2020-06-09 11:57:18 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Të hënën qeveria kineze mbajti një konferencë për shtypin, në të cilën bëri një paraqitje të thellë e të hollësishme të "Planit të përgjithshëm të ndërtimit të Portit të Tregtisë së Lirë të provincës së Hainan-it". Kjo ka lëshuar sinjalin e qartë që, në sfondin e dobësimit të ekonomisë globale për shkak të epidemisë së koronavirusit të ri dhe rritjes së antiglobalizimit e të proteksionizmit, Kina vazhdon të nxitë hapjen me nivel më të lartë sipas ritmeve të përcaktuara, duke ngulur këmbë në përkrahjen për multilateralizmin dhe forcimin e globalizimit ekonomik.
Kjo formë e hapjes me nivel të lartë pasqyrohet së pari në përputhjen me rregullat ekonomike-tregtare ndërkombëtare të nivelit të lartë. Plani i ndërtimit të Portit të Tregtisë së Lirë të Hainan-it përfshin një seri rregullimesh sistemore në fushat e tregtisë, investimeve, lëvizjes së kapitalit ndërkufitar, hyrje-daljes së njerëzve, transportit të lirshëm dhe qarkullimit të rregullt e të sigurt të të dhënave etj. Ndër to, liberalizimi dhe lehtësimi sistemor, me heqjen e tarifave për tregtinë e mallrave si element themelor; liberalizimi dhe lehtësimi i tregtisë së shërbimeve duke pasur si bazë "hyrjen e menaxhimin", si edhe masat për lehtësimin e investimeve, do të inkurajojnë më tej vitalitetin e tregut.
Sipas këtij plani, deri në vitin 2025, mjedisi i biznesit në provincën Hainan do të arrijë nivelin e parë në Kinë në përgjithësi, ndërsa deri në vitin 2035, Porti i Tregtisë së Lirë i Hainan-it do të bëhet një lartësi e re e hapjes ekonomike. Vijimi i zbatimit të parimit të "hyrjes nëse nuk kufizohet" në Portin e Tregtisë së Lirë të Hainan-it do të ndihmojë në krijimin e një mjedisi biznesi më të barabartë. Investimet vendëse dhe të huaja, ndërmarrjet shtetërore e private dhe ndërmarrjet nga brenda e jashtë provincës Hainan do të trajtohen njësoj.
Ndërkohë, hapja me nivel më të lartë pasqyrohet edhe në risitë e integruara sistemore me karakteristika kineze. Sipas konferencës për shtyp, politikat mbi Portin e Tregtisë së Lirë të Hainan-it janë një sistem i plotë, shkencor dhe i efektshëm. Për të realizuar liberalizimin dhe lehtësimin e tregtisë e të investimeve do të krijohet një sistem i gjithanshëm, një mekanizëm i menaxhimit të integruar dhe një sistem ligjesh e rregullash, të cilat mund të nxitin lëvizjen e lirë të faktorëve të prodhimit dhe të parandalojnë rreziqet. Brenda këtij viti, Porti i Tregtisë së Lirë i Hainan-it do të hartojë një listë negative mbi tregtinë e shërbimeve ndërkufitare, që është lista e parë negative në këtë fushë.
Plani i ndërtimit të Portit të Tregtisë së Lirë të Hainanit përbën një sektor modern. Në të ardhmen, ky port mund të ndërlidhet me portet e tregtisë së lira pranë tij, duke u zhvilluar në mënyrë të bashkërenduar dhe duke krijuar sinergji për zhvillimin ekonomik rajonal dhe global. Sipas të dhënave të Zyrës së Statistikave të Hainan-it, në tremujorin e parë të sivjetshëm, vlera e import-eksportit mes Hainan-it dhe ASEAN-it e vendeve përgjatë "Një brez, një rrugë" u rrit shpejt, duke zënë 81.2 % të vlerës së përgjithshme të import-eksportit të mbarë provincës. Kryeekonomisti në Institutin e Tregtisë dhe Investimeve Ndërkombëtare të Japonisë Noriyoshi Ehara u shpreh se ishulli i Hainan-it ndodhet në qendrën e Rrethit Ekonomik të Azisë Lindore dhe Azisë Juglindore. "Porti i Tregtisë së Lirë i Hainan-it ka mundësi të bëhet një bazë e rëndësishme e tregtisë së lirë ndërkombëtare me nivel të lartë e ekonomi të hapur dhe luan rolin e modelit për zhvillimin e shëndetshëm të ekonomisë botërore," tha Ehara.
Me gjithë goditjen e epidemisë, dera e hapur e Kinës nuk do të mbyllet, por do të hapet më tej. Ndërtimi i portit të tregtisë së lirë në provincën Hainan i tregon mbarë botës se Kina do të nxitë gjithmonë liberalizimin dhe lehtësimin e tregtisë e të investimeve dhe do të forcojë bashkëpunimin global në mënyrë të hapur.