2020-04-16 16:16:26 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Lideri i ShBA-së shpalli të martën se qeveria amerikane do të ndërpresë financimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh), duke e akuzuar këtë organizatë për keqadministrim të epidemisë së COVID-19 dhe si shkaktare të shpërthimit të saj në mbarë globin.
Për këtë, Grupi Mediatik i Kinës (CMG) komenton se gjatë krizës globale të shëndetit publik, veprimet e fajësimit dhe unilateralizmit të ShBA-së pa dyshim do të dobësojnë aftësinë e OBSh-së në organizimin e bashkëpunimit ndërkombëtar kundër epidemisë dhe do të dëmtojnë interesat e popujve të ndryshëm, duke përfshirë edhe popullin amerikan.
Nga të gjithë mund të shihet se, pas shpërthimit të epidemisë së COVID-19, si institucioni ndërkombëtar me më shumë autoritet dhe më i specializuar në fushën e sigurisë së shëndetit publik global, OBSh-ja ka luajtur rol të pazëvendësueshëm në bashkëpunimin ndërkombëtar përballë epidemisë. Më 3 janar, pala kineze filloi t'i japë OBSh-së informacione mbi epideminë në mënyrë të rregullt dhe vetëm dy ditë më vonë, OBSh-ja e paralajmëroi botën për pneumoninë e panjohur. Në fillim të shkurtit, OBSh-ja thirri në Gjenevë mbi 400 studiues të nivelit të parë botëror për përcaktimin e kursit të kërkimeve të vaksinave. Deri në mes të prillit, OBSh-ja u ka ofruar 133 vendeve mbi 2 milionë pajisje për mbrojtjen individuale dhe u ka dhënë 126 vendeve mbi 1 milion kuti testimi.
Në komentin e saj, CMG-ja shpreh mendimin se në momentin e tanishëm kritik, kur gjendja epidemike është gjithnjë e më serioze në mbarë globin dhe numri i të prekurve të konfirmuar i ka kaluar 2 milionët, vendimi i palës amerikane për ndërprerjen e financimit ndaj OBSh-së jo vetëm shkel përsëri premtimet e saj për botën, por dëmton seriozisht edhe bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër koronavirusit. Veprimi i palës amerikane do të shkaktojë kufizimin e mëtejshëm të aftësisë së OBSh-së për të ndihmuar vendet në zhvillim, prandaj është kritikuar gjerësisht brenda e jashtë vendit.
Bill Gates, themeluesi i kompanisë "Microsoft", tha në median sociale se veprimi i palës amerikane është "shumë i rrezikshëm". Sipas tij, puna e OBSh-së po ngadalëson përhapjen e epidemisë dhe asnjë organizatë tjetër nuk mund ta zëvendësojë. Bota ka më shumë nevojë për të se kurdoherë, u shpreh Gates.
Edhe Shoqata Mjekësore Amerikane, organizata më e madhe e mjekëve në ShBA, vuri në dukje se "Përpara krizës më serioze të shëndetit publik gjatë një shekulli, ndërprerja e fondeve për OBSh-në është një hap i rrezikshëm në drejtimin e gabuar."
Në një koment në uebsajtin e gazetës gjermane "Der Spiegel" thuhet se ky veprim i ShBA-së është vetëm një taktikë për të hequr vëmendjen e publikut nga vendimet e gabuara të qeverisë.
CMG-ja komenton se, në të vërtetë, virusi nuk njeh kufi dhe epidemia nuk bën dallim mes racave. Humbja e çdo vendi në luftën kundër virusit do të kërcënojë sigurinë e mbarë globit. Njerëzimi është një bashkësi e fateve të përbashkëta dhe solidariteti e bashkëpunimi janë armët më të forta për fitoren mbi epideminë.