Etika kineze e bërjes biznes

2016-12-21 17:36:15 CRI Komenti juaj Printoni

Shpesh thuhet që kinezët, kur merren me biznes, jane si britanikët, pra priren të jenë konservatorë dhe të ngurtë në situata formale. Sa është e vërtetë kinezët janë miqësorë dhe lehtësisht të afrueshëm. Vendimet e marra në takimet formale arrihen prej tyre në rrugë krejt të ndryshme nga rrugët që përdoren në mbledhjet zyrtare.

Njerëzit kinezë të qarqeve të biznesit janë tepër të përqëndruar te përpikëmëria, kështu që është shumë e rëndësishme të jeni ose pak më herët ose në kohë për takimet e biznesit, qofshin këto formale, qofshin zyrtare. Në takimet formale, vizitorëve u duhet të takohen me shumë biznesmenë në të njejtën kohë.

Është e rëndësishme, gjithashtu, që, kur të hapni ose të filloni përshëndetjen tuaj, të paraqitni fillimisht personin e pozicionit më të lartë dhe pastaj vazhdoni paraqitjen e personave me pozicion më të ulët duke arritur te më i ulti i kompanisë ose grupit tuaj. Normalisht kur të shtrëngoni duart me një zyrtar ose biznesmen kinez, është e sjellshme të përkulni pak kokën përpara, por jo të gjithë trupin.

Zakonisht kur mbarojnë paraqitjet, fillojnë shkëmbimet e kartëvizitat. Tregohesh i sjellshëm, nëse e dorëzon kartën tënde duke i mbajtur ato në pëllëmbët e të dyja duarve me pamje nga lart. Po ashtu duhet t'i pranosh kartat e tyre me të dyja duart. Megjithatë, një mënyrë e tillë mund të mos jetë shumë praktike, prandaj ju duhet ta gjykoni situatën sipas rastit. Sa më formal të jetë rasti, aq më shumë do të vlerësohen traditat e ritualet dhe ndonjëherë ato do të jenë të mirëpritura. Është e rëndësishme për bisnesmenët perëndimorë të marrin shumë karta biznesi dhe të paraqesin literaturë në të dyja gjuhët.

Kur shkëmbimet formale të kartave të biznesit dhe shtrëngimet e duarve mbarojnë, ju zakonisht do të ftoheni të uleni, dhe ushime e pije të llojeve të ndryshme do t'ju shërbehen. Në shumicën e rasteve do t'ju shoqërojë çaji kinez. Ka shumë lloje çajrash, megjithatë pothuaj të gjithë ato do të jenë me gjethe dhe do të shërbehen në filxhana çaji kinezë të vegjël. Në shumicën e herëve gjethet do të bien në fund dhe gjatë kësaj kohe bëhen biseda të zakonshme rreth udhëtimit, vizitës dhe familjes.

Në shumicën e rasteve ju do të jeni të ulur rreth një tavoline të rrumbullakët, sepse kinezët e konsiderojnë tavolinën katrore të keqe. Cepat e kësaj lloj tavoline janë jo të mirë dhe nënkuptojnë fat të keq.

Etika gjatë takimeve të biznesit

Në varësi të takimeve apo mbledhjeve, organizohen aktivitete të ndryshme. Megjithatë, në qoftë se ju keni planifikuar një takim me furnizuesin tuaj të mundshëm p.sh., atëherë takimi do të bëhet midis kompanisë suaj dhe komopanisë kineze.

Është diçka e padisktueshme prania në këto lloj takimesh, ashtu si edhe në takime të tjera. Por është e këshillueshme të ndërmerrni disa kërkime mbi kompaninë dhe biznesin e njerëzve që do të takoni. Është e rëndësishme të jeni të përgatitur për takimin. Gjatë takimit me njerëz të biznesit kinez, këshillohet të ftoni një ekip specialistësh ose këshilltarësh, në mënyrë që të mbuloni çdo çështje ose diskutim të paqartë apo çdo dobësi në kufijtë e aftësive dhe të njohurive. Si pjesë e ekipit tuaj, sigurisht, duhet të jetë i pranishëm edhe një përkthyes.

