Wu Minxia, thyerësja e të gjitha rekordeve

2018-06-11 09:19:37 CRI Komenti juaj Printoni

Në Wuhan të Kinës po zhvillohet Kupa e Botës e Kërcimit në Ujë, e cila zhvillohet një herë në dy vjet dhe organizohet nga Federata Ndërkombëtare e Notit. Mbretërimi i Kinës në këtë veprimtari, ashtu si edhe në kërcimin në ujë në përgjithësi, është i padiskutueshëm, si për meshkuj, por veçanërisht për femra. Mjafton të kujtohet se duke filluar që nga viti 2006, sportistet kineze i kanë marrë të gjitha medaljet e arta në këtë veprimtari, ndërkohë që për meshkuj Kina ka fituar medalje të arta më shumë se të gjitha vendet e tjera të marra së bashku.

Personazhi e emisionit tonë të sotëm është fituese e medaljeve të arta në shtatë edicionet e fundit të Kupës së Botës. Por jo vetëm kaq. Gjatë karrierës së saj ajo ka fituar tetë tituj kampione bote dhe mbi të gjitha, shtatë medalje olimpike, duke qenë sportistja e kërcimit në ujë me numrin më të madh të medaljeve olimpike. Të gjitha këto me gjithë dëmtimet e shumta gjatë karrierës së saj, që i dhanë nofkën "Vajza e brishtë". Ajo është Wu Minxia.

Wu Minxia ka lindur në vitin 1985 në Shangai, në një familje të thjeshtë punëtorësh. Prindërit e saj thonë se që kur ishte e vogël, vajzës së tyre i pëlqente uji, veçanërisht të ecte zbathur nëpër pellgje dhe kishte raste kur ajo lahej disa herë në ditë. E megjithatë, mund të thuhet se ishte më shumë rastësia sesa ky pasion i veçantë i vogëlushes për ujin që do të përcaktonte karrierën e saj, ndonëse Wu Minxia që atëherë ëndërronte të bëhej si zhytësit dhe notarët që shihte në TV. Në vitin 1991, Yuan Lianying-u, mësues në Shkollën e Kërcimit në Ujë Nr. 2 të Shangait, shkoi në kopshtin ku ishte Wu Minxia për të përzgjedhur fëmijët me fizik më të mirë. Ndër më shumë se 100 fëmijë të atij kopshti, një prej atyre që binte më shumë në sy ishte Wu Minxia. Por ndërkohë edhe mësuesja e një shkolle vallëzimi e kishte zgjedhur 6-vjeçaren. Prindërit e Wu Minxia-së duhej të vendosnin se në cilën shkollë duhej të shkonte vajza e tyre. Meqë shkolla e kërcimit në ujë ishte më afër shtëpisë së tyre, ata vendosën që Wu të ndiqte pikërisht atë shkollë. Dhe për fat, një vendim i tillë nuk binte ndesh me dëshirën e vajzës së tyre. "Kur nisa për herë të parë kërcimin në ujë, mendova se ishte një sport shumë emocionues," ka thënë ajo. "Është në natyrën time që të dua përherë të fitoj."

Dhe jo vetëm falë kësaj natyre, por edhe përpjekjeve të mundimshme dhe stërvitjes për orë të tëra në gjashtë ditë të javës, Wu Minxia do të bëhej një prej sportisteve me numrin më të madh të fitoreve në historinë e kërcimit në ujë.

Wu Minxia mori pjesë në veprimtaritë kombëtare që në moshën 13-vjeçare, kurse pjesëmarrjen e parë në një veprimtari të rëndësishme ndërkombëtare e pati në vitin 2001, kur ishte 16 vjeçe, duke fituar që në këtë debutim medaljen e artë në kërcimin e sinkronizuar 3m nga trampolina me partnere një tjetër legjendë të kërcimit në ujë, Guo Jingjing. Dyshja Guo-Wu do të bëhej pa dyshim dyshja më e njohur në historinë e këtij sporti. Ato do të fitonin titullin kampione bote në kërcimin e sinkronizuar tre metra edhe në tre kampionatet e tjera botërore në vijim, ndërkohë që pas lënies së sportit nga Guo Jingjing, Wu Minxia do të fitonte edhe tre herë të tjera me dy partnere të ndryshme, duke u bërë e vetmja deri tani që ka fituar shtatë tituj kampionë bote në kërcimin tre metra të sinkronizuar nga trampolina. Ajo po ashtu ka fituar edhe një titull kampione bote në kërcimin tre metra nga trampolina, që e çon numrin e titujve të saj kampion bote në 8.

