Liu Guoliang-u, pingpongisti me numrin më të madh të medaljeve olimpike

2018-04-09 08:42:24 CRI Komenti juaj Printoni

Nga 6 deri 8 prill zhvillohet në Jokohama të Japonisë Kupa Aziatike e Pingpongut, e organizuar nga Federata Ndërkombëtare e Pingpongut. Pa dyshim pretendentët kryesorë për fitimin e medaljeve janë pingpongistet dhe pingpongistët kinezë. Mjafton të përmendet fakti se që në edicionin e parë të kësaj veprimtarie në vitin 1983, të organizuar në qytetin kinez Wuxi, Kina i fitoi të gjitha medaljet, si për meshkuj, ashtu edhe për femra. Ndërkohë, në pesë edicionet e fundit për meshkuj dhe dy të fundit për femra, Kina ka fituar medaljet e arta dhe të argjendta. Pingpongistet dhe pingpongistët kinezë kanë fituar 48 nga 58 medaljet e arta të dhëna në Kupën Aziatike të Pingpongut përgjatë viteve të organizimit të saj, si dhe 41 të argjendta.

Liu Guoliang-u është një pingpongist kinez, pa dyshim ndër më të mirët në historinë e këtij sporti. Medaljen e tij të parë të artë ndërkombëtare ai e ka marrë pikërisht në Kupën Aziatike, për të pasuar me një numër triumfesh në veprimtari të tjera edhe më të rëndësishme, si kampionatet botërore e kupat e botës, për të arritur kulmin me fitoren e dy medaljeve të arta olimpike. Ai është pingpongisti i parë kinez dhe i dyti në botë që ka fituar në të tre veprimtaritë më të mëdha të pingpongut në botë. Shumë e vlerësojnë atë si lojtarin më të mirë të pingpongut të të gjitha kohërave. Pas lënies së tenisit në moshë të re, ai u bë trajneri më i ri i kombëtares kineze të pingpongut, duke vijuar edhe si trajner sukseset dhe triumfet. Ai është Liu Guoliang.

Liu Guoliang-u ka lindur më 10 janar 1976 në Xinxiang të provincës Henan. Babai i tij ishte trajner pingpongu në një shkollë sportive dhe kjo përcaktoi lidhjen e Liu Guoliang-ut që i vogël me këtë sport. Ëndrra e të atit ishte që i biri të bëhej kampion bote dhe Liu e realizoi këtë ëndërr. Madje në njëfarë mënyre e tejkaloi atë.

Liu Guoliang-u nisi të luante tenis që gjashtë vjeç. Kur ishte dhjetë vjeç, ai hyri në një shkollë sportive në Pekin dhe u bë pjesë e ekipeve zinxhir të klubit "Bayi", kurse pas tre vjetësh hyri në ekipin kombëtar të të rinjve. Kur ishte vetëm 15 vjeç, Liu Guoliang-u u bë pjesëtar i ekipit kombëtar, duke qenë kështu një përjashtim, falë talentit të vet të pazakontë.

Suksesin e parë ndërkombëtar Liu do ta arrinte një vit më pas, në 1992, në Kupën Aziatike, kur mori medaljen e artë si në ndeshjet dyshe të përziera, ashtu edhe me ekipin kinez. Të njëjtin sukses e përsëriti po atë vit në Kampionatin Aziatik të Pingpongut. Një vit më pas, në Kampionatin Botëror në Goteborg të Suedisë, Liu Guoliang-u fitoi medaljen e argjendtë me ekipin kinez dhe të bronzit në ndeshjet dyshe.

Në vitin 1994 Liu Guoliang-u ishte pjesë e ekipit kinez që fitoi Kupën e Botës, dhe e njëjta gjë ndodhi një vit më pas, kur Kina u shpall kampione bote për meshkuj në Kampionatin Botëror. Po në atë veprimtari Liu Guoliang-u mori medaljen e argjentë në ndeshjet individuale, ndërkohë që në Kupën e Botës mori medaljen e bronztë. Një vit më pas, në 1996, po në këtë veprimtari, Liu Guoliang-u fitoi medaljen e artë, por më parë, po atë vit kishte pasur arritjen e tij më e madhe. Në Olimpiadën e Atlantës në Shtetet e Bashkuara, Liu Guoliang-u fitoi medaljen e artë si në ndeshjet individuale, ashtu edhe dyshe me partner Kong Linghui-n. Liu Guoliang-u u rendit i pari në klasifikimin botëror të pingpongistëve.

Edhe viti 1997 do të ishte i suksesshëm për Liu Guoliang-un. Ai mori tre medalje të arta në kampionatin botëror në Mançester të Britanisë, në ndeshjet dyshe, po me partner Kong Linghui-n; në ndeshjet dyshe të përziera, bashkë me Wu Na-në; si edhe medaljen e artë ekipore.

Në vitin 1998, si në Lojërat Aziatike në Bangkok, ashtu në Kampionatin Aziatik Liu Guoliang-u fitoi nga dy medalje ari, si në ndeshjet dyshe, ashtu dhe ekipore.

Një vit më pas, në kampionatin botëror në Eindhoven, Liu Guoliang-u fitoi dy medalje ari, si në ndeshjet individuale, ashtu dhe dyshe.

Viti 2000 ishte përsëri vit olimpik. Në Lojërat Olimpike të Sidneit në Australi Liu Guoliang-u nuk arriti dot të mbronte titujt kampionë, megjithatë ia doli të marrë një medalje argjendi në ndeshjet dyshe dhe një bronzi në ndeshjet individuale, duke u bërë pingpongisti me numrin më të madh të medaljeve të fituara në historinë olimpike, gjithsej katër.

Liu Guoliang-u e la karrierën si pingpongist një vit më pas, në 2001, pas fitores së medaljes së artë me ekipin kinez në Kampionatin Botëror në Osaka të Japonisë. Por kjo nuk do të thoshte lënie e pingpongut. Pas dy vjetësh, në moshën 27-vjeçare, ai u bë trajner i ekipit kombëtar të pingpongut të meshkujve të Kinës, duke u bërë trajneri më i ri në moshë që kishte pasur ky ekip në historinë e vet.

Liu Guoliang-u do të kishte si trajner një karrierë pothuajse po aq të suksesshme sa edhe ajo si sportist. Ekipi i drejtuar prej tij fitoi medalje të shumta në të gjitha disiplinat, por sigurisht spikat triumfi i plotë kur olimpiada u zhvillua për herë të parë në atdheun e Liu Guoliang-ut në vitin 2008. Ekipi kinez i drejtuar nga Liu Guoliang-u dhe i përbërë nga Ma Lin, Wang Hao dhe Wang Liqin fitoi të tre medaljet individuale, përkatësisht të artën, të argjendtën dhe të bronztën, si edhe medaljen e artë ekipore. Liu Guoliang-u do të ndiente po atë gëzim që kishte ndier 12 vjet më parë, kur si sportist fitoi dy medalje të arta olimpike.

Vitin e kaluar Liu Guoliang-u e la postin e trajnerit të kombëtares, për të marrë së fundmi atë të zv.presidentit të Federatës Kineze të Pingpongut.

Mund të thuhet se jo vetëm jeta profesionale, por edhe ajo personale e familjare e Liu Guoliang-ut është krejtësisht e lidhur me pingpongun. Edhe bashkëshortja e tij Wang Jin, me të cilën ai u dashurua që kur ishte 16 vjeç, ka qenë pingpongiste dhe të dy u njohën gjatë seancave stërvitore. Ndërkohë vëllai i Liu Guoliang-ut, Liu Guodong, është trajner i ekipit kombëtar të pingpongut të Indonezisë.

Liu Guoliang-u e përmbushi ëndrrën e të atit, duke arritur majat e pingpongut, dhe tani synon të realizojë ëndrrën e vet: që Kina të vazhdojë të jetë mbretëresha e pingpongut dhe që ky sport të bëhet sa më i dashur e më i përhapur në mbarë botën. (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore