Bonnie St. John, medalistja e parë me ngjyrë në olimpiadat dimërore

2018-03-09 14:20:39 CRI Komenti juaj Printoni


Më 9 mars nis në Korenë e Jugut Paralimpiada Dimërore, që do të përfundojë më 18 mars. Sportistët paralimpistë do të konkurrojnë në gjashtë sporte dimërore, kryesori ndër të cilët pa dyshim është ai i skive, ku do të jepen 30 prej gjithsej 80 medaljeve të kësaj veprimtarie. Një prej atyre që kanë bërë histori në Lojërat Paralimpike pa dyshim është edhe Bonnie St. John, sportistja e parë me ngjyrë, si për meshkuj, ashtu edhe për femra, që ka marrë medalje jo vetëm në paralimpiadat dimërore, por edhe në olimpiadat dimërore në përgjithësi, duke e bërë një gjë të tillë në Lojërat Paralimpike Dimërore të Insbrukut 34 vjet më parë. Ajo është një shembull frymëzimi jo vetëm për sportistët paralimpistë, por edhe për këdo që synon të realizojë potencialet e veta.

Bonnie St. John ka lindur më 7 nëntor 1964 në Detroit të shtetit Miçigan në ShBA, po u rrit në San Diego vetëm nga e ëma. Për shkak të një defekti të lindur, mjekët u detyruan t'i pritnin këmbën e djathtë nën gju që kur Bonnie ishte pesë vjeçe. Një gjymtim i tillë një moshë aq të re do të ishte rrënues për shumëkënd, por jo për Bonnie St. John-in. Mbase edhe për shkak të së ëmës, një grua e fortë. "Nëna ime është vërtet një grua e jashtëzakonshme. Kurrë nuk më trajtoi si një njeri me aftësi të kufizuara fizike, nuk më çoi në shkolla të veçanta, nuk kisha justifikim. Ajo nuk lejonte askënd të më trajtonte ndryshe," rrëfen Bonnie St. John.

Dhe ishte pikërisht mamaja që do t'i jepte Bonnie-t një libërth, ku ndër të tjera ishte edhe fotografia e një njeriu me këmbë të prerë duke bërë ski. Kjo ngjalli interesin e vogëlushes për skitë, por vetëm në moshën 15 vjeçe ajo do të vishte skitë për herë të parë. Një shoqe e saj e shkollës e ftoi që të shkonte për një javë ski gjatë pushimeve të dimrit bashkë me familjen e saj. Bonnie vendosi të shkojë e të mësonte me këtë rast skitë. Si ndihmë kishte një manual dhe forcën e krahëve të tre vëllezërve të shoqes së saj. "Ata më ngrinin sa herë rrëzohesha, më shkundnin borën dhe më nisnin sërish tatëpjetë," kujton ajo. Dhe shton: ''Kam mësuar shumë nga sportet, mbi të gjitha durimin. Ditët e para për një njeri me këmbë të prerë janë shumë më keq sesa për të tjerët. Nuk mund të ngrihesh, nuk mund t'i vësh majat e skive së brendshmi për të ngadalësuar shpejtësinë a për të marrë kthesa. Por sapo e ke kaluar këtë pikë, kalon më shpejt në fazën e ndërmjetme.''

Bonnie-t iu deshën tre ditë për të mësuar si të skionte, por më pas, siç thotë, "nuk reshtja së menduari për skitë: ajo ndjesia e shpejtësisë, era në flokët e mi, më bënë të gjithën për vete."

Kjo e bëri Bonnie-n të ndiqte Akademinë e Malit Burke, një shkollë për skiatorë në Vermont. Tarifa e shkollës ishte e lartë, por Bonnie arriti ta paguajë duke bërë punë të ndryshme, si kameriere, ndihmëse në një farmaci etj., si edhe falë ndihmës së Vëllazërisë Kombëtare të Skiatorëve, një organizatë e skiatorëve afroamerikanë. Bonnie St. John arriti të tregojë se tek ajo pasioni për skitë ishte i ndërthurur edhe me talentin dhe në kampionatin kombëtar të njerëzve me aftësi të kufizuara fizike ajo fitoi gjashtë medalje.

