Monika Kryemadhi kryesoi delegacionin e LSI-së në Kinë

2018-11-02 18:30:33 CRI Komenti juaj Printoni

 

Kryetarja e LSI-së znj.Monika Kryemadhi kryesoi delegacionin e saj në Kinë nga data 29 tetor deri më 2 nëntor. Gjatë vizitës së saj, znj.Kryemadhi u takua me kreun e Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare të PKK-së, Song Tao, vizitoi Komitetin Qendror të Lidhjes Rinore Komuniste të Kinës, Universitetin e Unionit të Pekinit etj.

Gjatë vizitës së saj në Kinë, znj.Kryemadhi dha një intervistë të posaçme për CRI-SHQIP. Ajo theksoi se LSI-ja do intensifikojë bashkëpunimin me PKK-në.

"Unë jam shumë e nderuar që drejtoj një delegacion të LSI-së në Pekin. Të jem e sinqertë, ka qenë një vizitë e jashtëzakonshme, që i ka kaluar pritshmëritë e mia si kryetare e LSI-së jo vetëm për sa i përket mikpritjes, por ajo që të bën më shumë përshtypje dhe të lë gjurmë të thella në vetvete është mënyra sesi funksionon dhe mënyra sesi sot Republika Popullore të Kinës është komplet një hapësirë e re dhe e panjohur për Shqipërinë. Ne e njohim Kinën nga aspekti i shumë nismave të ndërmarra, por që pas Kongresit të 19-të të Partisë Komuniste të Kinës, në fakt syri ynë shikon komplet diçka tjetër. Në takimet e fundit me z. Song, por edhe me deputetë të Grupit të Miqësisë Shqipëri-Kinë në Asamblenë Popullore Kombëtare të Kinës, bashkëbisedimet kanë qenë të jashtëzakonshme. Marrëdhëniet midis LSI-së dhe PKK-së duam të vazhdojmë t'i intensifikojmë akoma më shumë, sepse mendojmë që ne vërtetë jemi një parti modeste e një vendi të vogël, por ajo çka duam ne të zhvillojmë më tej është që filozofia dhe funksionimi i Partisë Komuniste të Kinës përsa i përket politikëbërjes dhe implementimit të politikave në popull dhe tek qytetarët është shumë e rëndësishme dhe ka qenë shumë e suksesshme. Në kuadrin e 70-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Kinës, por edhe në kuadrin e 40-vjetorit të hapjes së Kinës, kemi dy iniciativa shumë të mira dhe ne si LSI duam t'i intensifikojmë më tutje. Marrëdhëniet midis LSI-së dhe PKK-së janë marrëdhënie të cilat ne, megjithëse jemi një parti e re, duam t'i bazojmë tek miqësia e fortë midis dy popujve"

Znj.Kryemadhi vlerësoi lart filozofinë dhe mençurinë e PKK-së në qeverisjen e saj. Ajo u shpreh se, si një nga popujt më të lashtë në Ballkan, shqiptarët mund ta kuptojnë mirë këtë filozofi.

"Dua të theksoj që ne jemi një nga popujt më të lashtë në Ballkan dhe lashtësia jonë na jep mundësinë për të kuptuar dhe për të vlerësuar historinë dhe kulturën 5000-vjeçare të Kinës. Kjo na bën jo vetëm ta vlerësojmë dhe ta shikojmë si një element për të përfituar, por na jep mundësinë për të qenë sa më pranë dhe për të gjetur vetveten. Kultura 5000-vjeçare e Kinës është një kulturë që bazohet në forcën e logjikës dhe në forcën e mirësisë për të ndihmuar të tjerët. Dhe mendoj se ky është edhe thelbi i njerëzimit dhe filozofia e popullit kinez, për t'i ndihmuar më të vegjëlit, për t'i ndihmuar më të dobëtit dhe jo për të treguar muskujt e forcës. Ky ka qenë edhe një nga çelësat e komunikimit dhe të marrëdhënieve që Kina ka krijuar gjithmonë me partnerët e saj."

Sivjet është 40-vjetori i Reformës dhe i Hapjes së Kinës, periudhë në të cilën Kina ka pasur një zhvillim të shpejtë. Për këtë, kryetarja e LSI-së vlerësoi se PKK-ja luan rol kyç gjatë këtij procesi.

"Fjalimi i presidentit Xi në Kongresin e 19-të është si një lloj manifesti për shumë parti të majta në Europë që duan t'i kthehen ideologjisë së tyre, që të jenë në shërbim të qytetarëve. Mendoj që angazhimi dhe filozofia që është shprehur në Kongresin e 19-të u krijon shumë mundësi partive të majta të Europës. Hapja, reforma dhe zhvillimi është një element shumë i mirë, por ndërkohë, krijimi i strategjisë së brendshme të PKK-së, ku bashkohen pesë fusha, siç janë ndërtimi i ekonomisë, ndërtimi i politikave, i kulturës, i infrastrukturës dhe i ambientit, janë elemente shumë të mira, të cilat përkthehen në një shërbim ndaj qytetarëve dhe ndaj popullit. Mendoj që sot ne kemi disa mundësi të eksplorimit të eksperiencave të PKK-së, sepse hapja e saj, lidhja e liderëve ose e strukturave të Partisë me bazën, me qytetarët, janë elemente shumë të rëndësishëm për të kuptuar se pushteti nuk qëndron te forca e pushtetit, por te forca dhe komunikimi që ka struktura drejtuese e Partisë me bazën. Dhe unë mendoj se vizita jonë në Kinë ka qenë shumë pozitive dhe do të ketë një reflektim të jashtëzakonshëm, që do të na japë një mundësi për ta shtrirë këtë lloj implementimi në strukturat tona të Partisë në Shqipëri. "

Nga datat 5 deri më 10 nëntor do të zhvillohet në Shangai Ekspozita e parë Ndërkombëtare e Importit e Kinës, që tregon hapjen e mëtejshme të Kinës dhe do të sjellë shumë raste për vendet e tjera. Në këtë ekspozitë do të marrë pjesë edhe Shqipëria. Për këtë, znj. Kryemadhi u shpreh e bindur që produktet shqiptare do të jenë më të pëlqyerat nga konsumatori kinez

"Unë jam shumë e lumtur që do të vijë një grup prodhuesish shqiptarë në këtë panair dhe jam e bindur që produktet shqiptare do të jenë më të pëlqyerat nga konsumatori kinez. Ne nuk mund të mbushim të gjithë tregun e Kinës, sepse është shumë i madh, por ne mund të jemi një pjesë e vogël, por e pazëvendësueshme, qofshin prodhimet bujqësore, ashtu edhe produkte të tjera. Unë mendoj që qoftë vaji i ullirit që ne prodhojmë, që është ndër vajrat më të mira të ullirit, qoftë mjalti që është ndër prodhimet më të mira dhe më efikase që ne prodhojmë, sepse është një produkt që nuk ka sheqerin industrial brenda, apo edhe produkte të tjera, si djathi, gjalpi, unë mendoj se janë më të mirë se të vendeve të tjera, se është edhe dëshira për t'i promovuar. Megjithatë mund të them se produktet tona kanë cilësi shumë të mirë dhe janë jashtëzakonisht shumë të pranueshme e të kontrollueshme dhe shumë të shëndetshme. "

Sot në nismën e Kinës "Një brez, një rrugë" marrin pjesë 71 vende, mes të cilave edhe Shqipëria. Kryemadhi e vlerësoi këtë projekt si shumë të rëndësishëm.

"Ky është projekt shumë i rëndësishëm për të qenë të sinqertë dhe Shqipëria ka bërë një aplikim përsa i përket qendrës rinore, një projekti që vjen në kuadrin e "Një brez, një rrugë" dhe të "16+1". Shpresojmë që Shqipëria ta fitojë këtë të drejtë për ta ndërtuar këtë qendër të rinisë, e cila u vlerësua si shumë e rëndësishme, sepse Ballkani jugperëndimor apo dhe Evropa juglindore e ka shumë të nevojshme për të rizgjuar brezin e ri që po shikon një mundësi për t'u larguar nga vendi i vet për shkak të pamundësisë, për shkak të mungesës së zhvillimit të jetës normale dhe për shkak të ndryshimeve të standardeve të jetesës. Unë theksoj diçka, që sot në Evropën Juglindore, apo edhe 16 vendet, e kanë shumë të nevojshme një zhvillim të kësaj iniciative, sepse mendojmë se e kemi të nevojshme prezencën apo eksperiencën që ka Kina në zhvillimin e vendit të saj. Mendoj që ky lloj mentaliteti duhet të vijë edhe në Evropë. Mendoj që këto iniciativa janë një shembull shumë i mirë, që do t'i nxisë vendet pjesëmarrëse në këtë iniciativë për të krijuar një model të ri që është në funksion dhe shërbim të qytetarëve."

Investimet e Kinës në tregun shqiptar kapin vlerën e 800 milionë dollarëve. Lidhur me investimet e Kinës në Shqipëri, Kryemadhi tha se ato janë investime mjaft serioze.

" Mendoj se Kina është ndër investitorët kryesorë në Shqipëri dhe pa zhurmë. Pra, Kina ka investuar në Shqipëri pa bërë zhurmë dhe pa thënë që "ja ku jam". Dhe kjo të bën që t'i jesh edhe më shumë mirënjohës Kinës dhe investitorëve të saj, sepse atë ndihmë që ata i kanë dhënë Shqipërisë nuk e tregojnë si një kusht ndaj Shqipërisë. Kjo të bën të kuptosh filozofinë e bashkëpunimit me Kinën. Nga ana e tjetër, dua të them që ka mundësi akoma më të mëdha për të pasur prezencën e investitorëve kinezë, qoftë në infrastrukturë, apo edhe në energjetikë. Ne jemi një vend që vazhdon të jetë në tranzicion përsa i përket sistemit ku ndodhemi. Ky tranzicion ka krijuar disa hallka burokratike, sepse ka shumë projekte të tjera të cilat janë të gatshme nga qeveria kineze, apo edhe nga investitorët kinezë për të zhvilluar, qoftë kjo Skavica, në diskutimet që kemi pasur me ambasadoren e Kinës në Shqipëri, qoftë edhe çështja e memorandumit të bashkëpunimit që është nënshkruar nga qeveria shqiptare me qeverinë kineze për çështjen e energjisë së rinovueshme diellore. Ka mundësi të tjera dhe pa fund për ta zhvilluar dhe për ta rritur këtë bashkëpunim. Mendoj se investimet kineze janë investime mjaft serioze, megjithatë ajo që është shumë e rëndësishme është që duhet parë mënyra e investimit, që këto politika të jetë politika zhvillimore në Shqipëri, që i bëjnë më të mundshme dhe më të realizueshme investimet në Shqipëri".

LSI-ja ka shumë anëtarë në moshë të re dhe për këtë i kushton rëndësi të madhe rinisë. Gjatë kësaj vizite, znj. Kryemadhi vizitoi Komitetin Qendror të Lidhjes Rinore Komuniste të Kinës. Ajo theksoi se do të forcohen shkëmbimet rinore mes dy vendeve.

