Gao Ling-u, mbretëresha e ndeshjeve dyshe të badmintonit

2018-02-23 09:00:26 CRI Komenti juaj Printoni

Më 6 shkurt ka nisur në Malajzi Kampionati Ekipor i Badmintonit i Azisë, që do të mbyllet më 11 shkurt. Kina dhe Indonezia janë mbajtësit në fuqi të titullit kampion në këtë veprimtari përkatësisht për femra dhe meshkuj. Kina është një superfuqi në badmintonin e femrave, duke nxjerrë një varg emrash të shquar. Një ndër to është Gao Ling-u. Ajo vlerësohet si badmintonistja më e suksesshme në ndeshjet dyshe në histori, duke përfshirë edhe fitimin e dy medaljeve të arta olimpike në ndeshjet dyshe të përziera, si edhe katër titujve kampionë, po në ndeshjet dyshe, si për femra, ashtu dhe të përziera, përveç shumë medaljeve të tjera të arta si në Kupën "Uber" e në Kupën e Botës, ashtu edhe në kampionatet e Azisë e në Lojërat Aziatike.

Gao Ling-u ka lindur në Wuhan të provincës kineze Hubei më 14 mars 1979. Ajo filloi të luajë badminton që në moshën tetëvjeçare, duke treguar talent për këtë sport. Në moshën 13-vjeçare Gao u bë pjesëtare e ekipit të provincës Hubei, kurse pesë vjet më pas, në 1997, u përfshi në ekipin kombëtar. Po atë vit ajo fitoi tre medalje të arta në kampionatin aziatik të badmintonit për të rinj, si në ndeshjet dyshe për femra e të përziera, ashtu edhe medaljen ekipore. Në të vërtetë, suksesi ndërkombëtar i Gao Ling-ut kishte nisur që një vit më parë, kur ajo kishte fituar medaljen e artë në kampionatin botëror për të rinj, në ndeshjet dyshe për femra.

Në vitin 1999 Gao fitoi medaljen e bronzit në kampionatin botëror të badmintonit, në ndeshjet dyshe për femra, me Qin Yiyuan-in, gjë që do ta përsëriste edhe një vit më pas, por këtë herë në Lojërat Olimpike të Sidneit. Megjithatë, po në atë Olimpiadë, 21-vjeçarja e atëhershme do të kishte edhe një arritje tjetër edhe më të madhe, që ishte fitorja e medaljes së artë, por në ndeshjet dyshe të përziera. Gao dhe partneri i saj Zhang Jun i befasuan të gjithë kur mundën kundërshtarët e tyre indonezianë, të cilët renditeshin në tre vendet e para të botës, duke fituan medaljen e parë të artë olimpike për Kinën në ndeshjet dyshe të përziera.

Në vitin 2001, çifti Gao-Zhang fitoi përsëri një medalje të artë, këtë herë në Kampionatin Botëror të Badmintonit, ndërsa Gao Ling-u fitoi medaljen e artë edhe në ndeshjet dyshe për femra, duke u shpallur lojtarja më e mirë e vitit nga Federata Botërore e Badmintonit.

Në vitin 2002 u zhvilluan si Lojërat Aziatike, ashtu edhe Kampionati Aziatik i Badmintonit, veprimtari në të cilat Gao Ling-u fitoi tre medalje, dy të arta dhe një të argjendtë, gjithmonë në ndeshjet dyshe. Një vit më pas, në kampionatin botëror, ajo fitoi medaljen e artë në ndeshjet dyshe për femra dhe të argjendit në ndeshjet dyshe të përziera.

Në Lojërat Olimpike të Athinës të vitit 2004, Gao Ling-u dhe Zhang Jun-i arritën të mbrojnë titullin në ndeshjet dyshe të përziera. Gao Ling-u fitoi gjithashtu medaljen e argjendtë në ndeshjet dyshe për femra, me partneren e saj Huang Sui. Gao Ling-u u bë kështu badmintonistja me numrin më të madh të medaljeve olimpike të fituara, gjithsej katër të tilla.

Gao Ling (djathtas) dhe Zhang Jun në Lojërat Olimpike të Athinës, 2004

Gao Ling-u mbeti emri kryesor në ndeshjet dyshe të përziera, edhe pasi Zheng Bo zëvendësoi Zhang Jun-in si partneri i saj në vitin 2006. Ajo vazhdoi lojën e saj të përsosur, teksa dyshja e re fitoi medaljen e arit në Lojërat Aziatike të atij viti në Dohë, pasi ishin stërvitur vetëm tre javë së bashku. Në këtë veprimtari Gao Ling-u fitoi edhe dy medalje të tjera të arta, në ndeshjet dyshe për femra dhe atë ekipore. Më parë, po në vitin 2006, Gao Ling-u kishte fituar dy medalje të tjera të arta në ndeshjet dyshe për femra, në kampionatin botëror dhe në Kupën e Botës.

Në vitin 2007 Gao Ling-u fitoi dy medalje argjendi në kampionatin borëror.

Për shkak edhe të moshës atëherë 29-vjeçare, Gao Ling-u nuk arriti të fitonte dot medalje kur Lojërat Olimpike u zhvilluan në atdheun e saj në vitin 2008, pas të cilave ajo e la sportin. Ky mbetet edhe pengu më i madh i karrierës së saj. E megjithatë, ajo e ngriti badmintonin kinez dhe atë botëror të femrave në një nivel më të lartë, duke u bërë ndër emrat më të mëdhenj në historinë e këtij sporti. Gao Ling-u e arriti suksesin e saj duke u mbështetur te mundi dhe talenti. Trajneri i Gao-s është shprehur se ajo jo vetëm zotëronte teknika të veçanta, por edhe stërvitej shumë.

Gao Ling-u e fitoi zemrën e publikut jo vetëm me talentin e mjeshtërinë, por edhe me buzëqeshjen e saj. Optimizmi e ndihmoi atë të kapërcente vështirësitë e stërvitjes dhe dhimbjet e dëmtimeve, duke u bërë një bashkëshoqërues i suksesit të saj të madh në sport. (Artan Goga)

Gao Ling, e dyta nga e djathta

Mrekulli
Lajmet Kryesore