Lövgren, njeriu dhe lojtari i madh i hendbollit

2018-01-18 18:57:29 CRI Komenti juaj Printoni

Në Kroaci po zhvillohet Kampionati i 13-të Europian i Hendbollit për Meshkuj. 16 ekipe janë vënë përballë njëri-tjetrit për fitoren e këtij trofeu, një prej të cilave është edhe Suedia. Suedezët kanë numrin më të madh të triumfeve në këtë veprimtari, plot katër të tilla, nga të cilat tre rresht. Stefan Lövgren-i ka qenë pjesë e ekipit suedez në të katër këto fitore, ashtu si edhe në fitoren e një titulli kampion bote e të dy medaljeve të argjendta olimpike nga Suedia. Me personalitetin e tij të spikatur në fushën e lojës, aftësitë teknike dhe vizionin e veçantë të lojës, ai vlerësohet si një prej emrave më të mëdhenj në historinë e hendbollit.

 

Ndonëse ka dëshmi se një formë e hendbollit është luajtur që në Romën e lashtë, versioni modern i këtij sporti e ka zanafillën në vendet e Europës Veriore, duke përfshirë edhe Suedinë. Duket se është kjo lidhje e sportit të hendbollit me vendin e tij një ndër arsyet pse 48-vjeçari Stefan Lövgren zgjodhi të merrej me hendboll dhe jo me futboll apo me ndonjë sport tjetër kur ishte fëmijë. Vite më vonë, Nikola Karabatiçi, një tjetër hendbollist me famë, do ta quante diçka fatlume për sportin e hendbollit këtë zgjedhje të suedezit.

Stefan Lövgren-i e nisi karrierën profesioniste në moshën 20-vjeçare me ekipin e qytetit të tij të lindjes Goteborg, "Redbergslids". "Redbergslids" është ekipi më i suksesshëm i hendbollit suedez, me 20 kampionate të fituara, pesë nga të cilat në kohën që Stefan Lövgren-i ishte pjesëtar i tij.

Në vitin 1998 Lövgren-i u largua nga Suedia për në Gjermani, ku luajti për një sezon për "Niederwürzbach"-un, për të shkuar më pas te "Kiel"-i, edhe ky ekipi më i suksesshëm në kampionatin gjerman të hendbollit. Gjatë 11 sezoneve që Lövgren-i do të luante për "Kiel"-in, ky ekip do të fitonte shtatë herë kampionatin dhe katër herë kupën e Gjermanisë, si edhe tre herë superkupën. Me "zebrat", siç njihen lojtarët e "Kiel"-it, suedezi do të fitonte edhe Ligën e Kampioneve të Europës në vitin 2007 dhe dy Kupa të Europës, pikërisht në 2002 dhe 2004.

Por edhe më të spikatura do të ishin sukseset e Lövgren-it me ekipin kombëtar, pjesëtar i të cilit ai u bë në vitin 1993. Një vit më pas Suedia fitoi kampionatin e parë europian të hendbollit, duke mposhtur në finale Rusinë 34-21, që vazhdon të mbetet humbja më e thellë e ekipit rus të hendbollit për meshkuj. Suedia do ta fitonte edhe tre herë të tjera rresht këtë veprimtari, përkatësisht në vitet 1998, 2000 dhe 2002, dhe në të treja këto fitore Lövgren-i do të kishte rolin e vet të madh.

Mbresëlënëse do të ishte paraqitja e Suedisë edhe në kampionatet botërore të hendbollit. Gjatë kohës kur Lövgren-i ishte pjesëtar i kombëtares suedeze, ajo u shpall një herë kampione bote, si edhe dy herë nënkampione. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për rezultatet e ekipit kombëtar të Suedisë të hendbollit për meshkuj edhe në olimpiada. Me ekipin suedez Stefan Lövgren-i fitoi dy medalje të argjendta, në Olimpiadën e Atlantës të vitit 1996, në të cilën shënoi 17 gola në 7 ndeshje, dhe në atë të mëpasme të vitit 2000 në Sidnei, ku shtatlarti 1.92 metra luajti në të tetë ndeshjet, duke shënuar një rekord prej 51 golash. Gjithsej për Suedinë Stefan Lövgren-i luajti në 268 ndeshje, duke shënuar 1138 gola. Ai është shpallur tre herë si lojtari më i mirë suedez i vitit, në 1996, 2001 dhe 2003.

Stefan Lövgren-i e la sportin në vitin 2009, në një ceremoni lamtumire të organizuar për të në "Sparkassen Arena" të Kielit, qytetit gjerman për ekipin e të cilit suedezi kishte luajtur për 11 vjet, duke qenë edhe kapiten. 10 000 veta ishin mbledhur për të nderuar fundin e një karriere mbresëlënëse, duke përfshirë edhe emrat më të njohur të hendbollit. Një prej tyre ishte edhe hendbollisti rus Alexander Tuchkin, i cili kishte luajtur përballë Stefan Lövgren-it, ndër të tjera, edhe në finalen e Olimpiadës së Sidneit, të fituar nga Rusia. Duke folur për Lövgren-in, Alexander Tuchkin-i u shpreh: "Jam i lumtur që mora ftesën për të marrë pjesë në këtë ceremoni. Ai ishte një lojtar i madh dhe një njeri i madh. Fakti që 10 000 veta erdhën për ndeshjen e lamtumirës thekson rëndësinë e tij për hendbollin".

Kurse një tjetër hendbollist i shquar siç u përmend edhe më parë, Nikola Karabatiç, lojtar i kombëtares franceze, e ka cilësuar Lövgren-in si një model qoftë si njeri, ashtu edhe si kapiten e lojtar. "Nuk ka tjetër më të mirë se Stefan Lövgren-i në hendboll," është shprehur Karabatiçi. (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore