Arti i punimit të violinave ka rilindur në Itali

2016-08-17 10:10:45 CRI Komenti juaj Printoni

Arti i prodhimit të violinave jo vetëm që vazhdon të jetë shumë i përhapur në Itali, por tani po zgjerohet më shumë se kurrë, sidomos midis të rinjve. Çmimi fillestar për një violinë të prodhuar me dorë në mënyrë artizanale fillon nga 5000 euro dhe nuk ka një çmim tavan. Secila vegël muzikore kërkon me qindra orë pune dhe aftësi të larta teknike.

Korrespodenti Nick Lanigan sjell më shumë hollësi.

Është qetësi në këtë rrugë këmbësorë të Pavias, një ekran i vendosur në dritare shfaq disa shembuj të punës së Marco Brunello-s. Por magjia ndodh brenda në dyqan, ku Marco Brunello po gdhend me dashuri një violinë.

Kjo nuk ka qenë gjithmonë pjesë e planit të karrierës së 44-vjeçarit. Pasi punoi për 10 vjet si inxhinier, ai vendosi ta lërë punën e sigurtë dhe t'i futet rrugës së artizanatit.

Ai mësoi mjeshtërinë e gdhendjes së instrumenteve përpara se të hapte dyqanin e tij në vitin 2010. Tani, Brunello krijon rreth 10 violina në vit, secila prej tyre kërkon rreth 200 deri 300 orë punë.

Çdo gjë bëhet me dorë, brenda dhe jashtë çdo artizan violine arrin të sjellë krijime unike.

Çmimi për një instrument fillon nga 5000 euro, por Brunello beson se nuk ka asnjë kufizim dhe ai mund të rritet pa ndonjë kufi, në varësi prestigjit të artizanit.

"Gdhendja e kërmillit të violinës, vazhdon edhe sot, të jetë një pjesë e rëndësishme e instrumentit sepse ka një rëndësi të madhe për artistin, për artizanin që e gdhendi: përdridhja e kokës, forma fundore e pjesëve të ndryshme, thellësia dhe gjerësia, këta janë të gjithë elementë të dallues të artizanit."

Punimi me dorë i violinave ka një histori të gjatë një Itali, ku pavarësisht se makineritë kanë zëvendësuar disa procese të gdhendjes, arti i punimit me dorë të instrumenteve nuk e ka humbur prestigjin e vet. Tani në Itali, artizanati i punimit dhe restaurimit të instrumenteve muzikore po rritet.

Pavarësisht se qendra e punimit me dorë të instrumenteve është Cremona, e mirënjohur për prodhimin e violinave Stradivarius, artizanati po zgjerohet tani edhe në qytete të tjerë si Pavia dhe Milano.

Tetëdhjetë për qind e porosive të Brunello-s vijnë nga jashtë, kryesisht nga Azia.

Duke respektuar "standardet e së kaluarës," "vizioni italian" është bërë një pasuri që duhet të vazhdojë dhe të mirëpërdoret, thekson Brunello.

"Të gjithë profesionet që përdorin teknologjinë më të përparuar, punët me kohë të plotë, siguria e punës, janë të respektuar, por ne gjithashtu duhet të kuptojmë se ka edhe profesione të tjerë që duhet përmbushur dhe që nuk duhet t'i braktisim," thotë ai.

Ndryshe nga artizanatet e tjerë, këtu po afrohet dhe brezi i ri. Në shkollën e Milanos për punimin me dorë të instrumenteve, 'Civica Scuola di Liuteria di Milano', gjithnjë e më shumë të rinj po interesohen për punimin e violinës.

Pranimet janë shumë përzgjedhëse, pasi shkolla regjistron vetëm 15 nxënës në vit për dy degë: punimin e instrumenteve me tela dhe të instrumenteve me tërheqje.

Kursi i cili zgjat 4 vjet, u mëson nxënësve se si t'i përdorin veglat dhe më pas se si të punojnë të gjithë instrumentin, siç shpjegon dhe Paola Vecchio, pedagoge për punimin e instrumenteve me tela:

"Gjatë dy viteve të parë ne u japim nxënësve bazat teknike. U themi të punojnë në një mënyrë të caktuar, sepse ajo që na intereson nuk është produkti përfundimtar, por ata duhet të mësohen të përdorin veglat për të punuar më pas mbi instrumentet. Gjatë vitit të tretë dhe të katërt vendosim një marrëdhënie më vetjake me çdo nxënës. Në këtë fazë ata mund të zgjedhin një instrument, ta vizatojnë atë dhe të punojnë të pavarur. Unë sigurohem që ana teknike të kryhet me korrektësi, por këtu çdo gjë është subjektive, për shembull gdhendja e kërmillit (të violinës), konturet, lloji dhe të gjithë elementët e tjerë ku duhet të shprehin veten. Kjo pjesë është shumë subjektive dhe është e lehtë t'i dallosh instrumentet e punuar nga secili nxënës," thekson Vecchio.

 

Shumica e nxënësve janë në të njëzetat.

Pesëmbëdhjetë për qind janë të huaj dhe të gjithë duken të përkushtuar për të mësuar mjeshtërinë e gdhendjes, për pasionin e tyre, muzikën apo thjeshtë sepse është pjesë e traditës së tyre familjare.

22-vjeçari Franco Ferloni është në vitin e katërt: "Për mua, gëzimi më i madh është kur i bashkoj telat violinës dhe më pas kur luaj në violinë," thotë Ferloni.

Arritja e suksesit për të punuar një instrument nuk është aq e thjeshtë jashtë shkollës. Në Itali shumë punues instrumentesh punojnë të vetëm, duke e bërë dhe më të vështirë gjetjen e një pune në krahasim me ata që kanë eksperiencë.

Për këtë arsye shumë nxënës shkojnë në vende të tjera për të marrë eksperiencë nga punishte më të mëdha, përpara se të hapin punishten vetjake.

Shkolla e instrumenteve e Milanos është hapur që në vitin 1978. Sipas statistikave të shkollës, vetëm gjysma e nxënësve të diplomuar punojnë tani të pavarur.

32-vjeçarja Tania Fausti është e ndërgjegjshme se do të duhet shumë kohë përpara se të shohë ëndrrën e saj të realizuar.

"Këtu mund të mësosh një mënyrë, por ne domosdoshmërish duhet t'i përmirësojmë teknikat dhe stilin tonë, duhet krahasuar vetja me të tjerët, duke filluar praktikën në punishte të ndryshme, derisa të krijojmë stilin tonë vetjak, me karakteristikat tona, që më pas të jemi në gjendje për të punuar instrumentet."

Pasi të mbarojnë shkollën nxënësit përpiqen për të marrë sa shumë njohuri. Punimet e tyre do të mbeten në shkollë pasi ata nuk kanë pronësi mbi to.

Punimet më të mira ekspozohen në një muze të vogël të shkollës, secili prej tyre me karakteristika vetjake. (Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore