2017-05-18 16:03:19 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Ministri i Transporteve, Sokol Dervishaj dhe kreu i Komisionit Kombëtar për Zhvillim dhe Reforma i Kinës, He Lifeng, firmosën memorandumin me 7 pika, i cili synon fuqizimin ekonomik të të dy vendeve, forcimin e bashkëpunimit për zhvillimin e infrastrukturës, transportit etj.
Ministri Dervishaj vlerësoi nivelin shumë të mirë politik të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kinës, ndërsa bëri thirrje për forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe zhvillimin e projekteve infrastrukturore.
"Sapo firmosëm Memorandumin e Bashkëpunimit të Shqipërisë në kuadër të kësaj nisme, i cili përbën një hap përpara për mënyrën si do të funksionojë marrëdhënia jonë, sidomos me financuesit duke filluar nga Kina por edhe bankat e ndryshme që i janë bashkuar këtij procesi me projekte konkrete," tha Dervishaj.
Duke folur për CRI Shqip në prag të Forumit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar "Një brez, një rrugë," ambasadori i Shqipërisë në Pekin, Selim Belortaja, theksoi se vendi e ka përshëndetur nismën që me propozimin e saj në vitin 2013.
Më vonë këtë vit në Pekin do të mblidhet dhe Komisioni i Përbashkët Tregtar Kinë – Shqipëri. Ambasadori Belortaja, tha se sipas angazhimit të kryeministrit shqiptar, një delegacion ekonomik brenda dy muajsh do të vizitojë Kinën.
"Delegacioni po përgatitet në drejtimin e ministres së ekonomisë Milva Ekonomi dhe do të përbëhet nga zyrtarë dhe biznesmenë dhe mendojmë se do të sjellë propozime dhe projekte konkrete. Ndërsa komisioni ekonomik është gjithashtu një hap tjetër i rëndësishëm i konkretizimit të bashkëpunimit. Siç duket dhe nga listimi i këtyre tre-katër hapave jemi në një periudhë vrulli të të dy palëve për të ndërmarrë një konkretizim të vizionit të nismës 'Një brez, një rrugë'," theksoi ambasadori.
Forumi i Bashkëpunimit "Një brez, një rrugë" pati jehonë të madhe në mediat ndërkombëtare. Nga Shqipëria erdhën për ta pasqyruar veprimtarinë, gazetarë nga Agjencia Telegrafike Shqiptare, televizionet Top Channel, News24 dhe Vizion Plus, si dhe gazeta e përditshme në gjuhën angleze Albanian Daily News.
Për drejtorin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare, Gëzim Podgorica, Forumi "Një brez, një rrugë" ka një përmasë shumë të veçantë dhe një rëndësi specifike.
"Ky forum është një sensibilitet ekonomik dhe politik që i kalon kufijtë gjeografikë. Është një realitet që prek gjithë globin dhe këtë mund ta shohim edhe me pjesëmarrjen e liderëve nga të gjitha vendet edhe nga Amerika Latine edhe nga vende të tjera që në pamje të parë duken sikur nuk janë të përfshira direkt në këtë projekt, por faktikisht ky është një projekt me rrezatim shumë të gjerë. Pikërisht ky lloj rrezatimi ka nevojë që edhe në Shqipëri të njihet me detaje."
Forumi i Bashkëpunimit Ndërkombëtar "Një brez, një rrugë" u zhvillua në Pekin më 14 dhe 15 maj. Fjalimi kryesor i presidentit kinez Xi Jinping, i mbajtur të dielën në ceremoninë e hapjes u përqendrua te fryma e Rrugës së Mëndafshit. Xi nënvizoi se ajo është trashëgimi e madhe e qytetërimit njerëzor. "Duke përshkruar mijëra milje dhe vite, Rruga e Lashtë e Mëndafshit mishëron paqen dhe bashkëpunimin, hapjen dhe gjithëpërfshirjen, të mësuarit dhe përfitimin reciprok", tha ai para një publiku prej mbi 1.500 të ftuarish nga e gjithë bota.
Xi theksoi gjithashtu në fjalim se Brezi dhe Rruga duhet të ndërtohet si një rrugë e paqes, prosperitetit, hapjes, novacionit dhe lidhjes së qytetërimeve të ndryshme.
Propozimi përputhet me synimin e nismës, të cilën presidenti kinez e paraqiti për herë të parë në vitin 2013. Ajo përfshin Brezin Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit dhe Rrugën Detare të Mëndafshit të Shekullit XXI, një rrjet tregtar dhe infrastrukturor që lidh Azinë me Europën dhe Afrikën përgjatë Rrugës së Lashtë të Mëndafshit.
Gjatë fjalimit, presidenti Xi vuri në dukje se rritjes së ekonomisë botërore i duhet energji e re, zhvillim i balancuar dhe ngushtimit të hendekut midis të pasurve dhe të varfërve. Por ndërkohë disa rajone ndeshen me probleme të mprehta siç është dhe përhapja e terrorizimit, ndërsa ka mangësi paqja, zhvillimi dhe qeverisja globale.
Në mbyllje të forumit, presidenti kinez, Xi Jinping u shpreh kundër proteksionizmit, ara një grupi presidentësh të ardhur për të mbështetur projektin e tij të "Rrugës së Re të Mëndafshit".
"Globalizimi po ndeshet me erëra të kundërta", theksoi kreu kinez, para rreth 30 udhëheqësve botërorë, përfshirë presidentin rus, Vladimir Putin dhe atë turk, Recep Tayyip Erdogan.
"Ne jemi dakord që ndërlidhshmëria të ketë përparësi në zhvillimin e vendeve, me objektiv ndërtimin e rrjeteve të infrastrukturore tokësore, detare dhe ajrore. Ne do të shpejtojmë ndërtimin e korridorit ekonomik, nxitjen e kapaciteteve prodhuese të pajisjeve, do të ndërtojmë parqet ekonomike tregtare dhe zonat e bashkëpunimit ekonomik ndërkufitar, do të zgjerojmë kanalet e financimit dhe përdorimin e metodave të reja të financimit. Ne do të krijojmë një sistem të qëndrueshëm e të vazhdueshëm që të mund të ketë nën kontroll rreziqet. Ne mbështesim bashkëpunimin në fushën arsimore, teknologjike, kulturore, mjekësore dhe shtimin e kontakteve turistike, të think tank-ëve dhe të medieve, si dhe masat për të lehtësuar komunikimin njerëzor".
Në fjalimin e tij në hapje të Forumit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar, presidenti Xi Jinping tha se Kina do të ofrojë 780 miliardë juanë (113 miliardë dollarë) fonde shtesë për ndërtimin e "Një brez, një rrugë", duke nxitur rritjen e tregtisë dhe investimet ndërkombëtare. Ai shtoi se nisma e propozuar prej tij "përputhet me interesat e të gjitha vendeve" ndërsa bëri thirrje për të luftuar proteksionizmin përgjatë Rrugës së Re të Mëndafshit. (Leftion Peristeri)