2018-02-11 09:05:58 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Më 9 shkurt kanë nisur në Pyeongchang të Koresë së Jugut Lojërat e 23-ta Olimpike Dimërore. Në këtë olimpiadë Shqipëria përfaqësohet me dy sportistë, që të dy skiatorë, kurse Kosova me një sportist, edhe ai skiator. Ndërkohë, një prej emrave më të mëdhenj në sportin e skive është Alberto Tomba, i cili e mbizotëroi këtë sport në vitet '80-'90 të shekullit të kaluar, duke fituar tre medalje të arta olimpike e dy të argjendta, duke u bërë i pari skiator që mbronte titullin në dy olimpiada rresht dhe që ka marrë medalje në tre olimpiada. Ai është gjithashtu i vetmi skiator që ka fituar të paktën një garë të Kupës së Botës në 11 sezone të njëpasnjëshme.
Tomba e revolucionarizoi stilin e garimit në slalom, i cili u ndoq nga shumë kampionë të tjerë më pas. Me daljen e tij në skenë, shumë veta e kuptuan se sporti i skive nuk do të ishte më ai që kishte qenë. Media dhe adhuruesit e kanë pagëzuar atë si "Bomba", kurse ai e ka quajtur veten "Mesia i ri" i skive.
Alberto Tomba ka lindur në dhjetor 1966 në San Lazzaro di Savena, pranë qytetit italian të Bolonjës. I ati, një biznesmen prodhimi tekstilesh, ishte bërë i apasionuar pas skive kur studionte në Zvicër dhe këtë pasion ua përcolli të dy djemve të tij, Markos dhe Albertos, duke i çuar ata shpesh në një pistë të vogël skish, që kur Alberto ishte tre vjeç. Tomba thotë se kjo dashuri e babait të tij për skitë do të ishte diçka shumë e rëndësishme për nisjen e rrugës së tij në këtë sport që në moshën 7-vjeçare. Siç ishte edhe mbështetja nga familja në përgjithësi për të vazhduar në këtë rrugë: "Unë besoj shumë se përkrahja e prindërve është vendimtare për zhvillimin e një sportisti të ri," është shprehur ai.
Dhe kështu, ndonëse kur ishte fëmijë ai pëlqente tenisin, e sigurisht si të gjithë bashkëmoshatarët e tij edhe futbollin, Tomba zgjodhi skitë. Kjo edhe përkundër karakteristikave fizike të tij, që dukej sikur e pengonin.
Në fillim të viteve '80 të shekullit të kaluar, mendohej se skiatorët duhet të kenë një peshë të lehtë e trup të zhdërvjellët. Kurse Albertoja ishte 1.82 i gjatë dhe peshonte 90 kg. Megjithatë, teknika e slalomit po ndryshonte dhe pesha nisi të bëhej një epërsi e jo pengesë, mjaftonte që skiatori të dinte si të ishte në kontroll të shpejtësisë shtesë.
Alberto Tomba mund të thuhet se e arriti suksesin e vet ndërkombëtar në vitin 1984, duke dalë i katërti në Kampionatin Botëror të të Rinjve. Pastaj fitorja në një slalom në stadiumin "San Siro" të Milanos ishte nxitja që i duhej për të arritur majat. "Unë gjithmonë garoja për të fituar. Vetëm duhej të arrija pjekurinë fizike për të realizuar të gjithë potencialin tim. Në 'San Siro' mposhta skiatorët që fitonin prej vitesh dhe në atë çast e kuptova se fitorja nuk ishte thjesht një fantazi," është shprehur Tomba.
Në vitin 1985, Tomba fitoi tre gara në kuadër të Kupës Europiane, dhe më pas pati pjesëmarrjen e parë në Kupën e Botës.
Në janar 1986, në Kupën e Botës në Åre të Suedisë, Tomba i befasoi të gjithë, kur përfundoi në vendin e gjashtë, pasi e kishte nisur garën nga vendi i 62-të.
