Delta e Lumit Jance, model i ri i zhvillimit ekonomik

2019-06-04 15:15:52 CRI Komenti juaj Printoni

Ekonomia kineze po futet në fazën e zhvillimit me cilësi të lartë, prandaj integrimi rajonal, posaçërisht i zonave të zhvilluara, luan rol drejtues për zhvillimin e zonave përreth, madje në mbarë vendin. Delta e Lumit Jance është një nga zonat më të zhvilluara në Kinë. Prandaj, procesit të integrimit në këtë zonë i është kushtuar vëmendje e madhe.


Në fund të majit u zhvillua simpoziumi i drejtuesve të Deltës së Lumit Jance dhe forumi i parë i nivelit të lartë për zhvillimin e integruar të Deltës së Lumit Jance. Tema e forumit ishte "Delta e Lumit Jance: Ndërtimi i përbashkët i një poli të fuqishëm rritjeje".

Sekretari i Komitetit të PKK-së së Bashkisë së Shangait, Li Qiang, shprehet që Delta e Lumit Jance duhet të shndërrohet në një pol me rritje të fuqishme dhe aktive, në një shembull zhvillimi cilësor, në një zonë të modernizuar, në një zonë pilot për zhvillimin e integruar dhe në një lartësi të re të Reformës e Hapjes në epokën e re. Ky, sipas tij, është objektivi i përbashkët i tre provincave dhe qytetit të Shangait, që përbëjnë rajonin e Deltës së Jance-së.

Vitin e kaluar, integrimi i Deltës së Lumit Jance u përfshi në strategjinë shtetërore dhe pak ditë më parë, Byroja Politike e KQ të PKK-së zhvilloi një mbledhje për shqyrtimin e projektit të zhvillimit të integruar në këtë deltë. Kjo do të thotë që një plan shtetëror për integrimin e Deltës së Lumit Jance do të publikohet shumë shpejt.

Delta e Lumit Jance është grupi i qyteteve i 6-të në botë. Popullsia e saj është një epërsi e dukshme. Me futjen në fazën e zhvillimit cilësor, në të ardhmen, ky rajon do të renditet ndër tre të parët në botë. Për zhvillimin ekonomik e social në këtë zonë, integrimi është një proces i domosdoshëm. Prandaj, bashkërendimi rajonal është një prirje e pashmangshme, qoftë për ekonominë kineze, qoftë për ekonominë botërore.

Për integrimin me cilësi të lartë, duhet të ketë koordinim mes sektorëve të ndryshëm. Kjo është shumë e rëndësishme. Programi i veprimit 3-vjeçar për zhvillimin e integruar të Deltës së Lumit Jance përfshin një numër veprimesh të posaçme, projektesh zbatimi dhe projektesh kryesore, me synim që të ndërmerren veprime të posaçme në fushat e automjeteve, qarqeve të integruara, inteligjencës artificiale dhe qytetit inteligjent. Kështu, mund të formohet një kontingjent zonash ose parqesh industriale me teknologji të reja dhe të nivelit botëror.

P.sh, Delta e Lumit Jance ka epërsi të dukshme në sektorin e prodhimit të qarqeve të integruara. Në vitin 2018, vetëm në qytetin Shangai shitja e qarqeve të integruara arriti në 145 miliardë juanë, duke zënë një të pestën e vendit. Nëse mund të shfrytëzohen burimet njërëzore, financiare dhe teknologjike të Deltës së Lumit Jance, ky sektor do të favorizohet shumë. Në fund të majit 2019, Ministria e Financave deklaroi që për vitet 2019 e 2020, do të hiqen taksat për ndërmarrjet që merren me qarqet e integruara dhe softuerët përkatës, si një masë inkurajuese.

Për zbatimin e masave reformuese mbi nxitjen e integrimit, duhet të hiqen pengesat e sistemit të tanishëm. Në fakt, procesi i integrimit të Deltës së Lumit Jance ka zgjatur për shumë vjet dhe ende nuk ka patur përparime konkrete. Shkaku për këtë është mjedis i veçantë që pengohet nga sistemi ekzistues.

Në sistemin e tanishëm krahinat e ndryshme janë ndarë dhe përballojnë pengesa në zhvillimin e integruar. Kontrolli për punët e pushtetit vendor varet kryesisht nga niveli i GDP-së, të ardhurat fiskale etj. Kështu që krahinat e ndryshme janë fokusuar te sektori i tyre tatimor dhe infrastrukturor. Kjo me siguri do të kufizojë lëvizjen e faktorëve prodhues në provincat dhe qytetet përkatëse. P. sh., është e vështirë që të lëvizë një ndërmarrje e provincës A për në provincën B, sepse pushteti vendor i provincës A do të përpiqet me shumë forca për të ruajtur këtë ndërmarrje në zonën e vet.

Me fjalë të tjera, në zonën me zhvillim të integruar, interesi më i lartë duhet të jetë i zonës, madje i vendit, jo i një province vetëm. Për një periudhë të shkurtër, duhet të merren parasysh në mënyrë të përgjithshme ekologjia, urbanizimi, korridoret e transportit, rregullimi i sektorëve të zinxhirit të prodhimit dhe zhvillimi rajonal. Për një periudhë të gjatë, të gjitha elementet e prodhimit në këtë zonë duhet të përcaktohen dhe të shpërndahen nga sistemi i tregut, si lëvizja e fondeve, talenteve dhe teknologjive.

Për zhvillimin e koordinuar në Deltën e Lumit Jance, duhet të formohet një mjedis me integrimin e operimit dhe tregtimit, ndërsa politikat dhe shërbimet financiare teknologjike duhet të shfrytëzojnë epërsinë e vet, duke bashkëpunuar me njëra-tjetrën. Krahas këtyre, duhet të ketë arritje edhe në kontrollin nga qeveria, sundimin e ligjit dhe shpërndarjen e të dhënave publike.

Zhvillimi i integruar në Deltën e Lumit Jance është një prirje ekonomike, si dhe kërkesa për zhvillimin me cilësi të lartë të ekonomisë kineze. Për këtë lloj zhvillimi duhet të realizohet integrimi i vërtetë me kapërcimin e pengesave të sistemit ekzistues. Në atë kohë Delta e Lumit Jance, si rajon i integruar, do të bëhet një pol i ri i zhvillimit ekonomik të Kinës.(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore