet."

Sidoqoftë, ajo e bëri këtë kalim në versionin ndërkombëtar të shahut dhe, pas katër vjetësh, u bë kampione e Kinës për të reja. Në vitin 1988 Xie Jun-i doli nënkampione bote për të reja.

Xie Jun-i në atë kohë ishte 18 vjeçe dhe nuk kishte parë ndonjë Mjeshtër të Madh shahu, le më të mundte një prej tyre. E megjithatë ajo do të arrinte ta bënte një gjë të tillë në vitin 1991.

Për vite me radhë Gjeorgjia ishte fortesa e shahut të femrave, por shahistja e re kineze do ta ndryshonte një gjë të tillë, duke mundur 8.5-6.5 pikërisht shahisten gjeorgjiane Maya Chiburdanidze, e cila kishte qenë kampione që prej vitit 1978. Me këtë mundim, Xie Jun u bë e shtata shahiste kampione bote dhe e para ne Azi që u ngjit në fronin botëror të shahut. Një periudhë e re kishte nisur në shahun e femrave. Xie Jun-i do ta vazhdonte mbretërimin e saj deri në vitin 1996, për ta rifilluar më në vitin 1999 deri në 2001, kur u tërhoq nga kampionatet botërore.

Xie Jun (e djathtas), fitoi titullin kampione bote në 1999.

Ngritja e saj meteorike cilësohet si e pashoqe në historinë e shahut. Xie Jun-i u kthye në një yll të vërtetë në Kinë. "Kur i sjell lavdi vendit tënd, njerëzit të duan. Në Kinë njerëzit më njohin. Ata nuk bëjnë dallim nëse je shahist, futbollist apo pingpongist. Ti je një hero nëse fiton", shprehet Xie.

Suksesi i saj ndikoi për ta përhapur shahun jo vetëm në vendin më të populluar të botës, por edhe në mbarë Azinë. Siç thotë edhe vetë Xie Jun-i: "Kur fillova ta luaja shah në moshën 10-vjeçare, askush në Kinë nuk e dinte këtë lojë. Kur unë u bëra kampione bote në vitin 1991, diku aty te 100 000 veta e njihnin. Ndërsa tani në Kinë miliona veta e njohin dhe e luajnë atë. Atyre u pëlqen shahu dhe duan që edhe fëmijët e tyre të luajnë. Veçanërisht të rinjtë mendojnë që, nëse unë ia dola, edhe ata mund t'ia dalin".

Pas saj, do të dilnin me radhë një numër shahistesh të shquara kineze, si Zhu Chen, Wang Lei, Xu Yuhua dhe së fundmi Hou Yifan, që e kanë bërë Kinën një superfuqi në shahun e femrave.

Gjatë karrierës së saj Xie Jun-i është ndeshur me dhe ka mundur edhe shahistë meshkuj, duke përfshirë edhe idhullin e saj. "Në fillim, kur nisa të luaja shah, kishte vetëm një libër. Ishte 'Përmbledhja e ndeshjeve të Karpovit'. E studiova lojën e tij dhe e kam parë atë si Perëndi. Ai ishte heroi im. Dhe arrita të luaj me të e madje edhe ta mund," thotë Xie Jun-i.

Xie Jun-i shprehet se suksesi i saj ka ardhur edhe prej faktit që ajo është një grua kineze. "Unë mendoj se kultura jonë më ka ndihmuar," vëren ajo. "Përgjatë historisë gratë kineze kanë pasur një status të ulët dhe u duhej të mbështeteshin te burrat e tyre. Pastaj, me çlirimin e vendit dhe krijimin e Kinën së Re, atyre u duhej të punonin për të mbajtur familjen. Tashmë pozita e grave po rritej. Tani Kina është ndër vendet më të mira për sa i përket barazisë gjinore. Për shkak të kësaj, ne gratë kineze, kur duhet të studiojmë, studiojmë shumë; kur duhet të punojmë, punojmë shumë. Sepse ne duhet të konkurrojmë me burrat".

Megjithëse e tërhequr përgjithësisht si shahiste, Xie Jun-i nuk është larguar nga shahu. Në vitin 2004 ajo mori titujt "Gjyqtare ndërkombëtare shahu" dhe "Trajnere e lartë e FIDE-s".Xie Jun-i është shprehur se nga shahu arriti të kuptojë si t'i trajtojë gjërat në jetë dhe që një shahist, mësimet që ka marrë nga ndeshjet, duhet t'i praktikojë në jetën e vet. Pavarësisht si do të jetë rezultati i ndeshjes, më e rëndësishmja është të përpiqesh për më të mirën. Me këtë filozofi,  që prej vitit 2008 Xie Jun-i drejton po ashtu një agjenci që kujdeset për talentet e reja të shahut, për t'i njohur ata me shahun dhe për t'i bërë ta duan këtë lojë të mendjes.

Mrekulli
Lajmet Kryesore