Chen Penbin-i, "supermeni" që bëri 100 maratona në 100 ditë

2018-04-20 09:11:06 CRI Komenti juaj Printoni

Kjo javë në botën e sportit mund të quhet java e maratonës, pasi të hënën u zhvillua maratona e Bostonit, kurse të dielën do të jetë maratona e Londrës. Ndërkohë në Kinë, ku maratona është popullarizuar me një shpejtësi të madhe, ka një njeri, i cili mund të quhet me plot gojën i jashtëzakonshëm. Ai quhet Chen Penbin-i dhe nga një peshkatar u kthye në një maratonist, duke qenë ndër të paktët që ka garuar në ultramaratonat në të shtatë kontinentet, në zonat më të vështira të botës, si shkretëtira e Saharës, Himalajet apo Poli i Jugut. Por jo vetëm kaq. Ai është i vetmi që ka bërë 100 maratona në 100 ditë rresht, duke frymëzuar shumë veta të ndjekin shembullin e tij në vendin më të populluar të botës.

40-vjeçari Chen Penbin ka lindur në një fshat peshkatarësh në një ishull të vogël të provincës kineze Zhejiang. E vetmja lidhje e ishullit me botën ishte një traget që udhëtonte një herë në ditë për në qytezën në bregun përballë. Që në moshën 13-vjeçare Chen-it iu desh të ndihmonte të atin, dhe dukej se e ardhmja e tij do të ishte ashtu si e brezave të tërë të familjes së tij, ajo e peshkatarit. Chen Penbin-i e bëri një punë të tillë, shumë të vështirë edhe për një të rritur, për nëntë vjet. Peshkimi në det për orë të tëra i dha sidoqoftë një forcë të pazakontë. "Një udhëtim në det zakonisht zgjaste shtatë deri në 12 ditë dhe peshkatarët shpesh flinin shumë pak. Ata duhej të hidhnin e të mblidhnin rrjetat pa ndërprerje. Unë punoja shumë dhe isha në gjendje që në moshën 14 vjeç të mbaja vetë spirancën e anijes, e cila peshonte 100 kilogramë," tregon ai.

Forcën e vet Chen Penbin-i do ta bënte "publike" në Festën e Pranverës të vitit 2000. Festa e Pranverës, siç quhet ndryshe Viti i Ri Kinez, është festa më e madhe popullore në Kinë dhe me këtë rast në qytezën përballë fshatit të Chen Penbin-it organizohej një garë ulje-ngritjesh me forcën e krahëve. Fituesi merrte 600 juanë, ose diçka më pak se 100 dollarë, dhe kjo ishte arsyeja pse Chen Penbin-i vendosi të merrte pjesë në të. Chen-i kishte bërë 438 ulje-ngritje, kur siç thotë, një fëmijë e preku në sup dhe i tha se konkurrentët e tjerë e kishin ndërprerë garën me kohë. "Në atë çast mësova se kisha fituar, përndryshe do të vazhdoja," thotë i buzëqeshur ai.

Por përveçse kishte fituar, Chen Penbin-i mësoi edhe diçka tjetër: që ai kishte një forcë shumë më të madhe se mesatarja. "Atëherë kuptova se kisha forcë e qëndrueshmëri dhe fillova të merrja pjesë në garat e distancave të gjata," tregon ai.

Në të vërtetë, ato ishin më tepër se gara vrapimi ose ishin jo vetëm gara vrapimi. Kështu, një vit më pas, në 2001, ai vendosi rekord, pasi eci për 14 orë duke mbajtur 20 litra ujë, si edhe fitoi një garë vrapimi 4.5 kilometra duke mbajtur përsëri pesha të rënda.

Këto fitore bënë që Chen Penbin-i të ftohej në maratonën e Wenzhou-t, e cila është një garë disi e veçantë dhe më e vështirë sesa maratona e zakonshme, sepse në të pjesëmarrësit duhej të vraponin me këpucë lëkure.

"Unë e përfundova garën për tre orë dhe nëntë minuta. Ishte maratona e parë që bëja", thotë Chen. Vrapimi për të ishte kthyer në njëfarë profesioni, prej të cilit ai siguronte jetesën. Por kjo nuk zgjati për shumë kohë. "Gjatë dy maratonave të ardhshme u rendita ndër tre të parët. Shpërblimi ishte i mirë, por pas vitit 2003 kjo maratonë nuk u zhvillua më, prandaj u ndodha në një situatë të vështirë," shprehet ai.

Chen-i arriti të gjejë punë vetëm në shkurt të vitit 2004, në kompaninë e prodhimit të enëve të kuzhinës "Supor". Por "Supor"-i do të bëhej jo thjesht punëdhënësi, por edhe sponsori i Chen Penbin-it. Në një takim me pronarin e kompanisë Su Xianze, Chen Penbin-i i tregoi historinë e tij. Pasioni për sportin, së bashku me vullnetin dhe këmbënguljen e tij, i lanë mbresa Su Xianze-së, duke i kujtuar vështirësitë që ai kishte kaluar kur nisi biznesin. "Supor" ka sponsorizuar më shumë se katër milionë juanë për Chen Penbin-in, pa kushte, por në shenjë mirënjohjeje, sa herë garon, Chen-i mban në bluzë logon e kompanisë.

