2020-04-23 17:52:59 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Qyteti Wuhan, ose shkurt "Han", gjendet në qendër të Kinës dhe është kryeqendra e provincës Hubei. Wuhan-i është një qytet lumor: lumi i tretë për nga gjatësia në botë, Jance, dhe dega më e madhe e tij, Hanshui, bashkohen në Wuhan. Në tërë qytetin kryqëzohen lumenj të ndryshëm dhe sipërfaqja e zonës ujore të tij arrin në 2217 kilometra katrorë, duke zënë 1/4 e sipërfaqes së përgjithshme të qytetit.
Mjedisi i pasur ujor ka sjellë edhe burime të pasura natyrore, prej të cilave populli i Wuhan-it ka krijuar shumë ushqime të shijshme dhe Wuhan-i është bërë një qytet i famshëm gastronomik. Ushqimet e shijshme tipike të Wuhan-it përfshijnë peshkun wuchang, supën me rrënjë zambaku uji dhe brinjë derri, makaronat e nxehta e të thata, "Doupi" etj.
Peshku wuchang
Peshku wuchang është një lloj krapi dhe jeton në rrjedhën e mesme e të poshtme të lumit Jance, kryesisht në zonën ujore afër Wuhan-it. Për shkak të mishit të tij të shijshëm, gatimi i peshkut wuchang në këtë krahinë ka histori të gjatë. Sipas shënimeve historike, që herët, në periudhën e Tre Mbretërive (220-280) të Kinës, peshku wuchang kishte fituar famë si një ushqim i shijshëm. Në vitin 1956, udhëheqësi i atëhershëm Mao Ce Dun vizitoi Wuhan-in dhe shkroi vjershën "Pi ujin e lumit Jance, ha peshkun wuchang". Me këtë vjershë, peshku wuchang fitoi famë brenda e jashtë vendit.
Makaronat e nxehta e të thata
Qytetarët e Wuhan-it e kanë zakon ta hanë mëngjesin në restorant dhe makaronat e nxehta e të thata janë të domosdoshme në tryezën e mëngjesit të tyre. Siç e thotë edhe emri i tyre, makaronat nuk kanë lëng dhe shoqërohen me pastë susami, vaj, qepë, hudhra etj. Makaronat kanë ngjyrë të verdhë dhe erë të mirë. Përmbajta e lartë e kalorive që kanë ato, mund të plotësojë nevojat e trupit të njeriut për energji. Ngrënia e makaronave të nxehta e të thata është pjesë e jetës së qytetarëve të Wuhan-it. Pavarësisht se ku shkojnë, ata nuk e harrojnë kurrë shijen e këtyre makaronave.
"Doupi"
"Doupi" është ushqimi tjetër kryesor në mëngjesin e qytetarëve të Wuhan-it. "Doupi" gatuhet me oriz veshtullor, mish derri, kërpudha, djathë soje etj. Të gjithë përbërësit lyhen me miell orizi, pastaj futen në tigan me vaj për t'u skuqur. "Doupi" ka ngjyrë të artë dhe përbërësit e ndryshëm të tij formojnë së bashku shijen e mrekullueshme.
Në Wuhan ka edhe shumë ushqime të tjera të shijshme. Pas përmirësimit të gjendjes epidemike, shumë restorante janë rihapur për të pritur klientët. Qyteti po rigjallërohet. (Fani)