2018-01-12 10:54:23 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Nga 12-14 janar zhvillohet në Selangor të Malajzisë Kupa e Eurazisë 2018 në golf. Ky është edicioni i 3-të i kësaj veprimtarie, që zhvillohet një herë në dy vjet. Siç e thotë edhe emri, përballë njëra-tjetrës janë dy skuadra përfaqësuese, një nga Europa dhe një nga Azia. Në ekipin e Azisë, për të dytën herë me radhë, bën pjesë edhe një golfist kinez, që tregon përhapjen dhe zhvillimin që po merr ky sport në vendin më të populluar në botë. Dëshmi tjetër për këtë është Feng Shanshan-i, fituesja e së parës medalje olimpike për Kinën, pikërisht medaljes së bronztë në Olimpiadën e Rios 2016, dhe që tani zë vendin e parë në renditjen botërore të golfisteve femra. Megjithatë, fituesi i numrit më të madh të trofeve në historinë e golfit kinez është Zhang Lianwei. Ai është i pari nga pjesa kontinentale e Kinës që ka arritur sukses ndërkombëtar në arenën e golfit profesionist. Zhang është i pari golfist kinez që ka fituar në një turne të rëndësishëm profesionist, pikërisht Turneun e Mjeshtërve të Singaporit 2003. Kjo fitore bëri që një vit më pas të ftohej në Turneun e Mjeshtërve të ShBA-së, duke u bërë i pari nga Kina që konkurronte në fushën legjendare të golfit në Augusta. Suksesi i Zhang Lianwei-t ka sjellë popullarizimin e golfit në Kinë. Ai tashmë ka hapur fushën e vet të golfit dhe po inkurajon hapjen e një numri më të madh fushash të tilla, për të tërhequr sa më shumë të rinj e të reja kineze të merren me golf.
Zhang Lianwei ka lindur në Zhuhai të provincës Guangdong të Kinës në vitin 1965. Kur ai ishte 19 vjeç, në pjesën kontinentale të Kinës u ndërtua fusha e parë e golfit, ndonëse në të vërtetë, lidhja e Kinës me këtë sport mund të thuhet se është shumë më e vjetër. Chuiwan-i, një lloj sporti me shkop dhe me top, që mund të quhet pararendësi i golfit, është luajtur në Kinë që rreth 1000 vjet më parë.
Në të vërtetë, lidhja e Zhang Lianwei-t me golfin mund të thuhet se ishte e rastësishme. Por jo me sportin në përgjithësi. Për shkak të fizikut të zhvilluar për moshën, Zhang-u ndoqi shkollën sportive të Zhuhait, ku u mor kryesisht me hedhjen e shtizës, por edhe me basketboll. Në këtë të fundit ai nuk shkëlqeu, por mban ende rekordin e shkollës në hedhjen e shtizës. E megjithatë, kur në vitin 1985 në Zhuhai u ndërtua fusha e parë e golfit, ndërsa edhe boulingu kishte nisur të merrte përhapje, drejtuesit e shkollës sportive i kërkuan Zhang Lianwei-t të zgjidhte ndërmjet këtyre të dy sporteve. Zhang Lianwei zgjodhi golfin, vetëm sepse topi i golfit i dukej shumë më "elegant" se topi i boulingut. Më pas ai filloi të punonte për një rrogë shumë të vogël si ndihmës i lojtarëve të golfit. Por Zhang Lianwei, më shumë se të mbante shkopinjtë e golfit për të tjerët, donte që të luante vetë. Pa kaluar shumë ai e realizoi një gjë të tillë. Ai fitoi tre herë Kampionatin e Amatorëve të Golfit të Kinës, në 1989, 1991 dhe 1994, përpara se po në vitin 1994 të bëhej lojtar profesionist. Një vit më pas Zhang Lianwei mori pjesë në kupën e parë të botës të golfit që luhej në Kinë. Zhang Lianwei fitoi më pas një numër turnesh të zhvilluara në Kinë e disa vende të tjera të Azisë. Që nga viti 1997 ai mori pjesë në Turin Aziatik të golfit, duke fituar pesë herë në të, por edhe në Turin e Japonisë, që zhvillohet ndaras nga Turi Aziatik. Në vitin 2000 Zhang Lianwei i kaloi kufijtë e Azisë, kur fitoi Turneun e Hapur të Kanadasë.
Por suksesin më të madh ndërkombëtar Zhang Lianwei do ta arrinte në Turneun e Mjeshtërve të Singaporit në vitin 2003. Turneu i Mjeshtërve i Singaporit është pjesë si e Turit Aziatik, ashtu edhe e Turit Europian të golfit. Zhang Lianwei mposhti në finale numrin dy të atëhershëm në botë, Ernie Els, duke u bërë në këtë mënyrë lojtari i parë i golfit nga Kina që fitonte në një turne të rëndësishëm dhe në një turne të Turit Europian. Një vit më pas do të ishte një tjetër "herë e parë" për golfin kinez, kur Zhang Lianwei u ftua të merrte pjesë në një tjetër turne prestigjioz, pikërisht Turneun e Mjeshtërve të ShBA-së, që zhvillohet në fushën legjendare të golfit Augusta në Xhorxhia. Më pas ai fitoi dy turne të Turit "Omega" të Kinës, në vitet 2006 e 2007, si edhe Kampionatin PGA të Turit të Kinës, në vitin 2010.
Zhang Lianwei i është përkushtuar tani përhapjes së sportit të golfit në Kinë. Për këtë qëllim ai ka krijuar edhe fushën e tij të golfit, ku stërviten të rinj dhe të reja, mjaft nga të cilët Zhang Lianwei shpreson dhe beson se do të jenë kampionët e kampionet e reja që Kina do t'i japë sportit që është jo vetëm profesioni, por edhe pasioni i tij. (Artan Goga)