Chen Penbin-i filloi të merrte pjesë gjithnjë e më shumë në maratona e në gara të tjera të vështira, si triatloni, dhe në një pjesë të mirë të tyre doli fitues. Më pas ai filloi të vrapojë edhe në ultramaratona, ku gjatësia që përshkohet është më e madhe se 42 kilometrat e maratonës së zakonshme. Pikërisht në një të tillë në vitin 2009 në Alpet Franceze, ai kuptoi se konkurrimi nuk ishte thjesht për të bërë famë dhe para, por edhe nder e krenari kombëtare. "Kur pashë flamurin kinez nga dritarja e hotelit sapo mbërrita, u preka shumë. Dhe atëherë më lindi ideja të garoja në të shtatë kontinentet duke përfaqësuar vendin tim," kujton ai.

Chen-i e filloi ëndrrën e tij një vit më pas, në vendin e vet, në ultramaratonën 250 kilometra në shkretëtirën e Gobit në rajonin e Xinjiang-ut, ku ai zuri vendin e tretë. Në vitin 2011 ai mori pjesë në "Maratonën e rërës", një ultramaratonë 251 kilometra në shkretëtirën e Saharasë, e quajtur edhe "Maratona e ferrit", për shkak se zhvillohet në kushte thatësie dhe nxehtësie të skajme.

Për shkak të një dëmtimi në gju, atë vit Chen Penbin-i nuk mori pjesë në ndonjë veprimtari tjetër, por në vitin 2012 u rikthye furishëm, duke marrë pjesë në tre ultramaratona të ndryshme brenda më pak se një muaji. Madje në ultramaratonën në xhunglën e Amazonës në Brazil, 254 kilometra, ai zuri vendin e dytë, ndonëse humbi dy herë rrugën për shkak të terrenit shumë të vështirë dhe mjegullës.

Në vitin 2013 35-vjeçari Chen Penbin-i përfundoi dy ultramaratona brenda nëntë ditësh.

Chen Penbin-i e përmbushi ëndrrën-sfidë të tij për të marrë pjesë në ultramaratonat në të shtatë kontinentet në vitin 2014, me triumfin në "Maratonën e akullit" në Antarktidë. Ai ishte një ndër gjashtë konkurrentët e vetëm pjesëmarrës dhe një prej atyre dy që arritën ta përfundonin atë, duke vrapuar për afro 14 orë në temperatura nën minus 30 gradë dhe erëra të furishme e të ftohta. Chen-i ndërmend: "Ishte aq ftohtë, saqë djersa ime shndërrohej menjëherë në akull. Më duhej të ndryshoja qëndrimin tim gjatë vrapimit, që pesha të më binte në thembra dhe që të mos më pengoheshin këmbët. Një stuhi e papritur dëbore më verboi dhe nuk dalloja dot shenjat rrugore dhe pothuajse humba rrugën time. Është një luftë kundër natyrës."

Dhe sigurisht Chen Penbin-i u ndje shumë i lumtur kur kaloi vijën e mbërritjes, duke u bërë i pari nga Kina që e fitonte këtë ultramaratonë. Por jo vetëm kaq. "Kisha shënuar një rekord: isha i pari vrapues kinez që kishte përfunduar ultramaratona në shtatë kontinentet e botës".

Chen Penbin-i u bë një njeri i famshëm në mbarë Kinën, duke u quajtur edhe "Forrest Gump-i i Kinës"

Por ai nuk u kënaq me kaq dhe donte t'i shtynte më tej kufijtë e vetvetes, por edhe të asaj se çfarë është në gjendje të bëjë trupi i njeriut. Një vit më pas, nga prilli deri në korrik 2015, Chen-i u bë atleti i parë dhe i vetëm deri tani në botë që bëri 100 maratona brenda 100 ditësh rresht - një udhëtim prej 4 220 km nëpër nëntë provinca kineze, nga Guangdong-u në kryeqytetin Pekin.

Por Chen Penbin-i nuk e bëri një gjë të tillë thjesht për të sfiduar veten. "Duke marrë pjesë në maratona, unë shpresoj që më shumë kinezë të merren me sport për të përmirësuar shëndetin e tyre. Pashë njerëz që vraponin pas meje në çdo maratonë gjatë 100 ditëve të fundit dhe shpresoj se mund të frymëzoj edhe më shumë ta bëjnë një gjë të tillë," u shpreh ai pas mbërritjes në ndalesën e fundit, Pekin.

Dhe vërtet, falë edhe shembullit të tij, maratona në Kinë ka njohur një masivizim të jashtëzakonshëm. Numri i maratonave që zhvillohen në Kinë dhe i pjesëmarrësve në to kanë pasur një rritje të madhe.

"Si 'shtatë kontinentet' edhe '100 ditët' janë gurë kilometrikë në karrierën time, por është ky masivizim i maratonës kënaqësia ime më e madhe, " shprehet Chen-i.

Po në vitin 2015, Chen Penbin-i u shpall "Sportisti më i mirë i vitit në sportet joolimpike" nga Televizioni Qendror i Kinës.

Në vitin 2016, Chen Penbin-i organizoi një tjetër veprimtari, atë të vrapimit stafetë 100 kilometra një herë në javë për pesë javë rresht, ku bashkë me të vrapuan edhe ekipe nga dhjetë veta në pesë qytete të Kinës. Kjo veprimtari tërhoqi 15 mijë veta.

Pas kaq shumë arritjesh e suksesesh, miqtë e tij e kanë këshilluar Chen Penbin-intë hapë një klub maratone dhe të kthehet nga vrapues në trajner, duke pasur kështu një burim të sigurt të ardhurash. Por Chen-i nuk pajtohet me sugjerimin e tyre.

"Kam shumë objektiva për të përmbushur, pasi ka kaq shumë gara në vende të ndryshme. Shpresoj që të vrapoj deri sa të bëhem 60 vjeç. Por nëse nuk e arrij këtë, nuk e kam problem t'i kthehem përsëri peshkimit," thotë 40-vjeçari i jashtëzakonshëm. (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore