Ekspertët globalë hedhin poshtë thashethemet në lidhje me burimin e COVID-19

2020-05-04 16:07:38 CRI Komenti juaj Printoni

Që nga shpërthimi i epidemisë së pneumonisë së COVID-19, disa media dhe politikanë perëndimorë janë përplasur me njëri-tjetrin, duke shpërfillur dijen mjekësore dhe duke spekuluar në lidhje me teorinë konspirative që burimi i virusit ka të bëjë me Institutin e Virologjisë të Wuhan-it.

Në të njëjtën kohë, shumë shkencëtarë dhe studiues në mbarë botën mbajnë qëndrimin e tyre rigoroz shkencor. Ata përdorin njohuritë e tyre profesionale dhe analizën logjike për të hedhur poshtë thashethemet konspirative, duke theksuar pavërtetësinë dhe mangësitë e hipotezës së burimit artificial, dhe, përmes hulumtimeve të fundit, duke theksuar më tej origjinën natyrore të virusit.

Një zëdhënëse e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Fadela Chaib, tha kohët e fundit se ekzistojnë disa mite dhe teori konspirative për origjinën e COVID-19 në median dhe platformat shoqërore, por të gjitha provat e njohura tregojnë se virusi buron nga kafshët (ka shumë të ngjarë nga lakuriqët e natës), jo nga manipulimi ose prodhimi në laborator.

Disa institucione të kërkimit mjekësor gjithashtu pajtohen me OBSh-në. Një ekip nga Instituti i Kërkimeve "Scripps" në Shtetet e Bashkuara publikoi një artikull, ku thuhet se, që një virus të prodhohet në laborator, ai duhet të mbështetet te struktura e një virusi të njohur. Megjithatë, hulumtimet kanë zbuluar se struktura e koronavirusit të ri është e ndryshme nga ajo e çdo virusi të njohur njerëzor.

Më 26 mars, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë të ShBA-së, Francis Collins, publikoi një artikull ku citonte dhe mbështeste ekipin ndërkombëtar të kërkimit, të përkrahur nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë, që pasi krahasoi të dhënat e gjenomit të disa koronaviruseve, arriti në përfundimin se koronavirusi i ri (COVID-19) ka origjinë natyrore.

Sipas "Reuters"-it, më 17 prill, Zyra e Presidentit Francez publikoi gjithashtu një deklaratë, ku thuhet: "Deri më tani, nuk ka asnjë provë faktike që të vërtetojë se burimi i koronavirusit të ri është i lidhur me punën kërkimore të laboratorit të Wuhan-it në Kinë".

Edhe shkencëtarët botërorë i kanë hedhur poshtë thashethemet për prejardhjen e virusit.

Më 25 prill, në median sociale amerikane filluan të qarkullonin informacione se nobelisti japonez për mjekësinë Tasuku Honjo ka deklaruar se koronavirusi nuk ka burim natyror, por "është prodhuar nga Kina". Pasi e mësoi këtë, profesor Honja bëri vetë një deklaratë, duke hedhur poshtë këtë lajm të rremë.

Epidemiologu i njohur dhe drejtori i Institutit të Alergjisë dhe Sëmundjeve Ngjitëse të ShBA-së (NIAID) Anthoni Fauci bëri të ditur se gjenomi i koronavirusit të ri tregon se ai ka kaluar nga kafshët te njeriu, dhe nuk ka ardhur nga modifikimi artificial.

Sipas njoftimeve të gazetës së përditshme amerikane "Science Daily" të botuar ditët e fundit, analiza e renditjes gjenetike të koronavirusit të ri tregon se nuk ka dëshmi që të tregojë se ky virus është prodhuar në laborator ose është dizenjuar enkas nga njeriu. Ka dy fakte që mbështesin këtë përfundim, që përkatësisht janë:

Së pari, prodhimi laboratorik i virusit duhet të bazohet mbi viruset e zbuluara. Por studimet vërtetojnë se koronavirusi i tipit të ri ka strukturë të ndryshme nga të gjitha viruset e njohura.

Së dyti, një pjesë e proteinave sipërfaqësore të koronavirusit ka aftësi të jashtëzakonshme për t'u integruar me qelizat njerëzore, gjë që arrihet vetëm në bazë të evolucionit natyror.

Ku dhe kur ka lindur koronavirusi i ri? Ende nuk ka një përfundim për këtë.

Më 18 mars, në uebsajtin zyrtar të Universitetit Tulane të ShBA-së u botua një videointervistë me virologun e tij Robert Garry, ku profesori e njohu publikun me rezultatet e studimeve të grupit kërkimor të drejtuar nga ai. "Kjo nuk është armë biologjike, por një produkt i natyrës. Nuk dimë sa kohë ka ekzistuar më parë mes njerëzve, por mbase pas disa muajve, disa vjetëve, madje disa dekadave, virusi ka pësuar ndryshim, gjë që e bën të përhapet më shpejt. Në Wuhan patjetër ka raste infeksioni, por nuk mund të themi se ai është burimi i virusit", tha virologu amerikan.

Mrekulli
Lajmet Kryesore