2018-05-19 08:20:30 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Nga 15-20 maj zhvillohet në "Luwan Arena" të Shangait Kupa e Botës e Bilardos, ku marrin pjesë lojtarët më të mirë të botës, të ndarë në 32 ekipe me nga dy veta. Austria është kampionia në fuqi e kësaj veprimtarie, kurse vendi organizator, Kina, shpreson ta rifitojë titullin që e ka marrë dy herë të tjera më parë, në vitin 2007 dhe 2010-n.
Filipinasi Efren Reyes është fituesi i parë i kësaj Kupe, kur ajo filloi të organizohet në vitin 2006, ndërkohë që e ka fituar edhe në vitin 2009. Ai po ashtu është i vetmi që ka fituar titullin kampion bote në dy disiplina të ndryshme të bilardos, teksa njeh gjithsej 70 triumfe në veprimtari të rëndësishme ndërkombëtare të këtij sporti. Për shumë ekspertë e adhurues të bilardos, e madje edhe për rivalë të tij, ai është lojtari më i madh i të gjitha kohërave, duke marrë edhe nofkën "Magjistari".
Efren Reyes-i ka lindur në Pampanga të Filipineve në vitin 1954, i pesti ndër nëntë fëmijët e familjes. Kur ishte pesë vjeç, prindërit e vet të varfër e çuan për të jetuar në Manilë, te xhaxhai i vet që kishte një sallë bilardoje. Efreni e ndihmonte xhaxhanë e vet, duke pastruar sallën, ndërkohë që edhe shikonte ata që luanin. Vogëlushi mrekullohej nga mënyra se si lojtarët i godisnin gurët dhe i futnin në gropë. Natën shpesh Efreni flinte në tryezat e bilardos, duke ëndërruar që edhe ai të luante një ditë e të bëhej një lojtar i madh. Ai e kishte mësuar tashmë lojën që para se ta luante atë.
Efreni e mori për herë të parë stekën në dorë në moshën tetë vjeç, duke hipur mbi arkat e shisheve të "Coca-Cola"-s për të arritur të godiste gurët. Luante nga ora gjashtë e mëngjesit deri në nëntë, kur fillonte punën, dhe pastaj pas orës 9 të darkës, kur salla e bilardos mbyllej, derisa e zinte gjumi mbi tryezës e bilardos. Pa kaluar shumë nisi të mundte të rriturit. Pas disa vjetësh Efren Reyes-i u bë biliardisti më i mirë në Manilë. Në moshën 15-vjeçare, kur la shkollën, ai ishte tashmë numri një në Filipine. Kur mbushi 20 vjeç, askush më në Filipine nuk donte të luante me të, sepse e kishte humbjen më se të sigurt. Prandaj Efreni filloi të shkonte nëpër vende e rajone të ndryshme të Azisë për të luajtur. Ai shkroi në një bllok shënimesh emrat e bilardistëve më të mirë të botës dhe filloi t'i mundë të gjithë një nga një. Emri i Efren Reyes-it tashmë u bë i njohur në të gjithë botën. Por jo pamja e tij.
Në vitin 1985, një burrë shtatvogël hyri në sallën e bilardos "Red's" në Hjuston të Teksasit. Ai tha se quhej Cezar Morales e nisi të luajë pa thënë shumë fjalë të tjera. Gjatë 21 ditëve ai mundi të gjithë lojtarët më të mirë të bilardos në ShBA-në Jugperëndimore. Ata që luajtën me të, pyetnin veten se cili ishte biliardisti më i mirë i botës, Cezar Morales-i apo Efren Reyes-i. Vetëm pasi ai u kthye për pak kohë në Filipine, ata mësuan se Morales-i e Reyes-i ishin i njëjti njeri.
Përgjatë afro tre dhjetëvjeçarëve të mëpasshëm Efren Reyes-i fitoi të gjitha turnetë e rëndësishme ndërkombëtare të biliardos. Në vitin 1994, Reyes-i doli kampion në Turneun e Hapur të Bilardos me Nëntë Gurë të ShBA-së, duke u bërë i pari joamerikan që e fitonte këtë veprimtari. Ishin pikërisht amerikanët që i vunë nofkën "Magjistari" këtij njeriu që i mundi në atë të cilën ata e konsiderojnë si sportin e tyre.
Një vit më pas Efren Reyes-i mori titullin "Lojtari i vitit" nga Federata Ndërkombëtare e Bilardos.
Në vitin 1999 biliardisti filipinas fitoi Kampionatin Botëror të Bilardos me Nëntë Gurë. Pesë vjet më pas, Reyes-i doli fitues edhe në Kampionatin Botëror të Bilardos me Tetë Gurë, duke u bërë i pari biliardist në histori që shpallej kampion bote në dy disiplina të ndryshme. Ndërkohë, ai kishte fituar në vitin 2001 Turneun Ndërkombëtar të Bilardos dhe një vit më pas një tjetër turne të rëndësishëm, atë të quajtur "Sfida e Kampionëve".
Në vitin 2003 Efren Reyes-i u bë i pari lojtar aziatik që u përfshi në Hollin e Famës të Kongresit të Biliardos të Amerikës, organi drejtues i sportit të biliardos në Amerikën e Veriut.
Në vitin 2006 u organizua për herë të parë Kupa e Botës në Bilardo. Efren Reyes-i dhe Francisco Bustamante ishin pjesëtarët e ekipit të Filipineve në këtë veprimtari. Ata mundën në finale dyshen amerikane Rodney Morris dhe Earl Strickland, duke u bërë fituesit e parë të Kupës së Botës. Në të njëjtin vit, këtë herë në finalen e Kampionatin Botëror të Bilardos me Tetë Gurë, Efren Reyes-i do ta mposhtte përsëri Rodney Morris-in, një ndër bilardistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, me nofkën "Raketa". Këto fitore do ta bënin Morrisin të shprehej për Efren Reyes-in: "Ai di shumë më tepër se gjithë të tjerët. Shumë nga gjërat që bëjnë lojtarët e tjerë janë gjëra që i kanë parë nga ai. Njerëzit bëjnë gjëra të mahnitshme gjatë gjithë kohës, por ai duket se gjithmonë i bën ato në momentin magjik kur ke nevojë vërtet për to, në lojën e fundit të ndeshjes finale. Është pikërisht koha e duhur që e bën magjinë."
Në vitin 2009 Reyes-i fitoi përsëri Kupën e Botës, po me partner Francisco Bustamante-n.
Shtypi njoftoi vitin e kaluar se Efren Reyes-i do të tërhiqej nga sporti, pasi, sipas fjalëve të tij: "Tani unë nuk mund t'i mund dot të gjithë". Megjithatë, "Magjistari" 64-vjeçar vlerësohet si biliardisti më i madh i të gjitha kohërave edhe nga konkurrentët e vet më të fortë. Kështu, bilardisti i famshëm amerikan Billy Incardona ka thënë për Reyes-in se "pa diskutim është lojtari më i mirë në botë." Por mbase vlerësimin më të madh për "Magjistarin" e ka bërë përsëri Rodney Morris-: "Ai është lojtari më i mirë që ka luajtur ndonjëherë këtë lojë dhe do të mbahet mend si më i madhi. Jam i lumtur që në jetën time kam pasur rastin të shoh tre lojtarë të mëdhenj: Efren Reyes-in, Michael Jordan-in dhe Tiger Woods-in. Dhe si sportist që jam, mund të vdes i lumtur."
(Artan Goga)