Mario Cipollini, "Mbreti luan" i çiklizmit

2018-05-10 16:33:43 CRI Komenti juaj Printoni






Nga 4-27 maj zhvillohet një ndër veprimtaritë më të rëndësishme dhe më të vjetra të çiklizmit botëror, Xhiroja e Italisë. Sivjet është edicioni i 101-të i kësaj veprimtarie, që e ka fillesën e saj pikërisht 109 vjet më parë në Milano. Përgjatë më shumë se një shekulli në këtë veprimtari kanë garuar shumë çiklistë të shquar, por ndër ta spikat sidomos çiklisti italian Mario Cipollini, i njohur edhe si "Super Mario" dhe "Mbreti luan".


Ai vlerësohet si çiklisti më i suksesshëm i Xhiros së Italisë, sepse ka fituar më shumë etapa se çdokush tjetër në të, plot 42, ndërkohë që ka regjistruar edhe 12 fitore në Turin e Francës dhe 3 në Vueltan spanjolle. Ai ka fituar po ashtu edhe një titull kampion bote. Mario Cipollini është vlerësuar si një ndër çiklistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave dhe si sprinteri më i mirë në historinë e çiklizmit.

Mario Cipollini ka lindur në Luka të Toskanës 51 vjet më parë. Familja e tij ishte e lidhur me çiklizmin dhe kjo duket se përcaktoi edhe karrierën e ardhme të djaloshit shtatgjatë. I ati i Marios ishte çiklist amator, kurse i vëllai profesionist, ndërkohë që edhe motra e tij ishte gjithashtu çikliste. E kështu edhe Mario vuri këmbë në pedale që në moshë të vogël, për të mos e hequr prej andej thuajse asnjëherë. Ai stërvitej shumë, duke bërë që të shquhej në garat për moshat e reja dhe ato amatore, në të cilat arriti 125 fitore.


Në moshën 22-vjeçare Cipollini u bë çiklist profesionist, duke garuar për ekipin "Del Tongo". Po atë vit ai do të kishte pjesëmarrjen e parë në Xhiron e Italisë dhe fitoren e parë të një etape aty ndër 42 të tilla gjatë gjithë karrierës së tij në këtë turne. Fitoren e fundit në Xhiron e Italisë Mario Cipollini do ta arrinte në vitin 2003, plot 15 vjet më pas, duke thyer rekordin e një tjetër legjende italiane të çiklizmit, Alfredo Binda, rekord i cili kishte zgjatur për 17 vjet. Në vitet 1992, 1995 dhe 2002, Cipollini do të renditej i pari në të ashtuquajturin "klasifikim të pikëve" në Xhiron i Italisë.

Ndërkohë, në Turin e Francës, "Super Mario" siç kishte nisur të quhej, fitoi 12 etapa, të parën në vitin 1993 dhe të fundit në 1999. Në fitoren e tij të fundit ai vendosi një tjetër rekord, duke e udhëhequr grupin drejt kohës më të shpejtë në historinë e Turit, me një shpejtësi mesatare më shumë se 50 km në orë përgjatë pothuajse 200 km. Në atë edicion të Turit ai fitoi gjithashtu katër etapa radhas, duke vendosur rekord për sa i përket periudhës pas Luftës së Dytë Botërore të kësaj veprimtarie. Ditën që fitoi etapën e katërt, Cipollini dhe skuadra e tij "Saeco" u veshën me uniforma ushtarësh romakë, për të festuar ditëlindjen e Jul Cezarit dhe rekordin e Cipollini-t. Ky i fundit mund të thuhet se ishte vërtet "Jul Cezari i çiklizmit".


Po në vitin 2002 Mario Cipollini fitoi edhe tre etapa në turin tjetër të rëndësishëm të çiklizmit ndërkombëtar, "Vuelta" të Spanjës, ndërkohë që u shpall edhe kampion bote. "Mbreti luan" po ashtu fitoi atë vit edhe garën Milano-Sanremo. Të gjitha këto teksa ishte tashmë 35 vjeç, një moshë kjo jo e re për sportin në përgjithësi dhe çiklizmin në veçanti.

Cipollini nuk arriti të fitojë ndonjë etapë në Xhiron e Italisë vetëm në edicionin e fundit të pjesëmarrjes në këtë garë, në vitin 2004, ku u dëmtua pas një rrëzimi. Më 7 maj 2005, dhjetë ditë para fillimit të Xhiros së Italisë për atë vit, në moshën 38-vjeçare, "Mbreti luan" i çiklizmit shpalli lënien e sportit.

Megjithatë, pas tre vjetësh, italiani u rikthye, duke garuar për ekipin "Rock Racing" në Turin e Kalifornisë. Por ishte një rikthim i shkurtër për 41-vjeçarin. Ai e la përfundimisht sportin atë vit, megjithëse në një nga intervistat e tij të fundit është shprehur se, nëse do të kishte Kampionat Botëror për çiklistët në të 50-tat, pa dyshim do të kishte marrë pjesë në të.

Po edhe pas lënies së çiklizmit, lidhja e Cipollini-t me këtë sport nuk përfundoi. Ai ka filluar tashmë karrierën e biznesmenit, duke u marrë pikërisht me prodhimin e... natyrisht çfarë tjetër përveçse biçikletave të garave, me të cilat është i lidhur shumë. "Unë kam dy vajza," thotë legjenda 51-vjeçare, "por biçikletat janë vajzat e mia të tjera". (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore