2018-03-30 15:40:57 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Kur peshëngritësja kineze Zhou Lulu ngriti gjithsej 333 kg në Lojërat Olimpike të Londrës të vitit 2012, duke thyer rekordin botëror që mbante po ajo vetë dhe duke fituar medaljen e artë, ajo u cilësua si "gruaja më e fortë e botës". Kjo sepse asnjë peshëngritëse tjetër nuk kishte arritur të ngrinte një peshë të tillë në një veprimtari zyrtare. Por ajo ka marrë edhe një cilësim tjetër: "Vajza e madhe me zemër të madhe." Sepse me gjithë gjatësinë 1.75 cm dhe peshën 131 kg, ajo ka qenë një sportiste jo vetëm e shquar, por edhe me virtyte njerëzore. Përveç medaljes së artë olimpike, Zhou ka fituar edhe një titull kampione bote, si edhe ka marrë medaljen e artë në Lojërat Aziatike dhe ato kombëtare të Kinës.
Zhou Lulu ka lindur në vitin 1988 në provincën lindore të Kinës Shandong. Duke qenë një vajzë trupmadhe, Zhou e filloi peshëngritjen që kur ishte 11-vjeçare, por fillimisht nuk i pëlqente, sepse stërvitja ishte shumë i vështirë. Por kur peshëngritësja Tang Gonghong, që është po ashtu nga Shandong-u, fitoi medaljen e artë në Olimpiadën e Athinës 2004 në peshën mbi 75 kg, mendimi i Zhou-t ndaj këtij sporti ndryshoi.
"Pak nga pak fillova ta pëlqej peshëngritjen," kujton ajo.
Dhe Zhou Lulu jo vetëm do ta pëlqente, por edhe do të bëhej vijuese e asaj tradite që kishte filluar të krijonte Kina në peshëngritjen e femrave, me emra të tillë si Tang Gonghong-u e sipërpërmendur, apo Ding Meiyuan-i e plot të tjera, fituese medaljesh të arta olimpike e titujsh të shumtë kampione bote.
Medaljen e vet të parë të rëndësishme Zhou Lulu do ta fitonte në vitin 2009, në Lojërat Kombëtare të Kinës, që atë vit u zhvilluan në provincën e saj të lindjes Shandong. Zhou Lulu mori medaljen e argjendtë në peshën mbi 75 kg, pesha ku do të konkurronte gjithmonë në vijim. Pas dy vjetësh ajo mori përsëri një medalje argjendi, këtë herë në Kampionatin Aziatik të Peshëngritjes, në Tongling të Kinës. Por pas disa muajsh do të pasonte marrja e një medaljeje më të rëndësishme në një veprimtari më të rëndësishme. Në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes të zhvilluar në Paris të Francës, Zhou Lulu mori medalje të artë dhe vendosi rekord botëror në dygarësh duke ngritur 328 kg.
Një vit më pas, në Lojërat Olimpike të Londrës të vitit 2012, Zhou Lulu jo vetëm e theu përsëri rekordin e vet me pesë kilogramë më shumë, por fitoi edhe medaljen e artë.
"Jam vërtet e lumtur, medalja e artë peshon më shumë se shtanga", tha ajo pas fitores. "Dhe jam e gëzuar që medalja e artë në këtë kategori u kthye në Kinë përsëri, pas fitores së Tang Gonghong-ut në vitin 2004."
Suksesi i Zhou Lulu-së vijoi edhe një vit më pas, në 2013, kur ajo mori medaljen e artë në Lojërat Kombëtare të Kinës në Liaoning, si edhe medaljen e argjendtë në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes në Poloni.
Në Lojërat Aziatike 2014 në Incheon, Zhou Lulu arriti një tjetër triumf, duke bërë të vetën medaljen e artë.
Ndryshe nga ç'mund të thuhet për shumë sportistë të tjerë, veçanërisht të sporteve të vështira si peshëngritja, për Zhou Lulu-në peshëngritja nuk është thjesht një punë a karrierë, por mbi të gjitha pasion, ku gjen realizim shpirti i saj i garës.
"Më pëlqen peshëngritja dhe më pëlqen konkurrenca. Në stërvitje kam qenë e kujdesshme dhe kurrë nuk kërkoja të shtonin shtangës më shumë se 5 kg pasi e kisha ngritur me sukses në provën e mëparshme. Por në garën zyrtare, e doja konkurrencën intensive dhe ndihesha sikur mund të ngrija gjithçka," shprehet ajo.
Për peshëngritëset, sidomos të peshave të rënda, si ajo mbi 75 kg, thuhet se duhet të sakrifikojnë diçka nga qenia e tyre femër, por për Zhou-n kjo është një sakrificë që ia vlen.
"Kur të pëlqen peshëngritja, nuk mendon për formën e trupit apo nëse ajo është femërore apo jo," shprehet ajo, dhe shton duke buzëqeshur: "Edhe mua si çdo femër më pëlqen të bëj pazar, por zakonisht nuk blej gjë, sepse rrallë mund të gjej veshje të përshtatshme për mua. Por më pëlqen të shoqëroj shoqet e mia kur bëjnë pazar."
Zhou Lulu tregon po me të qeshur një tjetër peripeci me trupin e saj të madh:
"Familja ime ka një kopsht ku rriten mollë. Mendova të shkoja një herë atje dhe të punoja për ca kohë për t'i ndihmuar prindërit. Por kur hyra në kopsht, pashë që isha shumë e madhe. Sa herë që kthehesha, ose do të prekja në diçka ose do të godisja ndonjërën nga pemët, kështu që të gjitha mollët e saj binin poshtë dhe unë i shkelja. Prandaj prindërit më thanë që më mirë të dilja jashtë e ta lija fare vjeljen. Po bëja më shumë dëm se mirë. "
Po nëse trupi i madh i ka krijuar Zhou Lulu-së disa probleme në jetën e përditshme, fuqia e tij e ka bërë pa dyshim një ndër peshëngritëset më të famshme në botë të peshave të rënda.