CMG-ja: Qëndrueshmëria e ekonomisë kineze do të favorizojë ekonominë botërore

2020-05-29 18:08:57 CRI Komenti juaj Printoni

 

Të enjten u mbyll në Pekin sesioni vjetor i organit suprem ligjvënës të Kinës, Asamblesë Kombëtare Popullore. Në një konferencë shtypi të organizuar pas sesionit, kryeministri kinez Li Keqiang iu përgjigj pyetjeve të 11 mediave vendëse dhe të huaja.

Lidhur me këtë, Grupi Mediatik i Kinës botoi të premten një koment, ku analizohen tre sinjalet që ka lëshuar ky takim i kreut të qeverisë kineze me medien.

Së pari, është besimi për zgjidhjen e vështirësive të tanishme dhe realizimin e objektivave të zhvillimit.

Duke respektuar parimin "Të kërkojmë të vërtetën te faktet" dhe ligjet e zhvillimit ekonomik, në raportin e punës së qeverisë nuk përcaktohet një objektiv sasior i rritjes ekonomike, por theksohen përparësitë për stabilizimin e punësimit, garantimin e jetesës bazë, zhdukjen e varfërisë dhe ndërtimin e një shoqërie të gjithanshme të begatë.

Në konferencën e shtypit, kreu i qeverisë kineze përmendi në veçanti zbatimin e masave në fusha të ndryshme për të siguruar vënien në jetë të detyrës së paracaktuar për zhdukjen e varfërisë në mbarë vendin.

Së dyti, preokupimi për të mbështetur punësimin.

"Shërbimi ndaj popullit" është synimi i Partisë Komuniste të Kinës dhe i qeverisë së udhëhequr nga ajo. Kryeministri kinez bëri të ditur se rreth 70 % e fondeve të posaçme antiepidemike të qeverisë kanë si qëllim për të mbështetur të ardhurat e banorëve dhe do të shkojnë drejtpërdrejt te punëmarrësit, pa kanale të ndërmjetme. "Do të mbikëqyrim përdorimin e këtyre fondeve me shumë vëmendje dhe mirëpresim gjithashtu kontrollin shoqëror", theksoi z. Li. Përveç këtyre, ai vuri në dukje në të njëjtën kohë se "punësimi është gjëja më e rëndësishme për jetesën e masave popullore" dhe se "do të shfrytëzojmë të gjitha politikat" për të stabilizuar vendet e punës të tanishme, duke krijuar edhe më shumë.

Së treti, propozimi i bashkëpunimit ndërkombëtar.

Si vendi që ka dhënë për disa vjet kontribut për 30 % të rritjes së ekonomisë globale, Kina me mbajtjen e qëndrueshmërisë së saj ekonomike po ndihmon për zhvillimin botëror. Kreu i qeverisë kineze theksoi në konferencën e shtypit se Kina nuk do të zhvillohet me dyer të mbyllura, por do të vazhdojë nxitjen e hapjes ndaj botës së jashtme, duke zgjeruar bashkëpunimin ndërkombëtar nëpërmjet marrjes së masave të reja për hapjen. Ndërsa vendet e ndryshme gjenden para dy sfidave të rënda, të pandemisë dhe vështirësisë së zhvillimit ekonomik, Li Keqiangu vuri në dukje se të gjitha këto vende duhet të punojnë si "ekuipazhi i së njëjtës anije", sepse vetëm kështu "njerëzimi mund të kapërcejë ndikimet nga dallgët gjigante të tanishme".

Për këto fjalë të kryeministrit kinez, Stephen Perry, president i Klubit të Grupit 48, një organizatë joqeveritare për marrëdhëniet e biznesit dhe tregtisë midis Kinës dhe Britanisë së Madhe, vlerësoi se qëndrimet dhe veprimet e palës kineze ndaj rimëkëmbjes së ekonomisë kombëtare dhe botërore janë të matura e të arsyeshme, duke sjellë besimin për mbrojtjen dhe qëndrueshmërinë e zhvillimit ekonomik global.

Mrekulli
Lajmet Kryesore