"Të rinjtë e të dy vendeve mund të bëjnë shumë, sepse rinia është e ardhmja e një kombi dhe pa rini nuk ka të ardhme një vend. Ne si LSI, bazën më të madhe të partisë sonë e kemi me të rinjtë. Kjo është një arsye që takimi me Rininë Komuniste Kineze sot pasdite ishte një takim shumë i frytshëm për të vazhduar më tej iniciativat e përbashkëta, qofshin këto në kuadrin e iniciativës së presidentit Xi "Një brez, një rrugë" dhe të nismës "16+1", ku edhe Shqipëria është pjesë. Do të ishte shumë e rëndësishme që bashkëpunimi i dy forumeve rinore politike të shtrihej në kuadrin e këtyre dy iniciativave, por jo vetëm të tyre, por edhe në kuadrin e shumë aktiviteteve të tjera që ka të bëjnë me marrëdhëniet e ndërsjella, të cilat krijojnë lidhje njerëzore midis të rinjve të Kinës dhe të Shqipërisë. Ne i ftuam të rinjtë komunistë kinezë për të ardhur në disa aktivitete që ne bëjmë në Shqipëri. Ne organizojmë çdo vit një kamp veror, ku vijnë të rinj nga e gjithë Shqipëria, por edhe nga vende të tjera të rajonit, që janë të ftuar dhe shkëmbejnë eksperiencat e tyre. Mendoj që ka shumë për të bashkëpunuar, edhe pse jemi shumë larg në pozicionin gjeografik, por jemi shumë afër në botë shpirtërore, dhe kjo na bën që të zgjojmë dhe të rikthejmë atë bashkëpunim shumë të mirë që kemi pasur dikur. Ashtu siç mamaja ime ka nostalgji për marrëdhëniet Shqipëri-Kinë që ajo i ka jetuar, unë mendoj që është shumë e rëndësishme që atë nostalgji ta bëjmë realitet për brezat e ardhshëm në Shqipëri."

Viti 2019 përkon me 70-vjetorin e vendosjes të marrëdhënieve diplomatike midis Kinës e Shqipërisë. Kryemadhi tha se LSI-ja do të luajë një rol të rëndësishëm në marrëdhëniet mes Kinës dhe Shqipërisë.

"Unë mendoj që marrëdhëniet e Shqipërisë dhe Kinës nuk janë thjesht burokratike, diplomatike, por janë marrëdhënie shumë të hershme dhe miqësore. Ka ardhur koha që politika shqiptare duhet të hedhë poshtë çdo lloj paragjykimi dhe duhet të ecë përpara, sepse zhvillimi i marrëdhënieve Shqipëri-Kinë është një zhvillim i domosdoshëm jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin."

Delegacioni vizitoi gjithashtu edhe Universitetin e Unionit të Pekinit. Sektori i turizmit ishte një nga pikat kyçe të diskutimit gjatë kësaj vizite.

"Unë jam e surprizuar dhe ka lënë gjurmë të mëdha në ndërgjegjen time vizita në Pekin. Unë kam qenë edhe tre herë të tjera, por këtë radhë jam komplet e emocionuar, ndoshta edhe për shkak të pozicionit si kryetare e Partisë dhe për shkak të agjendës që Partia Komuniste Kineze kishte organizuar për ne. Takimi në universitet ishte i jashtëzakonshëm. Mendoj që bashkëpunimi midis Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës dhe Universitetit të Unionit të Pekinit është shumë i rëndësishëm, sepse dega e turizmit është një degë që është e limituar në Shqipëri në disa shkolla apo në disa kurse profesionale. Ndërkohë ne pamë sot një universitet që i kalonte përmasat e shkollave profesionale, që ishte një universitet jo vetëm thjesht në kuadrin e turizmit, por ishte një universitet në të cilin stafi universitar kishte hartuar politikat dhe platformat e zhvillimit të turizmit në Kinë. Kjo mund të ishte një iniciativë shumë e mirë midis universitetit të Tiranës, qeverisë shqiptare, dhe Universitetit të Unionit të Pekinit për të hartuar disa platforma dhe politika në turizëm. Shqipëria ka mundësi të jashtëzakonshme për turizëm, qoftë për turizëm në bregdet, qoftë për sa i përket zhvillimit të agroturizmit dhe turizmit malor. Por mungesa e infrastrukturës apo mungesa e hartimit të politikave serioze për zhvillimin e turizmit kanë bërë që ne të mos e zhvillojnë jashtëzakonisht shumë. Por duke pasur një fluks shumë të madh turistësh kinezë - vetëm në muajt e fundit, 2000 turistë kinezë kanë ardhur në Shqipëri - e sjell të domosdoshme nevojën e bashkëpunimit. Sapo të kthehemi në Shqipëri, duke qenë se unë kam marrëdhënie me Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës, do të bisedoj me dekanin, e pse jo, edhe me disa universitete të tjera, dhe me rektorë apo me bordin e Universitetit të Tiranës, për të krijuar shkëmbimet e studentëve me Universitetin e Unionit të Pekinit. Jam e bindur që bashkëpunimi do të jetë shumë frytdhënës, sepse duke pasur një zhvillim dhe një rritje të numrit të turistëve nga Kina, dhe jam e bindur se në të ardhmen do të rritet më shumë, është e nevojshme hartimi i një strategjie për turizmin për Shqipërinë. Nga bashkëpunimi me universitetet dhe ai mes qeverisë kineze me qeverinë shqiptare, ne do të kemi një zhvillim. Dhe pse të mos kemi një filial të Universitetit të Unionit në Shqipëri që të përgjigjet për gjithë rajonin e Ballkanit, duke parasysh që ka shumë vende të tjera turistike që kanë turizmin detar dhe kanë turizmin malor. "

Kina është burimi më i madh i turistëve në mbarë botën, ndërsa Shqipëria ka bukuri të jashtëzakonshme turistike. Në përgjigje të pyetjes mbi tërheqjen e turistëve kinezë në Shqipëri, znj. Kryemadhi tha se mikpritja shqiptare për turistët kinezë do të jetë jashtëzakonisht e madhe, sepse populli kinez jo vetëm që është shumë i sinqertë, por është edhe shumë i dashur dhe shumë i komunikueshëm.

"E para duhet të vijnë, sepse populli kinez i është shumë mirënjohës Shqipërisë për angazhimin në OKB. Dhe unë kur kam ardhur në mënyrë private në Kinë dhe shëtisja me shoferë taksie e u thosha që jam nga Shqipëria, ata reagonin në mënyrë të paparë dhe më thoshin për filmat dhe për këngët që kishin dëgjuar nga Shqipëria. Unë mendoj që brezi i sotëm ka nevojë për ta parë Shqipërinë, duke pasur parasysh që respekti trashëgohet nga brezi në brez dhe brezi i atëhershëm i Kinës e ka trashëguar edhe te fëmijët e tyre. Ne e ndiejmë kudo që shkojmë, dashurinë që kanë edhe të rinjtë kinezë ndaj Shqipërisë, apo edhe kërkesën që kanë të rinjtë kinezë për të mësuar gjuhën shqipe. Prandaj mendoj se turistët kanë një mundësi shumë të mirë për të ardhur në Shqipëri.

Plus pastaj që ne themi që jemi "mesi i botës", sepse jemi në Mesdhe, dhe është një mundësi e mirë. Por ndërkohë, edhe mikpritja shqiptare për turistët kinezë do të jetë jashtëzakonisht e madhe, sepse populli kinez jo vetëm që është shumë i sinqertë, por është edhe shumë i dashur dhe shumë i komunikueshëm. "

Në përfundim të intervistës, kryetarja e LSI-së falënderoi ambasadoren e RPK-së në Shqipëri, e cila krijoi mundësinë e kësaj vizite si dhe Departamentin e Marrëdhënieve me Jashtë të PKK-së për shkëmbimin e përvojave të veta me palën shqiptare.

"Gjatë këtyre ditëve e kam menduar që dua të vij në Kinë jo zyrtarisht, por me vajzat e mia dhe me djalin tim, me tre fëmijët e mi, për ta parë Kinën jo me sytë e mi, se unë e shikoj komplet me sy të tjera, por do të doja që fëmijët e mi ta shohin Kinën edhe si një mundësi për të krijuar një rrjet të tyre. Përfitoj që me anë të kësaj interviste të falënderoj ambasadoren e RPK-së në Shqipëri, e cila na krijoi këtë mundësi, por edhe Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë të PKK-së që na dha mundësinë për të biseduar me ta dhe ndau eksperiencat e veta me ne, që ne këtë mundësi zhvillimi ta kemi sadopak në vendin tonë".

Mrekulli
Lajmet Kryesore