2019-07-23 15:30:46 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) deklaroi javën e kaluar se të dhënat e llogarisë rrjejdhëse të vitit 2018 të Kinës tregojnë se gjendja e tanishme ekonomike është pothuajse në ekuilibër me pjesën tjetër të botës, një shenjë që tregon se politikat vendase për ristrukturimin e ekonomisë larg eksporteve dhe drejt konsumit kanë qenë efektive.
Sipas raportit të FMN-së për Sektorin e Jashtëm 2019, suficiti i llogarisë rrjedhëse të Kinës në vitin 2018 ishte 0.4 për qind e PBB-së, nga rreth 1.4 për qind në vitin 2017.
Masa drejt zero për qind është "në përgjithësi në përputhje me bazat dhe politikat e dëshiruara", dhe siguron provë të mëtejshme se, në dallim nga pretendimet e administratës së Trump-it, Kina nuk po përdor padrejtësisht tregtinë për të rritur ekonominë e saj.
Çfarë është llogaria rrjedhëse?
Thënë thjesht, llogaria rrjedhëse e një vendi tregon të ardhurat neto nga tregtia e mallrave dhe shërbimeve me pjesën tjetër të botës. Së bashku me llogarinë e kapitalit, një masë e mjeteve dhe detyrimeve të huaja të një ekonomie, llogaria rrjedhëse tregon bilancin e pagesave të një vendi.
Nëse llogaria rrjedhëse e një vendi rrotullohet rreth zero-s, atëherë ekonomia është afërsisht e ekuilibruar - vlera e eksporteve të saj në mallra dhe shërbime është pothuajse e njëjtë me vlerën e importeve të saj.
Suficiti i llogarisë rrjedhëse, një shifër mbi zero, tregon se një vend po shet më shumë eksporte sesa po shpenzon për importet. Gjermania, sipas raportit të FMN-së, ka një suficit prej 7.3 për qind që vjen nga modeli i saj ekonomik i udhëhequr nga eksporti. FMN-ja i ka bërë thirrje Gjermanisë të investojë më shumë në infrastrukturë dhe për rritjes, në vend që të mbajë rezerva të mëdha paraje.
Një deficit në llogarinë rrjedhëse nënkupton që vendi po shpenzon më tepër për importe sesa po merr të ardhura nga eksportet. ShBA-ja ka deficit në llogarinë e saj rrjedhëse në shifrën e 2.3 për qind dhe FMN-ja parashikoi se kjo shifër do të zgjerohet në 2.6 për qind deri në vitin 2020.
Sipas FMN-së deficiti do të rritet, sepse lehtësimi i pritshëm fiskal do të bëjë që konsumatorët amerikanë të kërkojnë më shumë produkte të importuara, pavarësisht politikave proteksioniste të presidentit Trump për "Amerika e para".
A është suficiti më i mirë se deficiti?
Jo domosdoshmërisht. Japonia mbajti një suficit të madh të llogarisë rrjedhëse gjatë viteve 1990 dhe 2000, por rritja ekonomike ishte në stanjacion gjatë gjithë kohës. Eksportet sollën shumë para në ekonomi, por shumë prej tyre u investuan jashtë shtetit, ndërsa autoritetet dështuan të nxisin konsumin e brendshëm.
Një deficit tregtar mund të tingëllojë edhe më keq, por jo domosdoshmërisht mund të jetë një problem madhor.
ShBA-ja ka mbajtur deficite tregtare të njëpasnjëshme për dekada, falë rolit të saj si ekonomia më e madhe në botë dhe përdorimi ndërkombëtar i dollarit. Vende të tjera me deficite të mëdha tregtare, si Britania e Madhe dhe Australia, përfitojnë nga hyrje më të mëdha të investimeve të huaja direkte. Megjithatë, FMN-ja në raportin e saj të fundit, vazhdon t'i nxisë këto vende të prezantojnë politika që synojnë trajtimin e deficiteve të tyre.
Largimi i Kinës nga një model ekonomik i orientuar nga eksporti ka ulur efektivisht suficitin e llogarisë së rrjedhshme.
Pse është e balancuar llogaria rrjedhëse e Kinës?
Në të kaluarën, ekonomia kineze ishte shumë e varur nga prodhimi dhe eksportimi i mallrave, duke sjellë shumë para në ekonomi dhe duke rezultuar në një suficit shumë të madh tregtar. Suficiti i llogarisë rrjedhëse arriti kulmin në vitin 2007, me një vlerë sa rreth 10 për qind e PBB-së.
Duke pranuar se ky nuk ishte një model i qëndrueshëm ekonomik afatgjatë, autoritetet inkurajuan kalimin drejt konsumit më të madh vendas, më shumë importe nga jashtë dhe një fokus më të madh në sektorin e shërbimeve.
Zhvillimi i sektorit të shërbimeve të Kinës ka qenë një nga faktorët më të mëdhenj në zvogëlimin e suficitit. Turistët kinezë që udhëtojnë jashtë shtetit ishin një nga motorët kryesorë të deficitit të shërbimeve të Kinës, sipas Xinhua.
Mbështetja e nivelit të balancuar të llogarisë rrjedhëse do të varet nga boshti i vazhdueshëm i Kinës ndaj konsumit të brendshëm, më pak mbështetje ndaj kredisë dhe rritja e mëtejshme e sektorit privat, tha kryeekonomistja e FMN-së, Gita Gopinath gjatë një konference shtypi.
Konsumatorët kinezë po shpenzojnë më shumë për markat vendase, ndërkohë që kompanitë kineze vazhdojnë të përmirësojnë dizajnin dhe cilësinë e produkteve të tyre, thuhet në një tjetër raport.
Rritja e numri të përgjithshëm të porosive online të produkteve kineze ishte tetë për qind më e lartë se ajo e produkteve të markave të huaja në vitin 2018, sipas një raporti të lëshuar nga një think tank me Shërbimin për Informacion Ekonomik të Kinës bazuar në të dhënat nga platforma online e e mallrave JD.com.
Rritja e shumës totale të porosive të produkteve kineze ishte 14 për qind më e shpejtë se ajo e produkteve të prodhuara nga firmat e huaja vitin e kaluar.
Markat kineze gjithashtu regjistruan më shumë porosi online për produkte për nëna dhe fëmijë.
Qytetet e nivelit më të lartë të vendit raportuan për një rritje të shpenzimeve për produktet vendase dhe entuziazmi për markat kineze ishte i fuqishëm në mesin e të rinjve, tregonte raporti.