2020-06-29 14:49:28 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Sipas të dhënave të publikuara të shtunën e kaluar nga Ministria e Kulturës dhe e Turizmit e Kinës, gjatë pushimeve 3-ditore me rastin e Festës së Varkës së Dragoit që sapo u mbyll, në mbarë vendin u pritën afro 49 milionë turistë, ndërsa të ardhurat nga turizmi arritën 12 miliardë e 280 milionë juanë, përkatësisht 50.9 % dhe 31.2% të shifrave gjatë së njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Kjo është një pasqyrë e përshpejtimit të ritmeve të mëkëmbjes ekonomike të Kinës. Pavarësisht nga presioni relativisht i madh i uljes, situata e ekonomisë kineze po përmirësohet gradualisht dhe tregu kinez i konsumit ka potencial të madh.
Edhe një sërë treguesish të ekonomisë kineze janë në rimbëkëmbje e sipër. Në pesë muajt e parë të këtij viti, vlera e shitjes me pakicë të mallrave nëpërmjet internetit pati rritje me 11.5 %. Në maj, ndërmarrjet industriale në përmasa të mëdha realizuan një vëllim të përgjithshëm fitimesh prej 582 miliardë juanësh, 6% më shumë në krahasim me majin e kaluar, duke kthyer prirjen e uljes që vazhdoi deri në prill.
Njëkohësisht, u dukën ndryshime pozitive edhe në treguesit që pasqyrojnë funksionimin e ekonomisë. Në maj, treguesi i transportit të mallrave u shtua 0.8%, rritja e parë këtë vit, ndërsa treguesi i çmimit i menaxherëve të blerjeve (PMI) ishte 50.6%, duke shënuar zgjerim për të tretin muaj me radhë.
Këta tregues ekonomikë paraqesin elasticitetin, potencialin dhe perspektivën e gjerë të ekonomisë kineze dhe kanë shtuar besimin e tregut global. Sipas parashikimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, sivjet ekonomia globale do të tkurret 4.9 %, ndërsa Kina do të jetë e vetmja ekonomi kryesore që do të ruajë rritjen. Në këtë rrethanë, shtimi i biznesit me Kinën do të jetë një domosdoshmëri për kompanitë e vendeve të ndryshme.
Prirja e përgjithshme e ekonomisë kineze nuk ndryshon. Tregu kolosal me 1.4 miliardë banorë dhe kërkesa e konsumit në rritje e kanë mbështetur fuqimisht ekonominë kineze. Zinxhiri i plotë industrial, potenciali i fuqishëm teknologjik dhe talentet e mjaftueshme i kanë dhënë ekonomisë kineze aftësi të fortë konkurruese. Në këto kushte, e ashtuquajtura "tërheqje e investimeve të huaja nga Kina" tingëllon si një shaka.
Njëkohësisht, Kina nuk ka ndaluar asnjëherë hapat e hapjes. Kohët e fundit, qeveria kineze publikoi "Planin e përgjithshëm të ndërtimit të Portit të Tregtisë së Lirë në Hainan". Në versionet e vitit 2020 të Listës Negative për Hyrjen e Investimeve të Huaja në Kinë dhe të Listës Negative të Hyrjes së Investimeve të Huaja në Zonat Pilot të Tregtisë së Lirë, pikat përkatëse u pakësuan përkatësisht në 33 dhe 30 nga 40 e 37 vjet.
Këto masa jo vetëm do të përbëjnë raste zhvillimi për botën, por edhe do të krijojnë hapësirë më të madhe për zhvillimin e vetë Kinës. (Wang Lei)