Në sezonin 1986/87 italiani do të ngjitej për herë të parë në podiumin e Kupës së Botës, duke dalë i treti në slalomin gjigant në pistën e vështirë të Alta Badias. Kjo e kualifikoi atë për Kampionatin Botëror në Crans-Montana, ku arriti të njëjtin rezultat. Medalja e bronzit e Tombës ishte e vetmja e fituar nga skuadra italiane në atë kampionat. Por diçka tjetër ra në sy. Media e fotografoi Tombën duke larë makinat e shokëve të tij të ekipit. "Një gjë e tillë më mbante në lidhje me jetën reale, duke më ndihmuar t'i vija skitë në perspektivë," u shpreh më vonë ai.
Legjenda e Alberto "Bombës" do të fillonte të lindte në Kupën e Botës 1987/88, kur fillimisht ai fitoi në atdheun e vet, në pistën e Setrieres, slalomin, e pastaj slalomin gjigant, duke mundur idhullin e tij, Ingemar Stenmark, me vetëm 0.09 sekonda.
Më pas Tomba fitoi slalomin gjigant në Alta Badia, e pasuar nga një fitore me plot 1.34 sekonda në slalomin e Madonna di Campiglio, ku ai, duke kaluar vijën e mbërritjes i pari për të katërtën herë radhas, thërriti: "Jam Mesia i ri i skive". -s
Viti 1988 ishte një vit Olimpiade Dimërore, që do të zhvillohej në Kalgari të Kanadasë. Në prag të zhvillimit të saj skiatori i ri italian arriti plot shtatë fitore. "Isha i sigurt për formën time fizike dhe plot entuziazëm dhe gëzim, si një fëmijë para fishekzjarreve," është shprehur ai. "Përfytyroni, ishte hera e parë që merrja pjesë në Olimpiadë. Ishte ëndrra ime e fëmijërisë për të konkurruar me idhujt e mi. Doja të bëja çmos që ta shijoja këtë çast."
Dhe kjo siguri doli se e mbështetur. Tomba "Bomba" siç kishte filluar të njihej tashmë, fitoi medaljen e artë në slalomin gjigant, me më shumë se 1 sekondë më shpejt se vendi i dytë. Pasi mori medaljen, 21-vjeçari i kërkoi të atit milioner drejtpërdrejt në TV, që të mbante premtimin që i kishte dhënë, se do t'i blinte një "Ferrari" të kuq të ri si shpërblim nëse fitonte. Dhe babai i Tombës do ta mbante premtimin.
Më pas i erdha slalomit. Edhe këtu Alberto fitoi, ndonëse me vetëm 0.63 sekonda diferencë. Megjithatë, edhe në këtë rast ka një histori interesante, që tregon vetëbesimin e tij. Pas proves së parë, Tomba e mori në telefon të motrën. "Sa televizorë kemi në shtëpi?" e pyeti. "Nuk e kam idenë," ia ktheu ajo, "po përse pyet? A nuk duhej të ishe duke u bërë gati për provën e dytë?" "Jam gati," i tha Alberto. "Ndizi të gjithë televizorët, që të më shohë e gjithë familja kur të fitoj".
Kthimi në atdhe ishte një triumf i vërtetë. "Italia më priti si hero. Nuk ishte e lehtë të përballesha me trysninë dhe të mbetesha një njeri i zakonshëm, por isha gjithashtu i njëjti njeri që lante makinat e kolegëve dhe hante makaronat e mamasë. Kjo më ndihmoi të isha i përqendruar në atë që më pëlqente më shumë - sportin, skitë dhe garimin," ka thënë Tomba.
Një vit më pas Tomba arriti vetëm një fitore në Kupën e Botës, ndërsa në sezonin e mëpasshëm u dëmtua dhe qëndroi për disa kohë larg pistës. Megjithatë, në vitin 1991, ai u rikthye përsëri, duke fituar slalomin gjigand në Kupën e Botës, për të mbërritur te një tjetër vit kulm në karrierën e tij, atë 1992. Ishte viti kur organizohej përsëri Olimpiada, këtë herë në Albertville të Francës. Admiruesit e Alberto Tombës thoshin se Olimpiada duhej quajtur Albertoville për nder të tij.