Kur bisedimet nisin dhe nuk ka më gjëra të vogla për t'u thënë, është e rëndësishme t'i drejtoheni dhe ta mbani vështrimin gjithmonë dhe drejtpërdrejtë te personi i rrangut më të lartë të tavolinës ose të delegacionit. Kjo do të tregojë respekt e nderim dhe do të përcjellë besim për ju tek anëtarët e delegacionit kinez. Shumica e biznesmenëve kinezë punojnë në bazë të kritereve të besimit e të ndershmërisë, prandaj "mos ecni mbi lëvozhga veze", por thjesht jini vetvetja".

Gjithmonë sigurohuni që ju dhe ekipi juaj jeni të qartë për çdo gjë që keni thënë. Kjo është arsyeja se pse duhet të keni të punësuar një përkthyes në ekipin tuaj, lidhur me të cilin duhet të jeni të sigurtë që ai i kupton saktësisht ato që ju dhe kompania juaj dëshironi të komunikoni me biznesmenët kinezë.

Ftesa për banket

Ju gjithmonë duhet të jeni të sigurtë se do të ftoheni në një banket, në qoftë se jo është e këshillueshme që ju të organizoni një të tillë dhe të ftoni anëtarët kinezë të delegacionit. Nëse kinezët ju ftojnë në një banket, çka ka shumë mundësi të ngjajë, është e këshillueshme që edhe ju t'ia ktheni një banket të tillë atyre. Kohëzgjatja e këtij banketi do të varet nga programi juaj dhe i kinezëve. Gjithmonë banketi duhet konsideruar si një rast i mirë për ju dhe për ekipin tuaj, ku mund të tërhiqni vëmendjen e biznsmenëve kinezë. Në banket ju mund të takoni disa përfaqësues të lartë, që nuk kanë qenë të pranishëm në takimet e para. Këta që mund të takoni këtu mund të jenë për ju çelësi i negocimeve ose i vendimeve përfundimtare. Kështu përdorini banketet si një rast për të paraqitur kompaninë tuaj, aftësitë tuaja personale dhe për të kuptuar se si po ju ecin bisedimet.

Edhe në banket duhet të jeni në kohë, sepse kështu i tregoni kolegëve kinezë se ju jeni të përpiktë. Nisja e shumicës së bisedimeve normalisht fillon gjatë kohës së ngrënies, ndërsa kur banketi mbaron kinezët largohen krejt papritur. Ndryshe nga përendimorët që në këtë kohë fillojnë të pijnë kafe ose diçka tjetër, pasbanketi nuk është një rast i mirë për kinezët për të kryer punë të tilla biznesi

Në një takim pune apo kur bëni biznes me kinezët mirë është të tregoheni miqësorë, të përdorni fjalë të ngrohta dhe të buzëqeshni.

– Tregtarët kinezë presin që ju të jeni i përgatitur për takimin. Sigurohuni që të keni të paktën 20 kopje gati të propozimit tuaj dhe materialet është mire të jenë në bardhezi, evitoni ngjyrat.

– Bisedat e shkurtra para takimit kryesor janë shumë të rëndësishme.

– Përpara arritjes së një marrëveshjeje kinezët duan të ndërtojnë një marrëdhënie të fortë prandaj ndoshta do të takoheni disa herë përpara arritjes së objektivave tuaja.

– Mbani një qëndrim korrekt gjatë takimit dhe mos vini në siklet ose të tregoheni tipa tepër emocionalë pasi kjo mund të ketë ndikim negativ në negociatat

– Përsa i përket marrjes së vendimeve, kinezët priren t'i zgjasin negociatat prandaj tregohuni të duruar.

– Njerëzit në Kinë futen në sallën e takimit apo konferencës sipas një rendi hierarkik. Prandaj tregohuni të kujdesshëm – pasi ata mund ta marrim të mirëqënë që i pari që futet në sallë prej jush është kreu i delegacionit!

– Orari i punës nis 8 të mëngjesi deri në 5 të pasdites nga e hëna në të premte.

– Punonjësit kinezë bëjnë pushim në drekë nga ora ora 12:00 deri në 2:00, dhe gjatë kësaj kohe evitoni telefonatat ose takimet

– Gjatë periudhës janar-shkurt apo shtator- tetor është mirë të lini një takim më parë.

Dhënia e dorës

– Zakonisht dhënia e dorës nuk është e përhapur në Kinë, megjithatë prisni homologun kinez ta bëjë hapin i pari.

