2020-05-07 10:28:58 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Parku "Disneyland" i Shangait do të rihapet për publikun të hënën e ardhshme.
Ky do të jetë parku i parë tematik i "Disney"-t në botë që do të rihapet pas mbylljes për shkak të pandemisë së COVID-19.
Gjatë fazës fillestare të rihapjes do të kufizohet numri i vizitorëve, do të kërkohet rezervimi paraprak i biletave, si dhe do të zbatohen rregulla e distancimit shoqëror gjatë mbajtjes së radhës, në restorante, në vendparkimet e automjeteve etj.
Biletat do të shiten në internet duke filluar nga e premtja, megjithatë numri i biletave në dispozicion çdo ditë do të jetë i kufizuar.
Turistë si Shi Jiali kanë qenë në pritje të rihapjes së parkut.
"Para së gjithash, të gjithë duhet të mbajmë maskë, edhe pse nuk ka shumë njerëz këtu. Zakonisht, ka shumë njerëz në 'Disneytown' dhe kështu që duhet të mbash radhë në restorante. Por tani ka më pak njerëz, gjë që të bën të ndihesh më mirë kur ecën," shprehet ajo.
"Disneyland" i Shangait njoftoi një mbyllje të përkohshme në fund të janarit pas shpërthimit të koronavirusit të ri.
Në fillim të marsit u rihapën "Disneytown", parku "Wishing Star" dhe hoteli "Disneyland".
Ndërsa shumica e pikave në park do të rifillojnë funksionimin të hënën, disa mjedise dhe përvoja ndërvepruese në seksionin e lojërave për fëmijë, si dhe zonat e shfaqjeve teatrore, do të mbeten të mbyllura.
Mbi 70 për qind e pikave turistike në Kinë kanë rifilluar punën deri më tani.
Sidoqoftë, Luo Shugang, ministri i Kulturës dhe Turizmit, thekson se ende nuk është koha për të lehtësuar plotësisht masat e kontrollit të epidemisë:
"Ne duhet të kujtojmë se jemi ende brenda fazës së kontrollit të epidemisë, por thjesht jo me shumë presion. Kështu që të gjitha pikat turistike duhet të rihapen me intervale, të kufizojnë numrin e vizitorëve dhe të zbatojnë rezervimin paraprak."
Në ditët e pushimit për 1 Majin e këtij viti u bënë 115 milionë udhëtime brenda vendit dhe të ardhurat nga turizmi arritën afro 7 miliardë dollarë amerikanë.
Megjithëse shifrat ranë ndjeshëm në krahasim me vitet e kaluara, ekspertët besojnë se kjo është një shenjë pozitive për ekonominë, ndërsa Kina përpiqet të rrisë konsumin e brendshëm.