2019-06-11 16:06:28 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Nëse lufta tregtare mes ShBA-së dhe Kinës përshkallëzohet, atëherë kjo do të ketë një "impakt të drejtpërdrejt dhe shumë negativ në mbarë botën, sidomos në Europë dhe Eurozonë, " shprehet ministri francez i Financave dhe Ekonomisë Bruno Le Maire.
Në fakt, Le Maire thotë se lufta e tarifave, që nisi vitin e kaluar, ka dalë jashtë kontrollit të dy ekonomive kryesore të botës. Duke folur për "CNBC"-në gjatë fundjavës së kaluar në kuadër të Takimit Financiar të G20-s që u mbajt në Fukuoka të Japonisë, tha se performanca e Europës nuk është aq e mirë sa duhet për shkak të mosmarrëveshjeve tregtare mes ShBA-së dhe Kinës.
Disa analistë janë të mendimit se fushata e fundit e Uashingtonit kundër gjigantit kinez të telekomunikacionit "Huawei" është pjesë e përpjekjeve për të fituar epërsi maksimale në bisedimet tregtare me Pekinin. Nga ana e tij, Le Maire tha se qeveritë nuk duhet të miksojnë çështjet tregtare me ato jo tregtare.
"Ne duhet të bëjmë një diferencim të qartë ndërmjet ... sovranitetit, teknologjive bazë në një anë dhe tregtisë në anën tjetër," tha ai.
"Tarifat tregtare nuk kanë asnjë lidhje me teknologjitë. Duam të kemi një tregti të drejtë," shtoi ai. "Duam të ndërtojmë një tregti që do të ishte më efikase, që do të nxiste rritjen në të ardhmen, prandaj duhet të evitojmë goditjen e vendeve me tarifa të reja dhe nisjen e një lufte tregtare."
Ndërsa për kanalin "CNews" le Maire tha se: "Nuk ka kërcënim më të madh ndaj rritjes botërore ... ndaj standardit të jetesës të të gjithëve, sesa një luftë tregtare midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara. Sepse kjo do të thotë që tarifat tregtare do të rriten, më pak mallra do të qarkullojnë nëpër botë, ne nuk do të jemi në gjendje të qarkullojmë mallrat tona franceze aq lehtë në mbarë botën dhe vendet e punës do të shkatërrohen. Një luftë tregtare do të shkatërrojë vendet e punës në Francë dhe në Europë dhe Europa duhet të bashkohet për t'i rezistuar kësaj."
Ndërsa ministri britanik i Financave Philip Hammond tha për "Sky News" se një luftë tregtare e përshkallëzuar mes ShBA-së dhe Kinës do të kishte një ndikim "shumë serioz" në ekonominë britanike dhe në atë globale.
Me të njëjtat pikëpamje pajtohet dhe zv. kryesekretari i kabinetit japonez Kotaro Nogami i cili tha për gazetarët se Japonia shpreson që ShBA-ja dhe Kina do t'i zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre tregtare nëpërmjet dialogut. Ai tha se një përshkallëzim i luftës tregtare nuk do të ishte në interesin e askujt.
Nogami theksoi para medieve se masat tregtare duhet të jenë në linjë me rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë dhe se Japonia shpreson se "dy palët, ShBA-ja dhe Kina do të punojë për t'i zgjidhur mosmarrëveshjet me dialog."
Ndërsa, Fondi Monetar Ndërkombëtar lëshoi një deklaratë javën e kaluar se rritja e tarifave të importit dhe hapat e tjera të ndërmarrë nga Uashingtoni po "minojnë sistemin global të tregtisë"
Huadhënësi ndërkombëtar me seli në Uashington tha se këto masa kanë rritur kufizimet në tregtinë e mallrave dhe të shërbimeve dhe kanë nisur një cikël kundërmasash tregtare.
Pas rritjes së tarifave nga administrate e Trump-it në deri 25% për mallrat të importuara nga Kina në vlerë 250 miliardë dollarë dhe futjen në listën e zezë të gjigantit kinez të telekomunikacionit, Kina shtoi tarifat për eksportet e elementeve të rralla në ShBA, duke theksuar se Kina nuk do të lejojë që produktet e huaja të teknologjisë së lartë të krijuara nga elementet e rralla të prodhuara në Kinë të përdoren për të penguar zhvillimin e vendit.
Ndërkohë, ministrat e Financave dhe guvernatorët e Bankave Qendrore të G20-s sapo përfunduan takimin e tyre dyditor në Fukuoka të Japonisë.
Në një deklaratë pas takimit, ekonomitë më të mëdha të botës shprehën shqetësimin se tensionet tregtare dhe ato gjeopolitike janë "intensifikuar" dhe po kërcënojnë rritjen e ekonomisë globale.
Megjithatë, shumë vende të botës presin takimin mes dy presidentëve Donald Trump dhe Xi Jinping në kuadër të samitit të G20-s që do të mbahet në fund të qershorit në Osaka të Japonisë për zhvillime të reja në marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve.
Grupi i G20-s përfshin Argjentinën, Australinë, Brazilin, Kanadanë, Kinën, Francën, Gjermaninë, Italinë, Indinë, Indonezinë, Japoninë, Korenë e Jugut, Meksikën, Rusinë, Arabinë Saudite, Afrikën e Jugut, Turqinë, Mbretërinë e Bashkuar, ShBA-në dhe Bashkimin Europian.