Luan Jujie, kampionia olimpike e skermës që nuk njeh moshë

2018-07-19 10:48:23 CRI Komenti juaj Printoni

Në Wuxi të Kinës po zhvillohet Kampionati Botëror i Skermës. Zgjedhja e Kinës për organizimin e kësaj veprimtarie dëshmon ndër të tjera zhvillimin që po merr sporti i skermës në vendin më të populluar të botës. Luan Jujie është ajo që ka nisur rrugën e suksesit të skermës kineze në arenën ndërkombëtare, duke fituar 34 vjet më parë medaljen e parë olimpike për Kinën në këtë sport. Ajo ka marrë pjesë në katër olimpiada, në më të fundit nga të cilat, atë të zhvilluar në atdheun e vet në vitin 2008, ishte plot 50 vjeçe, duke u bërë kështu ndër pjesëmarrëset më të vjetra në një olimpiadë.

Luan Jujie ka lindur 60 vjet më parë në Nankin të Kinës. Ajo u mor me sport që e vogël, fillimisht me atletikë e me badminton. Për habinë e saj, trajnerët e një sporti të cilin pothuajse nuk e njihte fare, skermës, i kërkuan disa herë që ta provonte këtë sport. Ishte e qartë që ata shihnin te Luan Jujie një potencial të cilin ajo nuk ishte në gjendje ta shihte. Por ajo ka thënë se në fillim nuk e kishte për zemër skermën, sepse nuk i pëlqente kaska mbrojtëse që duhej të vinte në kokë, e cila i dukej se e kufizonte. Më në fund, Luan Jujie i pranoi kërkesat e përsëritura të trajnerëve të skermës, por vetëm sepse i ati e urdhëroi ta bënte një gjë të tillë. Por më vonë ajo do ta pranonte: "Skerma ishte sporti që bënte për mua." ​

Dhe që kjo ishte e vërtetë, duket nga rezultatet që nuk vonuan.​

Vetëm disa muaj pasi nisi të merrej me skermë, ajo mundi të gjitha shoqet e ekipit, duke u renditur më pas e dyta në kampionatin kombëtar.

Në moshën 17-vjeçare Luan Jujie u pranua në ekipin kombëtar të skermës të Kinës. ​

Në Kampionatin Botëror të të Rinjve në vitin 1977, ajo realizoi diçka që do ta bënte pjesë të teksteve mësimore në Kinë edhe sot e kësaj dite. ​

Në ndeshjen e parë, shpata e kundërshtares u thye dhe maja e saj u ngul në krahun e majtë të Luan Jujie-së, krahu me të cilin ajo mbante shpatën. ​E megjithatë, pas mjekimit ajo e vazhdoi ndeshjen, edhe pse plaga ishte mavijosur. Dhe me gjithë lëndimin, shenjën e të cilit e ruan ende edhe sot, skermistja e re kineze arriti të renditej në vendin e dytë në atë kampionat, duke marrë medaljen e argjendtë.​

Karakterin e vendosur e të fortë të Luan Jujie-së e tregon edhe fakti që, megjithëse ajo vuajti gjatë gjithë karrierës nga problemet me veshkat,​ ndodhi më se një herë që të largohej fshehtas nga spitali për të shkuar në stërvitje.

Kjo vendosmëri bëri që sukseset e Luan Jujie-së të vijonin vit pas viti. Në vitin 1978 ajo fitoi medaljen e artë në Lojërat Aziatike, sukses të cilin e përsëriti edhe në vitin 1986, kurse në vitin 1979 mori medaljen e artë në Lojërat Kombëtare të Kinës. ​

Ndërkohë në vitet 1983 e 1985 Luan fitoi medaljet e arta në lojërat universitare botërore. Por në periudhën midis këtyre universiadave ajo pati suksesin më të madh jo vetëm të sajin, por edhe të sportit kinez të skermës deri atëherë. ​

Në Olimpiadën e Los Anxhelesit të vitit 1984, skermistja 26-vjeçare kineze fitoi medaljen e artë, duke u bërë jo vetëm skermistja e parë kineze - qoftë për meshkuj, ashtu edhe për femra - që fitonte një medalje olimpike, ​po dhe skermistja e parë nga Azia Lindore, përsëri si për meshkuj, ashtu edhe për femra, që fitonte një medalje të artë olimpike.​

Luan mori pjesë edhe në Olimpiadën e vitit 1988 në Seul, pas së cilës ajo e la për herë të parë sportin.​

Një vit më pas Luan Jujie dhe i shoqi shkuan për të jetuar në Edmonton të Kanadasë, qytet me të cilin ajo, siç thotë, kishte rënë në dashuri kur kishte qenë aty gjatë Lojërave Universitare të vitit 1983. Aty ajo nisi të japë mësim në Klubin e Skermës të Edmontonit, duke dhënë një ndihmesë të madhe në zhvillimin e sportit të skermës në këtë qytet. Në vitin 1994 Luan u bë qytetare kanadeze dhe vendosi t'i rikthehet skermës si lojtare, duke u shpallur gjashtë herë kampione e Kanadasë. ​

Në vitin 2000, në moshën 42-vjeçare, Luan Jujie mori pjesë në Olimpiadën e Sidneit, pas së cilës ajo shpalli përsëri lënien e sportit. Por kjo ndodhi sepse nuk e priste që një vit më pas Komiteti Olimpik Ndërkombëtar do t'ia jepte Pekinit të drejtën për të organizuar olimpiadën e vitit 2008. Ashtu si shumë sportistë e sportiste të tjera kineze, Luan Jujie nuk donte ta humbiste rastin për të marrë pjesë në lojërat e para olimpike që zhvilloheshin në atdheun e saj.​

Me gjithë moshën dhe faktin që ishte tashmë nënë e tre fëmijëve, me vendosmërinë e saj karakteristike, ​Luan Jujie nisi stërvitjen intensive, duke harxhuar mijëra dollarë nga paratë e veta për të marrë pjesë në veprimtari që do t'i mundësonin mbledhjen e pikëve të mundshme për të shkuar në olimpiadë. Dhe falë vullnetit e motivimit, u realizua ëndrra e saj për të marrë pjesë në Olimpiadën e Pekinit, në një moshë pothuaj të pabesueshme: plot 50 vjeçe. Por ajo tha se ndihej si 20-vjeçare. "Kurrë mos u ndal. Bota na thotë të sistemohemi dhe ta ngadalësojmë ritmin sa më shumë plakemi, por kjo nuk është e vërtetë. Gjej diçka që e dashuron dhe bëje. Unë doja të merrja pjesë në Olimpiadë dhe ia dola. Kjo më bën te ndihem e re," është shprehur ajo.​

Pas Olimpiadës së Pekinit Luan Jujie e la për herë të tretë dhe duket se përfundimisht sportin si lojtare, por vazhdon të jetë trajnere, ndonëse tashmë në moshën 60-vjeçare, dhe thotë se nuk ka ndër mend të pushojë. "Unë kam mjaft medalje për vete. Tani dua të shoh nxënësit e mi të arrijnë sa më shumë që të munden," thotë Luan.​

Në Kinë Luan Jujie është një yll i vërtetë. Në qytetin e saj të lindjes ka një shkollë skerme me emrin e saj, për të është bërë një film e gjithashtu me figurën e saj është emetuar një pullë postare. Në vitin 1999, Luan Jujie u përfshi në grupin e 50 sportistëve më të mëdhenj kinezë që prej themelimit të Republikës Popullore të Kinës.​ (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore