2018-04-27 11:21:32 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Të martën kanë nisur dy kampionate kontinentale të badmintonit, kampionati aziatik dhe ai europian, përkatësisht në Wuhan të Kinës dhe në Huelva të Spanjës. Të dy veprimtaritë do të mbyllen të dielën. Pa dyshim vëmendjen më të madhe e tërheq kampionati aziatik, ku ndodhen përballë njëra-tjetrës superfuqitë e sportit të badmintonit, Kina dhe Indonezia, por edhe ekipet e tjera të forta, si Koreja e Jugut, Hong-Kongu i Kinës, Tajpei Kinez dhe Japonia.
Ndër emrat më të spikatur të badmintonit kinez janë një çift badmintonistesh kineze, pa dyshim ndër më të suksesshmet në historinë e këtij sporti. Ato janë çifti i badmintonisteve femra që e kanë fituar më shpesh kampionatin aziatik, plot katër herë, ndërkohë që në karrierën e tyre numërojnë edhe dy tituj kamionë bote, e ç'është më e rëndësishmja, edhe dy medalje të arta olimpike, duke përfshirë edhe medaljen e parë olimpike të Kinës në badminton. Ato e ndihmuan Kinën të rifitonte trofeun e kupës së botës për femra në 1998, dhe për ta mbajtur këtë titull dy vjet më pas. Njëra prej tyre po ashtu ka luajtur edhe në ndeshjet dyshe të përziera, duke fituar një titull kampione bote dhe një tjetër kampione Azie. Në vitin 2008 ato u bënë pjesë e Hollit të Famës të Badmintonit, duke u quajtur edhe "dyshja e artë" e badmintonit të femrave. Ato janë Ge Fei e Gu Jun-i.
Ge Fei e Gu Jun-i kanë lindur që të dyja në të njëjtin vit, 1975, dhe në të njëjtën provincë, Jiangsu të Kinës Lindore. Ato filluan të luanin si çift që në moshën 12-vjeçare në ekipin e badmintonit të provincës së tyre. Në vitin 1992, Ge Fei e Gu Jun-i fituan titullin e tyre të parë kampion kombëtar, që do të bënte që pas një viti ato të përfshiheshin në ekipin kombëtar, çka do të hapte siparin për karrierën e tyre të suksesshme ndërkombëtare. Sukses që fillon pikërisht me Kampionatin Aziatik të Badmintonit të vitit 1994, ku ato morën medaljen e artë. Po atë vit Ge Fei e Gu Jun-i triumfuan edhe në Çmimin e Madh Botëror, gjë që do ta bënin edhe për pesë vjet të tjera radhazi në këtë veprimtari. Një vit më pas dyshja, atëherë 20-vjeçare, do të fitonte përsëri titullin kampion i Azisë, por Ge Fei do të shpallej kampione edhe në ndeshjet dyshe të përziera. Ndërkohë, po në ndeshjet dyshe të përziera në Lozanë të Zvicrës, Ge Fei fitoi medaljen e bronzit.
Dhe do të vinte viti 1996, kur Ge Fei e Gu Jun-i do të merrnin pjesë në Olimpiadë për herë të parë, pikërisht në Atlantë të Shteteve të Bashkuara. Ato arritën në finale duke mposhtur katër çifte të tjera me rezultatin e përgjithshëm 120 me 39. Siç pritej, në ndeshjen e fundit përballë tyre ishin çifti i badmintonisteve koreanojugore Gil Young-Ah dhe Jang Hye-Ock, kampionet e botës në fuqi në atë kohë. Por Ge Fei e Gu Jun-i sulmuan pareshtur dhe nuk u lanë kohë kundërshtareve t'i jepnin ritmin ndeshjes, e cila përfundoi në 36 minuta. Badmintonistet kineze u bënë kështu kampione olimpike, duke marrë medaljen e parë të artë olimpike për Kinën në badminton.
Ge dhe Gu e vazhduan mbretërimin e tyre në ndeshjet dyshe për femra edhe pas Olimpiadës, duke fituar kampionatin botëror të vitit 1997. Ge Fei aty u shpall kampione edhe në ndeshjet dyshe të përziera, me partner Liu Yong-un. Në vitin 1998 Ge Fei e Gu Jun-i triumfuan si në Lojërat Aziatike, ashtu edhe në kampionatin e Azisë, ndërkohë që e ndihmuan ekipin kinez të fitonte Kupën "Uber", që vlerësohet edhe si kupa e botës për ekipet kombëtare të badmintonit të femrave. Një vit më pas ato u shpallën përsëri kampione bote dhe kampione të Azisë. Në fakt, ato nuk arritën të mposhteshin nga asnjë dyshe tjetër për katër vjet e gjysmë, derisa bashkatdhetaret e tyre Yang Wei dhe Huang Nanyan i mundën në Turneun e Hapur të Japonisë në prill të vitit 2000. Por mbretëreshat e badmintonit do të riktheheshin shumë shpejt në fron, që një muaj më pas, duke ndihmuar fillimisht ekipin kombëtar të Kinës të fitonte përsëri Kupën "Uber", e duke marrë gjithashtu medaljet e arta në Turneun e Hapur të Malajzisë. Por arritja më e madhe atë vit do të ishte në shtator, kur Ge Fei e Gu Jun-i mbrojtën në Sidnei të Australisë titullin kampione olimpike, duke marrë medaljet e tyre të dyta të arta në një olimpiadë. Ato mundën çiftin tjetër kinez Huang Nanyan dhe Yang Wei me rezultatin 2-0 (15-5, 15-5), duke treguar edhe një herë epërsinë e tyre absolute në ndeshjet dyshe të badmintonit të femrave.
Pas këtij suksesi, ndonëse në kulmin e karrierës dhe në një moshë relativisht të re, vetëm 25 vjeçe, "dyshja e artë" e badmintonit vendosi ta lërë sportin, sigurisht së bashku, ashtu siç ishte pothuaj e gjithë karriera e tyre e shkëlqyer. E po ashtu së bashku Ge Fei e Gu Jun-i u përfshinë në vitin 2008 në Hollin e Famës të Badmintonit, duke mbetur dy emra që do të kujtohen gjatë në historinë e këtij sporti.