2020-02-28 17:32:19 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Wuhan-i, një metropol me 11 milion banorë në provincën Hubei të Kinës Qendrore.
Këtë dimër, ky qytet po zhvillon një betejë të jashtëzakonshme mbrojtëse. Armiku është koronavirusi i ri.
Deri më 23 janar, kishte 495 raste të konfirmuara në Wuhan. Për të minimizuar përhapjen e virusit, qyteti, me një popullsi 1.3 herë më të madhe se ajo e Nju-Jorkut, u mbyll.
Kina pastaj filloi një mision shpëtimi në shkallë të gjerë.
Më 24 janar, arriti grupi i parë i ekipeve mjekësore nga jashtë provincës Hubei. Ndërkohë, kompanitë kineze u urdhëruan të ndërtojnë një spital me 1000 shtretër brenda 10 ditësh, i pasuar shpejt nga një spital i dytë.
Më 25 janar, Kina zhvilloi një takim të nivelit të lartë për shpërthimin dhe shprehu besimin në fitoren e betejës.
Fatkeqësisht, sëmundja vazhdoi të përhapet. Deri më 2 shkurt, numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara në Wuhan i kaloi 5 000. Të nesërmen filloi ndërtimi i tre spitaleve të përkohshme.
Që nga 7 shkurti, qeveria kineze u ka bërë thirrje 19 provincave, bashkive e rajoneve të tjera për të dërguar mjekë në qytetet e provincës Hubei.
Vetëm më 9 shkurt, 6 000 punonjës mjekësorë zbarkuan në aeroportin e Wuhan-it.
Më 11 shkurt, numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara në qytet arriti në 20 000.
Dy ditë më vonë, Forcat Ajrore Kineze dërguan aeroplanë me 1 400 mjekë të tjerë nga ushtria.
Mbi 1 500 punonjës mjekësorë janë infektuar, dhe disa dhanë jetën për të shpëtuar të tjerët.
Për të mbushur mungesën e kostumeve mbrojtëse, maskave dhe pajisjeve të tjera mjekësore, u mobilizuan prodhuesit kinezë nga industri të ndryshme.
Kapaciteti ditor i prodhimit të maskave u ngrit nga 8 milionë në mbi 50 milion. Një pjesë e madhe e furnizimeve materiale u drejtuan për në Wuhan.
Deri më 23 shkurt, Kina kishte dërguar mbi 330 ekipe mjekësore me 41 600 mjekë në provincën Hubei e goditur nga virusi.
Wuhan-i deri më tani ka ndërtuar dy spitale të sëmundjeve infektive, ka rritur numrin e spitaleve të përcaktuara për epideminë në mbi 40 dhe ka vënë në përdorim 13 spitale të përkohshme, duke e çuar numrin e përgjithshëm të shtretërve në dispozicion në mbi 40 000, ndërsa ka përgatitur 70 000 shtretër të tjerë në vendet e karantinës. Askush nuk ka mbetur pa mbikëqyrje.
Për fat të mirë, rastet e reja të konfirmuara në Wuhan më në fund kanë filluar të bien. Agimi i fitores është shfaqur.
Drejtori i Përgjithshëm i OBSh-së, dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha: "Përpjekjet e Kinës i kanë dhënë botës kohë, edhe pse ato kanë pasur kosto të lartë për vetë Kinën."
Kjo është një luftë e veçantë midis njerëzve dhe një virusi të ri. Mbrojtja e Wuhan-it është mbrojtje e Kinës dhe e tërë botës. "Asnjë fitore nuk duhet shpallur me nxitim, derisa të ketë një fitore të plotë."