Dhe ai nuk i zhgënjeu përsëri, duke fituar medaljen e artë në slalomin gjigant e duke u bërë kështu i pari skiator që e fitonte dy herë radhas medaljen e artë në këtë disiplinë. Alberto fitoi gjithashtu edhe medaljen e argjendtë në slalom.
Pas një sezoni jo mbresëlënës në 1993, do të vinte një vit tjetër olimpik. Në 1986 Komiteti Olimpik Ndërkombëtar kishte vendosur t'i organizonte ndarazi Lojërat Olimpike Verore nga ato Dimërore, dhe ky ndryshim hyri në fuqi në 1994, me organizimin e Lojërave Olimpike Dimërore në Lillehammer të Norvegjisë, ndërsa ato Verore do të zhvilloheshin dy vjet më pas në Atlantë të ShBA-së. Katër fitore në Kupën e Botës para Olimpiadës e kishin bërë Tombën përsëri kandidat kryesor për medalje në Lillehammer, por për shkak të një gabimi arriti të dalë vetëm në vend të dytë në slalom, duke marrë medaljen e argjendtë. "Bomba" arriti kështu një tjetër të parë: i pari skiator që fitonte medalje në tre Olimpiada.
Në sezonin që pasoi, Tomba ishte pothuajse i pamposhtshëm, duke fituar Titullin e Përgjithshëm të Kupës së Botës me një diferencë të madhe nga kundërshtarët.
"Tombamania" kishte shpërthyer plotësisht. Ai ishte sportisti më i shquar në Itali, një vend ku futbolli është mbreti i sporteve dhe që ka nxjerrë shumë futbollistë të shquar, por edhe emra të mëdhenj nga sportet e tjera. Mijëra adhurues e ndiqnin "Bombën" në çdo garë të Kupës së Botës.
Në vitin 1996, në Kampionatin Botëror në Spanjë, Tomba arriti fitore të dyfishtë, si në slalomin gjigant, ashtu edhe në slalom. Pas fitores së këtij të fundit, një tifoz u fut në pistë dhe e mori Tombën në supe.
Pasi bëri disa muaj pushim, Tomba vendosi që sezoni 1997/98 të ishte i fundit për të. Tri javë pasi nuk arriti të marrë medalje në Olimpiadën e Naganos, në moshën 31-vjeçare, Tomba do ta mbyllte karrierën në Crans-Montana, ku fitoi medaljen e parë në një Kampionat Botëror 11 vjet më parë. Dhe do ta mbyllte ashtu siç ishte mësuar shpesh gjatë kësaj karriere: duke dalë i pari. Pasi kaloi vijën e mbërritjes ai flaku dorezat, shkopinjtë dhe syzet drejt turmës, duke dhënë mesazhin e qartë se nuk do të kishte rikthim.
Ishte fundi i një karriere ku ai kishte fituar gjithçka.
Më pas Alberto Tomba do të shfaqte njëfarë pengu që e kishte lënë karrierën më shpejt seç duhej, por ka thënë se nuk do të ndryshonte asgjë nga ajo karrierë: "Çdo përvojë, qoftë e mirë apo e keqe, është një mësim dhe të bën të jesh ai që je. Nëse jeta është një shtëpi, atëherë çdo tullë është e rëndësishme."
Tomba i është përkushtuar promovimit të vlerave të sportit, duke ndihmuar në organizimin e garave të skive për të rinj. Ai ka qenë ambasador për Komitetin Olimpik dhe është anëtar themelues i Akademisë "Laureus", një organizatë që synon të përdorë sportin për të sjellë përmirësime në shoqëri.
Alberto "Bomba" është ende një ikonë sporti në Itali, dhe pa dyshim mbetet skiatori italian më i madh i të gjitha kohërave.
Megjithatë, një figurë kaq e jashtëzakonshme i gjen kënaqësitë e jetës në gjërat e thjeshta. "Më pëlqen të kaloj kohë me familjen dhe miqtë e mi, të udhëtoj, të vrapoj dhe sigurisht të bëj ski. Përpiqem t'i ndihmoj njerëzit dhe t'ia kaloj pasionin tim për sportin brezit të ri. Shikoj gjithashtu garat e mia të vjetra dhe shijoj kujtimet," është shprehur legjenda 51-vjeçare.