Një vit pas pjesëmarrjes së tyre të parë në një kampionat botëror, pikërisht në vitin 2002, Guo Jingjing dhe Wu Minxia morën pjesë në Kupën e Botës, por arritën të fitojnë vetëm medaljen e argjendtë, megjithatë, në edicionin e mëpasshëm të vitit 2004 në Athinë, si edhe në vitin 2008 në Pekin, ato fituan medaljet e arta, si gjithmonë në kërcimin në ujë të sinkronizuar tre metra nga trampolina. Ashtu si edhe në rastin e kampionatit botëror, Wu Minxia do të fitonte edhe katër herë të tjera në këtë disiplinë, por me partnere të tjera, ndërkohë që ka edhe një fitore individuale në kërcimin tre metra nga platforma.

Por sigurisht suksesi më i madh i Wu Minxia-së është ai olimpik. Pjesëmarrja e parë në Olimpiadë e saj ishte në vitin 2004 në Athinë. Sërish në kërcimin e sinkronizuar tre metra nga trampolina Wu Minxia dhe Guo Jingjing-u ishin të pakonkurrueshme, duke marrë medaljet e arta, kurse në kërcimin individual tre metra nga trampolina, Guo Jingjing-u mori medaljen e artë dhe Wu Minxia atë të argjendtë. Dyshja e përsëriti suksesin e vet edhe në Olimpiadën e mëpasshme, atë të vitit 2008, që u zhvillua në atdheun e tyre. Në Pekin ato morën medaljen e artë në kërcimin e sinkronizuar tre metra nga trampolina, por në konkurrimin individual tre metra nga trampolina, ndërsa Guo Jingjing-u mori përsëri medaljen e artë, Wu Minxia fitoi vetëm atë të bronzit.

Në Olimpiadën e vitit 2012 në Londër, teksa Guo Jingjing-u e kishte lënë tashmë sportin, Wu Minxia fitoi përsëri medaljen e artë në kërcimin e sinkronizuar tre metra nga trampolina, me partneren e saj të re He Zi. Mosprania e Guo Jingjing-ut i hapi Wu Minxia-së për të fituar edhe një tjetër medalje, atë individuale të kërcimit në ujë tre metra nga trampolina.

Dhe do të vinte Olimpiada e vitit 2016 në Rio-de-Zhanejro kur, si rrallëherë në historinë e sportit, me një fitore të vetme Wu Minxia do të thyente gjashtë rekorde njëherësh. Me partnere Shi Tingmaon, Wu Minxia fitoi si gjithmonë medaljen e artë në kërcimin e sinkronizuar tre metra nga trampolina. Që kjo ishte kthyer në rutinë, e tregojnë edhe fjalët e fitueses së medaljes së argjendtë, italianes Tania Cagnotto: "Ne jemi mësuar të konkurrojmë me zhytëset kineze. Ne as që e çojmë ndër mend medaljen e arit. Ari është për Kinën."

Me këtë medalje, Wu Minxia u bë sportistja kineze me numrin më të madh të medaljeve të fituara në historinë e Olimpiadave, gjithsej shtatë. Gjithashtu, duke kaluar Guo Jingjing-un me gjashtë medalje olimpike, Wu Minxia u bë sportistja e kërcimit në ujë me numrin më të madh të medaljeve olimpike. Wu Minxia po ashtu u bë e para sportiste e kërcimit në ujë, si për meshkuj, ashtu edhe për femra, që fitonte pesë medalje të arta olimpike, por ky rekord nuk zgjati shumë, pasi disa orë më vonë shoqja e saj e ekipit Chen Ruolin fitoi edhe ajo medaljen e vet të pestë të artë olimpike.

Por rekordet e vendosura nga Wu Minxia pas kësaj fitoreje nuk mbaronin këtu. Ajo është po ashtu e vetmja sportiste femër që ka fituar medalje të arta në katër olimpiada rresht dhe e vetmja sportiste në kërcimin me ujë që ka fituar medalje të arta në katër Olimpiada në të njëjtën disiplinë: kërcim i sinkronizuar tre metra nga trampolina. Dhe së fundmi, Wu Minxia është sportistja e kërcimit në ujë që ka fituar një medalje olimpike në moshën më të madhe, 30 vjeçe e nëntë muaj.

"Një njeri i zakonshëm e ka të vështirë ta përfytyrojë atë që më është dashur të kaloj për të arritur deri këtu, çfarë force dhe mundi nevojitet" tha Wu Minxia pas fitores, që do të shënonte edhe lënien e sportit prej saj ashtu siç e nisi, me një medalje të artë. "Por rezultati sot më bën të ndihem se të gjitha këto sakrifica ia vlejnë". Dhe më tej ajo shtoi: "Unë mendoj se ne të gjithë e kemi një ëndërr dhe unë zgjodha kërcimin në ujë, me qëllim që të sillja një ndryshim. Unë kurrë nuk hoqa dorë nga kjo ëndërr, edhe pse nuk e kam arritur atë e vetme. Kaq shumë njerëz më kanë përkrahur, që nga familja e trajneri im deri te shumë njerëz të tjerë në prapavijë". (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore