Changsha: Nga kryeqendra e makinerive inxhinierike në kryesuesen e prodhimit inteligjent

2019-12-03 15:12:42 CRI Komenti juaj Printoni

Në punëtorinë e një prodhuesi me bazë në Changsha të njehsorëve të zgjuar elektronikë disa robotë inteligjentë lëvizin me forcë krahët e tyre mekanikë për të renditur produktet dhe për të mbledhur pjesë elektrike.

Çdo robot madje ka një ekran që tregon "shprehjen e tij të lodhur" ndërkohë që punon. Këta robotë kanë gëzuar punëtorët, falë një niveli të rritur të efikasitetit prej 75 për qind në linjën e prodhimit krahasuar me kohën para robotëve.

Kompania, Wasion, që merret me zhvillimin e energjisë inteligjente, si dhe produktet dhe zgjidhjet inteligjente të shpërndarjes së energjisë, po përmirëson strukturën e saj të prodhimit në një fabrikë digjitale me mbulimin e plotë të sistemit të informacionit dhe një nivel të lartë të teknologjisë së prodhimit dhe automatizimit.

"Duke ndjekur trendin e Industrisë 4.0, Changsha po na motivon të gjejmë teknologji të reja për të prodhuar," tha Tian Zhongping, presidenti i "Wasion Group Limited", në një intervistë për People Daily Online.

Changsha, kryeqendra e provincës Hunan të Kinës qendrore, është vlerësuar prej kohësh si "kryeqyteti i Kinës i makinerive inxhinierike". Disa nga prodhuesit kryesorë të pajisjeve të vendit kanë selitë në këtë qytet, të tilla si "Sany Heavy Industry" dhe "Zoomlion Heavy Industry Science & Technology".

Tani qyteti po transformohet në qendrën kryesore prodhuese inteligjente të vendit. Prodhuesit arrijnë një prodhim inteligjent me sistemin inovativ të prodhimit (MASH), pajisjet inteligjente, komunikimin makinë-makinë dhe analizën e të dhënave për linjat e prodhimit dhe pajisjet.

Changsha ka parë përmirësim në sektorin e prodhimit si çelës për nxitjen e zhvillimit me cilësi të lartë. Autoritetet e qytetit kanë marrë masa për të inkurajuar prodhuesit tradicionalë të përdorin teknologji të reja. Për shembull, qeveria dhe udhëheqësit e industrisë bashkëthemeluan institutet për të siguruar prodhuesit më të vegjël me shërbime që lehtësojnë përditësimin industrial, si konsulenca dhe zhvillimi i teknologjisë. Mbështetja e politikave është rritur gjithashtu, si dhënia e shpërblimeve për prodhuesit që blejnë pajisje inteligjente.

Gjithashtu me seli në Changsha, "Truking" është një nga ndërmarrjet kryesore të Kinës në pajisjet farmaceutike, e cila ka ndërtuar një zinxhir gjithëpërfshirës të produkteve të lëngshme, ngurta dhe pluhur. Një nga vizionet e saj është promovimi i industrisë farmaceutike 4.0 duke zhvilluar një fabrikë të zgjuar farmaceutike, me robotë inteligjentë në linjën e prodhimit.

"Kjo është rruga jonë e ardhme," tha Zhou Feiyue, zv.president i kompanisë "Truking Technology". "Me qëllim që ne të zhvillojmë më mirë prodhimin inteligjent, Changsha ka grumbulluar burime të pasura dhe ka ofruar lehtësira për ne në aspektin e talenteve, rrjeteve të furnizimitdhe mbështetjes së gjithanshme me pajisje dhe shërbime," shtoi ai.

Deri në fund të vitit 2018, gjithsej 27 ndërmarrje në Changsha u përcaktuan si modele pilot kombëtare të prodhimit inteligjent, sipas Raportit të Punës së Qeverisë së Changsha-s. Transformimi industrial i qytetit po motivon kompanitë e industrive tradicionale të përdorin prodhim inteligjent për të ndihmuar në përmirësimin e sektorit të prodhimit.

"Sinoboom", një nga prodhuesit më të mëdhenj të Kinës për zhvillimin, prodhimin, shitjen dhe shërbimin e platformave të punës ajrore, po pëson një transformim dhe përditësim të ngjashëm. Produktet e saj eksportohen në vende si Arabia Saudite dhe Brazili për projekte ndërtimi përfshirë impiante nafte, aeroporte, metro dhe parqe industrial.

Për të përmbushur kërkesën e lartë, kompania aplikon linja inteligjente të montimit në bashkëpunim me punën njerëzore në punëtorinë e saj. Sipas Zhou Li, drejtor i shitjeve ndërkombëtare në Sinoboom, prodhimi i përditshëm i kompanisë u trefishua për shkak të punëtorisë së saj inteligjente dhe punëtorët janë bërë më efektshëm dhe më të aftë se më parë. "Cilësia e produkteve tona gjithashtu ka një standard më të lartë se më parë," shtoi Zhou.

"Dhe falë promovimit të teknologjive dhe pajisjeve kineze përmes nismës "Një brez, një rrugë", përshtypja ndërkombëtare e markave kineze nuk ka më konotacionet negative të 'Made in China". Sot,' Made in China 'është më inteligjente me cilësi më të lartë, " tha Zhou.

Zhang Zhenhua, drejtori ekzekutiv i divizionit të biznesit jashtë vendit të "Willfar Information", një degë e Wasion, i bëri jehonë pikëpamjes së Zhou. "Çdo vend apo treg, është në kërkim të zgjidhjeve të zgjuara. Prodhimi inteligjent do të sjellë një mundësi të madhe si për Kinën ashtu edhe për të gjitha vendet e përfshira në nismën "Një brez, një rrugë" në zhvillimin e përbashkët të infrastrukturave", tha Zhang.

"Infore Zoomlion Enviro" është një prodhues pajisjesh mjedisi në Changsha, që ka zhvilluar robotët e parë sanitare 5G në botë. Grumbulli i robotëve mund të kalojë ndërmjet mënyrave të pa pilotuara dhe atyre të drejtuara, dhe automatikisht mund të zbulojë dhe gjurmojë mbeturinat, fshijë dhe të lajë rrugën, si dhe të mbledhë dhe transportojë mbeturina. Ato janë bërë për të lehtësuar mungesën e forcës punëtore për kanalizimet e qytetit dhe rritjen e kostove.

Sipas Drejtorit të Inovacionit të kompanisë, Zhang Bin, funksionimi i shpejtë i grupit të largët të robotëve sanitare mund të realizohet duke përdorur teknologji 5G plus AI-në. "Ne i sigurojmë robotëve sanitare shërbime inteligjente sanitare për të ndihmuar në ndërtimin e një sistemi kombëtar inteligjent të qytetit," tha Zhang.

Prodhimi inteligjent është gati të riformulojë sektorin e prodhimit dhe Changsha po shfrytëzon mundësinë për të zgjeruar avantazhet e saj në të ardhmen. Bëhet fjalë për përdorimin e teknologjive inovative për të rritur efikasitetin e prodhimit. Me prodhimin inteligjent, "Made in China" do të jetë më e zgjuar se kurrë. (Albana)

Mrekulli
Lajmet Kryesore