Sistemi i mbikëqyrjes i Kinës, projektim i nivelit më të lartë dhe përparësia e tij

2018-03-16 14:21:11 CRI Komenti juaj Printoni

Më 11 mars, në sesionin e parë të legjislaturës së 13-të të Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës u miratua "Amendamenti i Kushtetutës së Republikës Popullore të Kinës". Në kapitullin e tretë të "Amendamentit", që bën fjalë për institucionet shtetërore, shtohet pjesa për krijimin e "Komisionit të Mbikëqyrjes" si organ për punët mbikëqyrëse. Më 5 mars, në plenumin e tretë të Komitetit Qendror të 19-të të Partisë së Komuniste të Kinës u miratua "Vendimi për thellimin e reformës së institucioneve partiake e shtetërore", dhe u paraqit propozimi për "Krijimin e komisioneve të mbikëqyrjes në nivel kombëtar, province, bashkie e komune dhe të zyrave për bashkërendimin e punës së këtyre komisioneve me organet e kontrollit të disiplinës të PKK-së".

Krijimi dhe vënia në funksion i Komisionit Kombëtar të Mbikëqyrjes është një masë e rëndësishme për të nxitur procesin e qeverisjes sipas ligjit e kushtetutës, si edhe për të zhvilluar më së miri socializmin me karakteristika kineze brenda kornizave ligjore; është masë e rëndësishme për nxitjen e modernizimit të sistemit dhe aftësisë qeverisëse, gjë që ofron siguri për qeverisjen e partisë; dhe gjithashtu është masë e rëndësishme për thellimin e reformës në sistemin e mbikëqyrjes dhe të luftimit të korrupsionit në të gjitha nivelet, si dhe për strukturimin e sistemit të mbikëqyrjes nën udhëheqjen e Partisë.

 

Realizim i mbikëqyrjes për të gjithë nëpunësit civilë

Në praktikë, si organe të PKK-së, komisionet e kontrollit të disiplinës zgjidhen në kongreset e Partisë në nivelet e ndryshme, udhëhiqen nga komitetet e Partisë të nivelit përkatës dhe komisionet e kontrollit të disiplinës të një niveli më të lartë. Këto komisione e ushtrojnë funksionin e tyre mbi të gjithë anëtarët e Partisë Komuniste të Kinës duke u bazuar kryesisht në rregulloret dhe disiplinën partiake.

Por me këtë organizim dalin në pah dy të meta: e para, nëpunësit civilë pa përkatësi partiake nuk kontrollohen ose ndëshkohen; e dyta, për anëtarët e partisë, ka vetëm ndëshkim disiplinor por jo ndëshkim ligjor. Kësisoj, krijimi i "Komisionit të Mbikëqyrjes" si organ kombëtar, i cili zgjidhet nga asambletë popullore të niveleve të ndryshme, udhëhiqet e mbikëqyret nga asambletë popullore të nivelit përkatës dhe u raporton atyre, duke e ushtruar funksionin e vet mbi të gjithë nëpunësit civilë, pavarësisht nëse kanë përkatësi partiake apo jo, në bazë të ligjit, do të kompensojë pikat e dobëta të komisioneve të kontrollit të disiplinës.

Sistem autentik dhe i efektshëm i mbikëqyrjes së shtetit që drejtohet nga partia

Krijimi i komiteteve të mbikëqyrjes në nivelet e ndryshme ka për qëllim të forcojë udhëheqjen e Partisë në luftën antikorrupsion dhe të realizojë bashkimin dialektik të mbikëqyrjes dhe kontrollit të brendshëm të Partisë dhe të shtetit.

Zyra e komisionit të mbikëqyrjes do të bashkohet me zyrën e komisionit të kontrollit të disiplinës në të njëjtin nivel. Një vendim i tillë merret për të forcuar udhëheqjen e Partisë dhe për ta ushtruar sa më mirë rolin e komisionit të kontrollit të disiplinës. Vihet re që në strukturën e Këshillit të Shtetit të Kinës janë shkrirë Ministria e Mbikëqyrjes dhe Byroja Kombëtare e Parandalimit të Korrupsionit. Ky strukturim është bërë me qëllim për të integruar departamentet dhe burimet e ngjashme të antikorrupsionit, nga ana tjetër, funksionet e komisionit të mbikëqyrjes, sidomos ato të ngjashme me të organit të prokurorisë, si hetimi, ndalimi, marrja në pyetje dhe masat detyruese, do të sigurohen nga ligji.

Shndërrimi i projektimit të nivelit të lartë në efikasitet administrativ

Në thelb, komisioni i mbikëqyrjes është një organ antikorrupsion. Në të ardhmen, gjatë thellimit të luftës kundër korrupsionit, nevojitet të forcohet roli bashkërendues i komisionit të mbikëqyrjes.

Pas bashkimit të zyrave të komisioneve të mbikëqyrjes dhe të komisioneve të kontrollit disiplinor, do të ristrukturohen departamentet në varësi të tyre. Me anë të përmirësimit të strukturës, arrihet i ashtuquajturi efekt "1+1>2".

Sipas programit të reformës, departamentet e mbikëqyrjes administrative dhe byroja e parandalimit të korrupsionit në varësi të qeverive të niveleve të ndryshme, departamentet kundrejt mitëmarrjes, shpërdorimit të detyrës dhe të parandalimit të krimeve në ushtrimin e detyrës në varësi të Prokurorisë, do të bashkohen në komisionin e mbikëqyrjes. Kështu që është e domosdoshme të zhvillohen trajnime dhe shkëmbime mes këtyre departamenteve, me qëllim të shpejtohet procesi i "integrimit" të tyre. Në të njëjtën kohë, është e nevojshme të përforcohet bashkërendimi dhe bashkëpunimi mes organeve të mbikëqyrjes, të prokurorisë dhe të gjyqësorit, që të nxitet më mirë puna e antikorrupsionit në nivel kombëtar. (Wang Xianya)

(Autori është Sun Yingshuai, studiues në Akademinë e Marksizmit pranë Akademisë së Shkencave Shoqërore të Kinës. Redaktoi dhe përktheu Wang Xianya)

Mrekulli
Lajmet Kryesore