2018-01-05 15:46:51 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Nancy Lopez është një prej emrave më të mëdhenj të sportit të golfit për femra. Bija e një mekaniku me origjinë meksikane, në fund të viteve '70 ajo i dha gjallëri golfit të femrave që kalonte një periudhë krize identiteti, duke e bërë një prej sporteve më të ndjekura e më tërheqëse. Me 48 fitore në Turet e Shoqatës së Golfit Profesionist të Femrave dhe tre tituj "Lojtarja më e mirë e vitit", ajo është përfshirë tashmë në Sallën e Famës të golfit.
Nancy Lopez ka lindur më 6 janar 1957 në Torrance të Kalifornisë në Shtetet e Bashkuara, në një familje me origjinë meksikane. Kur Nancy Lopez ishte tetë vjeçe, babai i saj, i cili ishte me profesion mekanik dhe kishte një dyqan pjesësh këmbimi për makina, i dha së bijës pajimet e para të golfit dhe në njëfarë mënyre u bë trajneri i saj i parë. Në moshën nëntëvjeçare ajo fitoi Kampionatin e Golfit të Shtetit të Kalifornisë për grup-moshën e saj, kurse në moshën dymbëdhjetëvjeçare Turneun Amator të Golfit të Femrave të Nju-Meksikos. Në vitin 1972 dhe 1974 Nancy Lopez fitoi kampionatin kombëtar të golfit për të reja në ShBA.
Për shkak se në shkollën e mesme ku studionte nuk kishte ekip golfi vajzash, Lopez u fut në ekipin e djemve, i cili fitoi dy tituj shtetërorë në kohën që ajo ishte pjesë e tij. Në vitin 1974 Nancy Lopez mori një bursë studimi nga Universiteti i Tulsas në Oklahoma dhe verën e ardhshme luajti në Turneun e Hapur të ShBA-së të golfit për femra si amatore, duke zënë vendin e dytë. Në vitin 1976 Nancy Lopez fitoi kampionatin kombëtar ndëruniversitar të golfit për femra.
Një vit më pas 20-vjeçarja e atëhershme e la universitetin dhe filloi konkurrimin në Turin e Shoqatës së Golfit Profesionist të Femrave (LPGA). Ajo mori pjesë në gjashtë turnetë e fundit atë vit, duke dalë e dyta në tre prej tyre. Një vit më pas, që do të ishte viti i parë kur luante me kohë të plotë, Nancy fitoi nëntë turne, pesë nga të cilët radhas, duke përfshirë edhe Kampionatin. Atë vit ajo u shpall njëkohësisht "Lojtarja e re më e mirë" dhe "Lojtarja më e mirë" e LPGA-së. Nancy Lopez mbetet e vetmja golfiste femër që ka fituar titullin "Lojtarja më e mirë" që në vitin e parë.
Nancy Lopez kishte bërë për Turin e LPGA-së atë që do të bënte Tiger Wood 20 vjet më vonë. Ajo e kishte kthyer vëmendjen e njerëzve nga golfi. E jo vetëm të njerëzve, por edhe të mediave. NBC-ja ndërpreu transmetimin e një ndeshjeje bejsbolli për të mbuluar fitoren e turneut të pestë rresht të saj. Kurse në korrik, ajo do të shfaqej në kopertinën e revistës "Sport Illustrated", ku me shkronja të kuqe në një sfond të verdhë shkruhej "The Name of the Game" (Emri i lojës). Për një sportiste femër, kjo ishte "toka e premtuar". "Nuk e kuptova në fillim, sepse isha disi e re," është shprehur Lopez. "Por të gjithë më thoshin: 'Kjo është diçka e madhe. Jo çdo femër, le më pastaj sportiste, mund të dalë në kopertinë.' Ishte me të vërtetë një kohë e veçantë."
Dhe vërtet, falë Nancy Lopez-it, ato ishin kohë magjike për golfin e femrave.
Në vitin 1979 Nancy Lopez triumfoi në tetë turne. Atë vit ajo ishte vetëm 21 vjeçe. Askush nuk ishte bërë që në atë moshë një legjendë në golfin për femra. "Kurrë në jetën time nuk kam parë një kontroll të tillë nga dikush që është aq e re," është shprehur Mickey Wright, fituese e 13 turneve kryesore të golfit. Judy Rankin, një tjetër golfiste e njohur, tha: "Ata kanë zgjedhur njeriun e gabuar për të luajtur 'Gruan Mrekulli'". Kurse vetë Nancy Lopez ka rrëfyer: "Pas vitit të parë, mendova se mund të isha thjesht një flakë kashte. Por doja të provoja se nuk isha. Isha e vendosur të bija me këmbë në tokë, megjithëse ishte e lehtë të 'vetëvriteshe' duke u munduar të fitoje."
Pas martesës me yllin e bejsbollit Ray Knight dhe bërjes nënë, Nancy nisi të përpiqej për të gjetur një ekuilibër mes karrierës së saj dhe familjes. Megjithatë, në moshën 30-vjeçare, Nancy Lopez kishte fituar numrin e mjaftueshëm të turneve (35) për t'u bërë pjesë e Sallës së Famës së LPGA-së. Në atë kohë Lopez ishte shpallur tre herë "Lojtarja më e mirë e vitit" dhe tre herë fituese e Trofeut "Vare", që i jepet golfistes me numrin më të vogël mesatar të goditjeve për raund gjatë sezonit. Mesatarja e saj e goditjeve në vitin 1985 ishte 70.73, duke vendosur rekord.
"Ndihem shumë mirë tani që jam në Sallën e Famës, pas asaj që kam arritur dhe duke qenë bashkë me lojtaret më të mëdha të golfit. Ndihem mirë që mund të them se jam një prej tyre," ka theksuar Lopez.
Ajo e fitoi turneun e vet të 48-të në vitin 1997, në moshën 40-vjeçare. Po atë vit ajo doli e dyta për të katërtën herë në Turneun e Hapur të ShBA-së.
Në vitin 2002, në moshën 45-vjeçare, tashmë në një moshë relativisht të madhe, me shumë dëmtime dhe me angazhime familjare, Lopez njoftoi se karrierës së saj 25-vjeçare si lojtare me kohë të plotë do t'i vinte fundi. "Nuk po largohem nga golfi," tha ajo. "Jam në fillim të një kapitulli krejt të ri në karrierën time të golfit."
Nancy Lopez ka krijuar tashmë kompaninë e vet të prodhimit të pajisjeve për golfin, si edhe komenton herë pas here ndeshjet e golfit në televizion. Ajo po ashtu organizon një turne golfi, të ardhurat e të cilit shkojnë për "Adventurat në Lëvizje" (AIM), një organizatë në ndihmë të njerëzve me nevoja të veçanta.