– Përsa i përket titujve apo respektit, duhet t'u drejtoheni me titullin pastaj mbiemrin.

Arti i bashkëbisedimit

– Kinezët do ta vlerësonin nëse do të përdornit disa fjalë në kinezisht, por kini kujdes me përdorimin e toneve pasi e njëjta fjalë me tone të ndryshme ka kuptime të ndryshme. Nëse nuk jeni të sigurt më mirë mos rrezikoni

– Në kulturën kineze përshëndetja tradicionale kur takohen dy njerëz, "Chi fan le ma"?, që në shqipe mund të përkthehej thjesht "Tungjatjeta!" ose "Ç'kemi!", në gjuhën kineze do të thotë fjalë për fjalë "A ke ngrënë?.

– Disa tema interesante bashkëbisedimi mbi Kinën janë: arti, kultura, peizazhet etj. Mund të përmendi përvojat tuaja të udhëtimeve në vende të tjera, sigurisht pa harruar përshtypjet pozitive si turist në Kinë.

– Evitoni çështjet e nxehta politike

– Kinezët janë shumë të ndjeshëm ndaj deklaratave të forta negative. Për shembull, përgjigjet negative shihen si sjellje jo e mirë, prandaj gjeni alternative të ndryshme të tipit ("Do mendohem "/"ndoshta" etj) por evitoni një përgjgije të prerë "JO".

– Në mënyrë të ngjashme, nëse kolegu juaj kinez thotë "S'është ndonjë problem i madh " ose "Problemi nuk është tepër serioz ", në fakt ka kuptimin që ka ende probleme por nuk janë shumë serioze.

Gjuha e trupit

– Duhet t'u kushtoni vëmendje gjuhës së trupit dhe lëvizjeve. Qëndroni të qetë dhe nën kontroll.

– Qëndrimi duhet të jetë formal pasi tregon vetë-kontroll dhe respekt.

– Kujdesni si i lëvizni duart gjithashtu – nëse nisni të kafshoni thonjtë, apo të hiqni ushqimin që ju ka mbetur mes dhëmbëve konsiderohet sjellje jo e mirë.

Kodi i veshjes

– Në fakt kjo varet nga lloji i takimit por në pjesën më të madhe duhet të vishni kostume. Evitoni ngjyrat tepër të çelëta.

– Përpikshmëria në orar është tepër e rëndësishme. Nëse vonoheni do të ofendoni padashur palën që ju pret

– Kur përfundon takimi, pritet që ju të largoheni përpara kolegëve kinezë.

– Shkëmbimi i kartëvizitave është një praktikë e njohur ashtu si edhe në vendet e tjera, prandaj mos harroni të merrni disa me vete!

– Jepeni kartëvizitën me dy duar dhe titulli juaj të jetë i drejtuar nga marrësi; pasi të keni pranuar një kartëvizitë mos e fusni menjëherë në xhep por shiheni për disa momente, në këtë mënyrë ju tregoni respekt dhe interes ndaj dhënësit.

– Nëse jeni ftuar në një drekë apo darkë pune, prisni përpara se të uleni pasi ka një protokoll për vendet e uljes sipas hierarkisë.

– Gjatë një dreke apo darke në tryezën kineze mund të vijnë 20 apo 30 pjata të ndryshme prandaj mos hani shumë në fillim, mundohuni nga pak. Sekreti është të provoni pak nga çdo pjatë.

– Në Kinë nëse nuk lini pak ushqim në pjatë do të shihet si diçka jo e mirë pasi mikpritësi do të mendojë se nuk iu është dhënë sasi e mjaftueshme ushqimi, nga ana tjetër nëse nuk e prekni ushqimin në ndonjërën nga pjatat do të shihet si ofendim.

– Mos reagoni nëse dikush përplas buzët aopo gogësin në tavolinë, pasi në kulturën kineze këto janë shenja që tregojnë se ushqimi është i shijshëm.

– Nëse ftoheni për pije- duhet ta pranoni ftesën, për ndërtimin e marrëdhënieve më të ngushta, kjo është tepër e rëndësishme, por në tavolinë do të ngrihen aq shumë dolli sa ka mundësi të deheni. (Albana)

Mrekulli
Lajmet Kryesore