2020-03-31 11:26:23 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Ditët e fundit, epidemia e koronavirusit është në eliminim në Kinë, por është në përhapje në vendet e tjera të botës dhe gjendja nuk është optimiste, çka ka goditur rëndë tregun botëror dhe ekonominë globale. Në periudhën e globalizimit, epidemia nuk ka kufi dhe vendet e botës përballojnë të njëjtën gjendje. Prandaj, puna kyçe është kontrolli i epidemisë dhe mëkëmbja e samëparshme e rendit ekonomik.
Sipas të dhënave, deri më 29 mars, numri i përgjithshëm i të infektuarve në botë i kaloi 600 mijët dhe numri i të vdekurve arriti mbi 30 mijë. Krahas këtyre, epidemia po përhapet me shpejtësi të madhe në vende si Italia, ShBA-ja, Spanja dhe Franca. Edhe kancelarja gjermane Angela Merkel u vu në karantinë më 22 mars, për shkak se një mjek që kishte kontaktuar me të është konfirmuar si i infektuar. Kryeministri britanik Boris Johnson gjithashtu doli pozitiv me COVID-19.
Së pari, epidemia ka goditur rëndë ekonominë botërore. Sipas parashikimeve nga FMN-ja, sivjet ekonomia globale do të tkurret, ndërsa agjencia ndërkombëtare e vlerësimeve "Fitch" ka ulur parashikimet për rritjen ekonomike globale nga 2.5% në 1.3%.
Ndikimet mbi makroekonominë do të duken pas pak kohësh, por ndikimet mbi tregun financiar janë shfaqur me shpejtësi. Në këtë muaj të fundit, bursat në Europë dhe ShBA kanë pësuar rënie me mbi 30%. Bursat amerikane janë pezulluar katër herë brenda dhjetë ditëve dhe çmimi i naftës në tregun ndërkombëtar është ulur në 20 dollarë amerikanë për fuçi.
Në një gjendje të tillë, as Kina nuk mund të qëndrojë pa u ndikuar. Pas dy muajsh bllokimi të Wuhan-it, pjesa kontinentale e Kinës i ka ulur në zero rastet e reja të të infektuarve nga COVID-19, duke sakrifikuar përfitime të mëdha ekonomike. Por me gjendjen gjithnjë e më serioze në vendet e tjera, qysh nga fillimi i marsit, çdo ditë ka raste të reja infektimi nga jashtë, çka ka penguar rimëkëmbjen e gjithanshme të ekonomisë kombëtare.
Deri tani, një mendim unanim është që në kohën e globalizimit, pothuajse çdo vend është lidhur në njëfarë mënyre me vendet e tjera, qoftë si një pjesë e zinxhirit të prodhimit, ashtu edhe si një burim a destinacion turistik. Me fjalë të tjera, nëse ka një vend me epidemi, vendet e tjera nuk janë në gjendje vërtet të sigurt. Nëse një vend i madh goditet nga epidemia, ndikimet do të jenë më të mëdha.
Përpara një sfide kaq të madhe, OKB-ja u shpreh që do të krijojë një fond për të mbështetur mjekimin e pacientëve dhe OBSh-ja ka deklaruar që do të vazhdojë bashkëpunimin me të gjitha palët, duke bërë thirrje për strategji të sakta aktive në parandalimin e virusit.
Lidhur me kontrollin e përhapjes, Kina ka marrë masa të shpejta dhe pothuajse e ka eliminuar epideminë brenda vendit. Ndoshta kjo nuk është mënyra e përshtatshme për vendet e tjera, por reagimi i samëparshëm dhe pakësimi i lidhjeve mes njerëzve janë të vlefshme në luftën kundër epidemisë.
Virusi nuk ka kufi, por vendet e ndryshme kanë gjendje të ndryshme ekonomike. Prandaj vendet e mëdha që kanë aftësi duhet të ofrojnë ndihmë për vendet në gjendje serioze. Kjo është në të mirë të luftës kundër epidemisë, por edhe të mëkëmbjes së rritjes ekonomike.
Vendet e mëdha kanë edhe përgjegjësi të mëdha. Kina dhe ShBA-ja, si dy ekonomitë më të mëdha të botës, duhet të punojnë me duar dhe zemra të bashkuara. Në mes të marsit, Kina dhe ShBA-ja shpallën në të njëjtën ditë që kërkimet e tyre për vaksinat e COVID-19 janë futur në fazën eksperimentale klinike dhe në të ardhmen, të dyja palët mund të shtojnë bashkëpunimin në gjurmimin e burimeve dhe kërkimet lidhur me ilaçet e vaksinat, për të prodhuar sa më parë ilaçe dhe vaksina efikase dhe për të penguar krejtësisht përhapjen e epidemisë.
Në gjendjen e tanishme, goditja ndaj ekonomisë globale është e pashmangshme. Palët duhet të punojnë me të njëjtin synim kundër epidemisë dhe të përpiqen për të minimizuar dëmet përkatëse. Kjo është rruga e drejtë.(Jiang Lei)