2020-05-26 15:21:51 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Deri tani, kompanitë shumëkombëshe kanë krijuar 730 seli rajonale dhe 466 qendra kërkimore në Shangai. Kështu, ky metropol i Kinës Lindore është bërë qyteti më tërheqës në pjesën kontinentale të Kinës për këto kompani.
Në kushtet e shtrirjes së epidemisë së koronavirusit të ri në mbarë botën, janë përmendur herë pas here shprehje si "përfundimi i globalizimit", "shkëputje nga Kina", "tërheqje jashtë Kinës" etj. Për këtë, zv.drejtori i Qendrës Kombëtare të Shkëmbimeve Ekonomike të Kinës Huang Qifan u shpreh që këto të ashtuquajtura deklarata për largimin e investimeve nga Kina ose shkëputje nga tregu kinez janë dritëshkurtra ose subjektive dhe shkojnë përkundër ligjeve ekonomike, duke u bazuar në qëndrime politike, madje ideologjike.
Si një qendër ekonomike për investimet e huaja, Shangai u është përgjigjur këtyre thënieve me shifra konkrete. Në tremujorin e parë, qyteti ka tërhequr 4.669 miliardë dollarë amerikanë investime, 4.5 % më shumë se një vit më parë, duke shënuar rritje me gjithë gjendjen e vështirë. Shangai është bërë një destinacion me përparësi dhe i pashmangshëm në zinxhirin industrial global.
Në vitin 2018, kompania franceze e diagnostikimeve mjekësore "Biomerieux" vendosi selinë e vet rajonale në Shangai dhe kohët e fundit, ka krijuar aty edhe qendrën e vet kërkimore. Kështu, Shangai është bërë baza e 3-të më e madhe në kërkim dhe prodhim e kompanisë, pas Francës dhe ShBA-së.
Drejtori financiar i kompanisë "Biomerieux", Huang Yongmei, u shpreh që "qysh nga viti 1997, kur hyri në Kinë, 'Biomerieux' ka marrë mbështetje të fuqishme nga pushteti vendor, si nga ana financiare, ashtu edhe tatimore. Kjo ka konsoliduar besimin tonë për investime në Kinë."
Prodhuesja amerikane "Tesla" ka krijuar megafabrikë në Shangai. Pas rifillimit të punës më 10 shkurt, vëllimi i prodhimit në këtë fabrikë e kaloi nivelin para Festës së Pranverës. Sipas raportit të tremujorit të parë, sivjet prodhimi aty pritet të rritet në 200 mijë njësi.
Sipas planit të publikuar, "Model 3" e prodhuar nga megafabrika e "Teslas" në Shangai do të përdorë pjesë këmbimi të furnizuara nga tregu vendas. Deri në korrik, niveli i përdorimit të këtyre pjesëve të këmbimit do të rritet në 70% dhe deri në fund të këtij viti, do të realizohet 100 % furnizimi me produkte vendore. Më përpara, ky nivel ishte vetëm 30% dhe furnizimi kryesisht ishte nga Japonia, ShBA-ja dhe Europa.
Në portin Lingang, ku ndodhet megafabrika e "Teslas", po përqendrohen gjithnjë e më shumë ndërmarrje teknologjike dhe prodhuese. Në mes të shkurtit, në zonën e re të portit Lingang, janë nënshkruar në internet kontrata për 12 projekte me vëllim të përgjithshëm prej 20 miliardë juanësh. Këto projekte janë kryesisht mbi brezin e 3-të të gjysmëpërçuesve, me teknologjinë 5G si përfaqësuese.
Me zbatimin e ligjit të investimeve të huaja dhe me më shumë masa për zgjerimin e hapjes, gjithnjë e më shumë ndërmarrje me investime të përbashkëta kineze dhe të huaja po zëvendësohen nga sipërmarrje me kapitale krejtësisht të huaja. Përveç "Teslas", Shangai ka tërhequr edhe një sërë projektesh financiare të huaja, duke u shndërruar gradualisht në një destinacion për mbrojtjen nga rreziqet e mundshme financiare.
Në fillim të këtij viti, një nga grupet më të mëdha botërore të sigurimeve dhe menaxhimit të kapitaleve, "Allianz", krijoi në Shangai kompaninë e parë të sigurimeve me kapitale të huaja në Kinë. Krahas kësaj, edhe "JP Morgan" dhe "Nomura Holdings" kanë krijuar në Shangai kompanitë e para të sigurimeve me shumicën e aksioneve në pronësi të huaj në Kinë. Në muajin shkurt, kompania amerikane "Russell Investments" regjistroi një kompani në Shangai, kompania e parë e huaj për fondet private në Kinë.
Sipas treguesit GFCI të publikuar nga instituti britanik i studimit të politikave Z/Yen, Shangai e ka kaluar Singaporin dhe Hong-Kongun, duke u renditur në vendin e 4-t të botës, pas Nju-Jorkut, Londrës dhe Tokios.
Drejtori i Drejtorisë së Tregtisë të Shangait, Hua Yuan, u shpreh para mediave se qysh nga fillimi i vitit 2020, janë nënshkruar kontrata me investime të huaja për 60 projekte, me një vlerë të përgjithshme prej mbi 7.3 miliadë dollarësh amerikanë.
"Një sërë investitorësh me vizion strategjik nuk janë ndalur nga ndikimet e epidemisë dhe kanë shpejtuar hapat e investimit në Shangai," tha Hua Yuan-i.
Kryetari i Shoqatës së Investimeve të Huaja të Shangait, Huang Feng, u shpreh që në krahasim me faktorët politikë, vendimet e investitorëve merren në bazë të tregut dhe zhvillimit të biznesit të tyre. Në gjendjen epidemike, investitorët e huaj kanë shtuar nivelin e investimeve në Kinë. Përveç aftësisë konkurruese të Shangait, edhe delta e lumit Jance ka një zinxhir të fuqishëm furnizimi, i cili ka pasur rezultate të mira gjatë epidemisë.
"Tani Kina ofron 30% të produkteve industriale të botës, 30 % të vëllimit tregtar botëror dhe në përgjithësi është ndërlidhur ngushtë me Europë dhe ShBA-në në sektorë të ndryshëm. Në fakt, kjo lidhje nuk mund të ndërpritet," thotë Huang Qifan.