2018-05-03 16:20:57 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Nga 29 prill deri më 6 maj në Suedi zhvillohet Kampionati Botëror Ekipor i Pingpongut. Pretendentja kryesore për titullin kampion, si për meshkuj, ashtu edhe për femra, është Kina. Pingpongistet dhe pingpongistët kinezë kanë qenë triumfues edhe në edicionin e kaluar të kësaj veprimtarie në vitin 2016, si edhe në Kupën e Botës për Ekipet të zhvilluar pak më shumë se dy muaj më parë në Britaninë e Madhe.
Pingpongistja e shquar kineze Deng Yaping e ka fituar tre herë kampionatin botëror me ekipin kinez dhe tre herë Kupën e Botës për Ekipe, ndërkohë që ka qenë e suksesshme edhe në ndeshjet individuale e ato dyshe, duke marrë ndër të tjera edhe katër medalje të arta olimpike. Ajo e kapërceu vështirësinë e shtatit të saj të shkurtër për t'u bërë një mbretëreshë e vërtetë e pingpongut, dhe nga shumë vlerësohet si pingpongistja më e madhe në histori. Ajo është votuar si sportisja kineze e shekullit XX, duke u cilësuar edhe si "zonja e madhe e topit të vogël".
Deng Yaping-u ka lindur në shkurt 1973 në Zhengzhou të provincës kineze Henan. Ajo nisi të luajë pingpong që në moshën 5 vjeçe. Pas katër vjetësh, ajo fitoi titullin e kampiones së provincës për të rinj, ndërsa pas katër vjetësh të tjerë, në moshën 13-vjeçare, u shpall kampione kombëtare. E megjithatë, në fillim Deng Yaping-u nuk u pranua as në ekipin përfaqësues të provinces dhe as në ekipin kombëtar, për shkak të shtatit të saj vetëm 1.5 m të gjatë. Për Deng Yaping-un do të shkruhej më pas se kundërshtaret më të mëdha të saj nuk ishin rivalet, por shtatshkurtësia e saj. Por vullneti dhe talenti i saj i jashtëzakonshëm bënë që më në fund, në vitin 1988, ajo të ishte pjesë e ekipit të Kinës.
Dhe pa dyshim Deng Yaping-u nuk do të zhgënjente. Pas një viti ajo fitoi titullin kampione bote në ndeshjet dyshe, kurse në vitin 1990 Deng fitoi Kupën e Botës si pjesë e ekipit kinez. Këtë sukses ajo do ta përsëriste edhe një vit më pas, duke u shpallur edhe kampione bote si individ, ndërkohë që mori medaljet e argjendta në ndeshjet dyshe dhe ato si ekip. Një vit më pas, do të kishte pjesëmarrjen e parë në Olimpiadë, që atë vit zhvillohej në Barcelonë të Spanjës. Deng Yaping-u konkurronte si në ndeshjet individuale, ashtu edhe në ato dyshe, me partneren e saj Qiao Hong. Deng dhe Qiao morën medaljen e artë. Në ndeshjet individuale, Deng Yaping-u do të ishte përsëri me Qiao Hong-un, por këtë herë jo përkrah si partnere, por përballë si kundërshtare. Deng Yaping-u arriti të triumfojë, duke u kthyer në atdhe me dy medalje të arta. 19-vjeçarja e atëhershme ishte bërë mbretëresha absolute e pingpongut të femrave.
Në vitin 1993, në Kampionatin Botëror në Goteborg të Suedisë, Deng mori medaljen e artë ekipore e të argjendtën në ndeshjet dyshe. Pas një viti, në Kampionatin Aziatik të Pingpongut në Tianjin të Kinës, ajo mori tre medalje të arta dhe një të argjendtë. Një vit më pas, po në Tianjin, Deng Yaping-u do të fitonte përsëri tre medalje të arta dhe një të argjendtë, por këtë herë në kampionatin botëror. Të njëjtën gjë ajo do ta përsëriste edhe në kampionatin e ardhshëm botëror, atë të vitit 1997 në Mançester. Por përpara kësaj Deng Yaping-u kishte përsëritur një sukses edhe më të rëndësishëm. Në Olimpiadën e Atlantës të vitit 1996, ajo fitoi përsëri dy medalje të arta, në ndeshjet indivuale dhe ato dyshe.
Deng Yaping-u e la sportin kur ishte në majë, pikërisht pas kampionatit e botëror të Mançesterit. Ishte vetëm 24 vjeçe dhe kishte fituar më shumë tituj se çdokush tjetër në historinë e pingpongut, duke përfshirë përveç katër medaljeve të arta olimpike, edhe nëntë tituj kampione bote dhe duke u renditur për më shumë se shtatë vjet si numri një në botë në pingpongun e femrave. Në vitin 2003 Deng Yaping-u u votua si sportistja kineze e shekullit XX, qoftë për meshkuj, ashtu edhe për femra, si edhe u përfshi në Sallën e Famës të Pingpongut.
Pas lënies së sportit, Deng-u u përfshi në lëvizjen olimpike, duke u zgjedhur fillimisht në Komisionin e Sportistëve të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe më pas edhe në Komisionin e Sportit e të Mjedisit. Ajo ka qenë po ashtu anëtare e Komitetit Organizator të Lojërave Olimpike të Pekinit. "Një gjë është e sigurt, dëshira ime më e madhe është të kontribuoj në zhvillimin e lëvizjes olimpike. Si një ish-sportiste, unë e kuptoj më mirë se kushdo tjetër rëndësinë dhe vlerën e sportit," është shprehur Deng Yaping-u,"zonja e madhe e topit të vogël". (Artan Goga)