2020-05-19 15:35:43 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Fushata e Trump-it në vitin 2016 bëri përshtypje të thellë për shkak të përçmimit të tij publik për shkencën, përfshirë skepticizmin për vaksinat dhe deklarata se ndryshimi i klimës është një "mashtrim" i krijuar nga Kina.
Shumëkush nuk e mendonte që qëndrimi i tij pas marrjes së mandatit nuk do të ndryshonte, se Trump-i do të shpërfillte njohuritë e ekspertëve dhe përvojën shkencore për përfitime politike. Por kriza e tanishme e pandemisë së COVID-19 tregon se ata e kanë pasur gabim.
Vendimi i fundit i administratës së Trump-it për të hequr Rick Bright, ekspertin më të lartë të virusit të vendit, gjatë krizës më të rëndë të shëndetit publik, e ka tronditur përsëri botën shkencore. Bright drejtonte agjencinë qeveritare për krijimin e vaksinës, por u hoq nga posti muajin e kaluar, sepse nuk pranoi të miratonte trajtimin me ilaçin e promovuar nga Trump-i. Trump mendon se ky ilaç mund të ndryshojë situatën e tanishme të luftës kundër COVID-19.
"Është një ilaç shumë i fortë, i fuqishëm. Por nuk vret njerëz. Kemi disa rezultate e prova shumë të mira. Çfarë do të humbasim, tek e fundit?" u tha Trump-i gazetarëve më 5 prill.
Sipas një studimi të bërë nga Administrata e Shëndetit të Veteranëve e ShBA-së, hidroksiklorina dhe klorokina e lidhur me të janë pak efikase në trajtimin e pacientëve me COVID-19, madje mund të rrisin rrezikun e vdekjes te disa pacientë të caktuar.
"Unë fola atëherë, e po dëshmoj edhe sot, sepse shkenca - jo politika ose nepotizmi - duhet të udhëheqin rrugën për të luftuar kundër këtij virusi vdekjeprurës," tha Bright në dëshminë e tij para Kongresit.
Në shkurt, Nancy Messonnier, drejtorja e Qendrës Kombëtare të Imunizimit dhe Sëmundjeve të Frymëmarrjes të CDC-së, publikoi një paralajmërim publik se virusi pothuajse është e sigurt që do të përhapet te amerikanët. CDC-ja gjithashtu bëri thirrje që spitalet dhe lagjet të jenë më të përgatitura për epideminë.
Por reagimi i parë i Trump-it nuk ishte që t'i kushtonte rëndësi përhapjes së mundshme të epidemisë në ShBA, por zemërimi për komentet ndërsa tregu i aksioneve njohu një rënie të madhe. Ai e thirri sekretarin e Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore Alex Azar dhe e kërcënoi se do ta hiqte Messonnier-in nga puna, sepse ajo e kishte e frikësuar "pa qenë nevoja" publikun amerikan. Pastaj Messonnier-i doli më pak në konferencat për shtyp të Shtëpisë së Bardhë.
Jo vetëm Messonnier po "jepte alarmin", por edhe Anthony Fauci, eksperti më i lartë i sëmundjeve infektive në ShBA, gjithashtu ka kundërshtuar shumë herë pretendimet e Trump.
Zemërimi shpërtheu kur Trump-i ripostoi në "Twitter" një mesazh me kërkesën që Fauci të pushohej nga puna, pasi tha në një intervistë për CNN-in që, nëse masat parandaluese do të ishin marrë më herët, mund të ishin shpëtuar më shumë jetë.
Lëvdimi i Trump-it për njohuritë e tij shkencore gjatë një vizite në CDC befasoi mjaft veta, por ndoshta edhe më shumë një muaj më pas, kur sugjeroi injektimin e dezinfektantëve për të vrarë virusin. Deklarata solli kritika në rritje nga ekspertët dhe tallje globale.
Jerry Taylor, presidenti i Qendrës "Niskanen", ka theksuar pse nuk mund të kenë vend për shkencën dhe të dhënat në administratën e Trump-it: "Shkencëtarët u thonë atyre gjëra që nuk u shkojnë për shtat. Si kur është fjala për Agjencinë e Mbrojtjes së Mjedisit, ashtu edhe për ndryshimet klimatike ose për koronavirusin, administrata e Trump-it është e angazhuar vazhdimisht në 'mendimin magjik'." (Zhan Dian/Çang Çuo )