Konsumi i kinezëve në Festën e Pranverës 2020

2020-01-21 09:06:30 CRI Komenti juaj Printoni

Është parashikuar që, në Festën e Pranverës 2020, konsumi i kinezëve mund të arrijë mbi 1100 miliardë juanë. Në Kinë, grupi i konsumatorëve po ndryshon dhe ndërmarrjet duhet të bëjnë më shumë rinovime në markat e tyre, për t'u përshtatur me këtë ndryshim. Në këto kushte, cilësisë dhe elementëve të shëndetshëm u kushtohet më shumë vëmendje dhe konsumi në Festën e Pranverës 2020 do të jetë fokusuar te cilësia e konsumit.

Festa e Pranverës, ose Viti i Ri Kinez, që është në prag, ka rëndësi të veçantë për kinezët. Kjo festë është periudha me konsum më të madh në Kinë. Tani grupi kryesor i konsumatorëve janë bërë të lindurit në vitet '90 të shekullit të kaluar. Kështu, ndërmarrjet duhet t'i kushtojnë rëndësi krijimit të risive në produktet dhe modelet e shitjes, për t'u përshtatur më mirë me këtë ndryshim në grupet e konsumatorëve.

Konsumi prej mbi 1100 miliardë juanësh

Sipas të dhënave nga "iimedia.cn", në Festën e Pranverës të vitit të kaluar, niveli i shitjes me pakicë në mbarë Kinën shënoi një vlerë afro 1005 miliardë juanë, kurse këtë vit ky nivel parashikohet të arrijë në 1103.4 miliardë juanë.

Analistët janë të mendimit që Festa e Pranverës ka shumë kuptime për kinezët dhe zakonet e kremtimit të saj janë po ashtu të shumta, dhe kjo mund të nxitë efektivisht mënyrat e shumta të konsumit, si dhuratat, blerjet për Vitin e Ri Kinez dhe ushqimet. Kjo është një periudhë me konsum më të madh në Kinë dhe niveli i konsumit në Festën e Pranverës është në rritje vit pas viti.

Më shumë risi në produkte dhe shitje

Mallrat "e mërzitshme" tradicionale nuk mund të plotësojnë kërkesat e konsumatorëve të rinj. Prandaj, ndërmarrjet kanë filluar të krijojnë risi në produktet e modelet e shitjes, për të tërhequr më shumë konsumatorët. Ndërmarrjet kanë ftuar personazhe të njohura në rrjetet sociale, duke i integruar me mallrat e festës, me synim që të ndikojnë më shumë në internet.

Ndërkohë, janë promovuar produktet me sasi të përcaktuar për konsumatorët e rinj, për të plotësuar kërkesat e të rinjve për produkte me ambalazhe të bukura moderne.

Të dhënat tregojnë që grupi kryesor i konsumatorëve në Kinë po ndryshon. Numri i të lindurve në vitet '90 zë 17.1%, kurse atyre të lindur në vitet '80 16.1%. Me rritjen e përqindjes së brezit të viteve '90, konsumi në Festën e Pranverës po ndryshon shumë dhe për këtë arsye, ndërmarrjet po përpiqen të bëjnë risi për të kapur këtë prirje.

Blerjet e posaçme për festën dhe dhuratat janë dy llojet kryesore të konsumit

Blerjet për Festën e Pranverës përfshijnë dy lloje kryesore: blerjet e posaçme dhe dhuratat. Blerja e ushqimeve është një zakon i rregullt gjatë festës. Kjo bëhet për të pritur vizitorët që vijnë në shtëpi për të uruar dhe për të shtuar ngjyrat e festës. Dhuratat për festën janë më ndryshe dhe mallrat e blera ndryshojnë sipas personave që u dhurohen.

Të dhënat tregojnë që ndër produktet e zakonshme të festës, 65.9% janë fruta të thata, 56.3% janë fruta të freskëta dhe 48.9% pije alkoolike. Ndër to, ata që kanë lindur në vitet '90 preferojnë më shumë çokollatat dhe të ashtuquajturat ushqime të fryra. Megjithëse konsumi kryesor ende është përqendruar tek tre llojet tradicionale (frutat e thata, frutat e freskëta dhe pijet), gjatë blerjeve për Festën e Pranverës, ata që kanë lindur në vitet '90 preferojnë ushqime të vogla.

Sipas të dhënave, 57.4% e konsumatorëve preferojnë markat e famshme, ndërsa markat që njihen në rrjetet sociale tërheqin vetëm 4.9 % të konsumatorëve. Ata që kanë lindur në vitet '90 pëlqejnë më shumë markat e famshme në rrjetet sociale dhe niveli i interesimit për to është 6.2 % më shumë se për markat e tjera. Analistët janë të mendimit që markat e njohura tradicionale ende janë fokusi i konsumit, mirëpo markat e njohura në rrjetet sociale janë në rritje dhe në të ardhmen niveli i shitjeve mund të zgjerohet më tej në konsumin e Festës së Pranverës.

Veshjet, këpucët dhe çantat janë mallrat më të preferuara nga konsumatorët dhe zënë 72.2 % të blerjeve. Ata që kanë lindur në vitet '90 blejnë më shumë produkte kozmetike, kurse të lindurit në vitet '80 produkte inteligjente.

Krahas këtyre, edhe e ashtuquajtura ekonomia e devotshmërisë familjare nga brezi i ri për të moshuarit është bërë një dukuri e spikatur në Festën e Pranverës. Mbi 40 % e konsumatorëve blejnë produkte ushqimore gjatë festës dhe ndër to, produktet e shëndetit zënë 39.6%, duke zënë vendin e 4-t. Në Festën e Pranverës, dhuratat janë kryesisht për prindërit dhe të afërmit. Me përhapjen e kulturës shëndetësore, produktet e shëndetit janë bërë një prirje e re krahas mallrave tradicionale, me të cilat njerëzit dërgojnë urime për shëndet të mirë me rastin e festës.

(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore