2018-09-07 10:38:41 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Chris Evert-i ka lindur në vitin 1954 në Florida të ShBA-së. Ajo filloi të luajë tenis që në moshën 5-vjeçare, duke pasur si trajner babanë e saj, Jimmy Evert, një tenist i njohur në atë kohë, e që më vonë do të bëhej edhe trajneri i Serena Williams-it.
Pas fitores së turneut kombëtar të tenisit për moshat nën 16 vjeç, Evert-i mori pjesë në një turne me tetë teniste të zhvilluar në Karolinën e Veriut. Tenistja e re 15-vjeçare do të dilte në finale, duke arritur të mundte mbajtësen e titullit kampion të këtij turneu dhe tenisten nr. 1 në botë në atë kohë, Margaret Court.
Një vit më pas, në 1971, Chris Evert-i pati pjesëmarrjen e vet të parë në një turne të "Grand Slam"-it, pikërisht në Turneun e Hapur të ShBA-së. Ajo arriti fitore 2-0 në ndeshjen e parë dhe 2-1 në tre ndeshjet e ardhshme, duke arritur në të tre rastet ta përmbyste rezultatin. Evert-i u bë kështu gjysmëfinalistja më e re në hisorinë e Turneut të Hapur të ShBA-së, por pikërisht aty udhëtimi i saj u ndal, pasi u mund nga fituesja e këtij turneu për atë vit, Billie Jean King.
Një vit më pas Chris Evert-i do të merrte pjesë për herë të parë në turneun e Wimbledon-it në Angli, duke dalë përsëri në gjysmëfinale. Para mbërritjes së saj në Wimbledon, mediat britanike e quajtën atë "Princesha e akullit", për shkak të qetësisë, hijeshisë dhe saktësisë së saj. Ky emër mbeti me të gjatë gjithë karrierës së saj.
Chris Evert-i u bë sportiste profesioniste në moshën 18-vjeçare, në dhjetor të vitit 1972. Kjo shënon edhe fillimin e hyrjes së saj në "librin e rekordeve". Gjatë viteve '70 dhe në gjysmën e parë të viteve '80, tenistja amerikane fitoi 18 tituj të "Grand Slam"-it, ndërkohë që doli edhe 16 herë të tjera në finale. Përpara se të kremtonte 21-vjetorin e lindjes, ajo kishte fituar tashmë nga dy herë Turneun e Hapur të ShBA-së (1975, 1976), Wimbledon-in (1974, 1976) dhe "Roland Garros"-in e Francës (1974, 1975), pa përmendur një numër kampionatesh të tjera. Ndërkohë Evert-i fitoi tre turne të "Grand Slam"-it edhe në ndeshjet dyshe për femra ("Roland Garros"-in në 1974 e 1975 dhe në vitin 1976 "Wimbledon"-in).
Në vitin 1982 Chris Evert vendosi rekordin e fitoreve në Turneun e Hapur të ShBA-së për sa u përket tenisteve femra, gjashtë të tilla, rekord që në vitin 2014 u barazua pikërisht nga Serena Williams-i, por që ende nuk është tejkaluar. Ndërkohë, për sa u përket turneve të tjera të "Grand Slam"-it, Evert-i ka fituar gjithsej shtatë herë "Roland Garros"-in (duke u kaluar vetëm në vitin 2013 nga Rafael Nadali), tre herë Wimbledon-in dhe dy herë Turneun e Hapur të Australisë (1982, 1984).
Evert-i gjithashtu ka fituar katër herë Kampionatin e Shoqatës Botërore të Tenisit, që organizohet në fund të çdo sezoni me tenistet më të mira.
Përveç sukseseve individuale, Evert-i ka fituar tetë herë Kupën e Federatave me ekipin e tenisit të femrave të Shteteve të Bashkuara. Ndeshja e fundit e Evert-it ishte pikërisht në këtë veprimtari në vitin 1989, kur ajo e mbylli karrierën e vet të shkëlqyer gjatë së cilës kishte arritur shumë fitore, po me një fitore 2-0 ndaj Conchita Martinez-it.
Gjatë karrierës së saj, Chris Evert-i arriti shumë rekorde. Ajo u bë tenistja e parë, si për meshkuj, edhe për femra, që fitoi 1 000 ndeshje individuale. Ajo po ashtu fitoi të paktën një titull të madh për 13 vjet me radhë, ndërsa nga viti 1975 deri në 1986, për 260 javë gjithsej, u rendit në vendin e parë ose të dytë në klasifikimin e Federatës Ndërkombëtare të Tenisit.
Chris Evert ka marrë tituj e çmime të shumta, si "Sportistja e vitit" nga "Associated Press" (katër herë), ndërsa në vitin 1985 Fondacioni Sportiv i Grave e cilësoi si sportisten më të madhe të 25 vjetëve të fundit. Evert-i u përfshi njëzëri në Hollin Ndërkombëtar të Famës të Tenisit në vitin 1995.
Pas lënies së sportit, Chris Evert-i u bë komentatore televizive për tenisin, këshilltare e posaçme e ekipit kombëtar të tenisit të Shteteve të Bashkuara dhe presidente e Shoqatës së Tenisit të Femrave (1982-1991). Bashkë me familjen ajo themeloi në vitin 1996 Akademinë e Tenisit "Evert", për të formuar breza të rinj tenistësh. (Artan Goga)