Por Bonnie St. John nuk kishte talent vetëm në sport, por edhe në studime. Në vitin 1982 ajo hyri në Universitetin e famshëm të Harvardit. E megjithatë, pasioni për skitë dhe për të konkurruar nuk iu pakësuan. "Mora një vit leje nga universiteti. Në verë jetova edhe në një akullnajë, me qëllim që të vazhdoja të stërvitesha gjithë vitin! Më në fund, pas vite dhimbjesh dhe vendosmërie, ëndrra ime u realizua dhe unë fitova një vend në ekipin paralimpik të skive të ShBA-së që do të merrte pjesë në Lojërat Paralimpike Dimërore të vitit 1984", kujton Bonnie.

Në këtë paralimpiadë në Insbruk të Austrisë, ajo fitoi medaljen e bronzit si në slalom, ashtu edhe në slalomin gjigant, si edhe medaljen e argjendit në dygarësh. Duke folur për garën e slalomit, ajo tha fjalët që më vonë do të bëheshin të famshme: "Unë isha përpara në slalom. Por në provën e dytë, të gjithë ranë në një vend të rrezikshëm. Unë u munda nga një grua që u ngrit më shpejt se unë. Mësova se njerëzit bien, fituesit çohen, dhe fituesit e medaljes të artë çohen më shpejt".

Por ajo duket se kishte shkuar në Insbruk e kënaqur edhe vetëm me pjesëmarrjen: "Kurrë nuk e prisja të fitoja medalje. Në Insbruk ishin mbledhur sportistë nga 22 vende për lojërat paralimpike. Si skiatorja e tretë me këmbë të prerë më e shpejtë në ShBA, unë mezi isha kualifikuar, sepse atë vit ata morën pikërisht vetëm tre skiatore. Isha thjesht e lumtur që isha aty."

E megjithatë, Bonnie nuk mori thjesht medalje, por kishte arritur edhe diçka tjetër."Në ceremoninë përfundimtare të medaljeve më dhanë medaljen e argjendtë për paraqitjen e përgjithshme, duke qenë kështu skiatorja e dytë më e shpejtë në botë në një këmbë. Shumë vite më vonë do të zbuloja se isha, në fakt, afroamerikania e parë që kishte fituar medalje qoftë në një olimpiadë, apo paralimpiadë dimërore, si për meshkuj, ashtu edhe për femra," tregon ajo.

Pas triumfit në Austri, Bonnie St. John do t'i përkushtohej përsëri shkollimit. Ajo u diplomua magna cum laude nga Universiteti i Harvardit në vitin 1986 dhe po atë vit fitoi një bursë "Rhodes" nga Universiteti i Oksfordit.

Pas diplomimit në vitin 1990, Bonnie St. John u kthye në ShBA, ku punoi për 18 muaj për IBM-në. Në vitin 1992, ajo u emërua nga presidenti Bill Klinton si Drejtore për Çështjet e Kapitalit Njerëzor në Këshillin Ekonomik Kombëtar të Shtëpisë së Bardhë. Bonnie St. John e la postin e saj në Shtëpinë e Bardhë në vitin 1994, për të ndjekur një karrierë si autore librash, aktiviste dhe biznesmene. Ajo po ashtu shquhet si mbajtëse fjalimesh frymëzuese e motivuese, një prej të cilave është ai gjatë ceremonisë së hapjes së Paralimpiadës në Salt-Lake-City të ShBA-së në vitit 2002, kurse në vitin 2010, ajo përfaqësoi Shtetet e Bashkuara si anëtare e delegacionit zyrtar të presidentit Barak Obama në Lojërat Paralimpike Dimërore në Vankuver të Kanadasë.

Ndonëse një njeri shumë aktiv e me angazhime të shumta, Bonnie St. John i kalon muajt e dimrit duke stërvitur skiatorët me aftësi të kufizuara, në kuadër të një fondacioni sportiv në Uindhem të Nju-Jorkut, me synimin për të nxjerrë jo thjesht kampionë, por mbi të gjitha njerëz që përpiqen të arrijnë majat e mundësive të tyre. (Artan Goga)

]

Mrekulli
Lajmet Kryesore