2018-12-19 08:55:51 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
28 vjet më parë, qeveria kineze mori një vendim strategjik për hapjen e zonës Pudong të Shangait ndaj botës së jashtme. Qysh nga ajo kohë, Pudong-u është futur në një rrugë të shpejtë zhvillimi.
Michael Kruppe është nga Gjermania dhe ka jetuar në Shangai për më shumë se 30 vjet. Pas marrjes me tregti ushqimore për disa vjet, ai filloi në Pudong biznesin e shërbimit për ekspozitat para dy vjetësh. Tani Kruppe është bërë kryemenaxheri i kompanisë "New International Expo Center" (SNIEC). Ai shprehet se, në raundin e ri të reformave, Pudong-u e ka ndryshuar fokusin e hapjes nga sektorët e përpunimit e të prodhimit në tregtinë e shërbimeve. Për këtë arsye, Kruppe ka hequr dorë nga biznesi i mëparshëm dhe është futur në një fushë të re.
"Sot mund të shikoni që Pudong-u ka një paraqitje të mrekullueshme. Këtu për investimet ka lehtësi, siguri dhe shpejtësi dhe qëndrimet e qeverisë kanë në qendër investitorët. Kështu që këta faktorë më kanë tërhequr mua dhe të huajt e tjerë për të investuar në zonën Pudong dhe në Shangai," thotë Michael Kruppe.
Kruppe mendon që Zona e Re Pudong ka krijuar në mënyrë aktive një mjedis të mirë biznesi, duke formuar rregulla ligjore dhe një sistem ekonomik të integruar me rregullat ndërkombëtare.
Me standardin më të lartë ndërkombëtar në Pudong është formuar një sistem i ri me ekonomi të hapur, ku kompanitë vendase mund të "dalin jashtë" dhe ato të huaja mund të "hyjnë brenda". Tani në Pudong, krahas zonës së posaçme ekonomike, janë krijuar edhe zona e eksplorimit ekonomik, zona e teknologjive të reja e të larta, zona e përpunimit të eksporteve dhe zona eksperimentale e tregtisë së lirë. Ish-kryetari i Akademisë së Shkencave Shoqërore të Shangait dhe anëtari i Këshillit të Vendimmarrjes pranë Bashkisë së Shangait, Wang Zhan, thotë:
"Këto zhvillime kanë nxitur hapjen, reformat dhe zhvillimin. Mendoj se kjo është rruga e domosdoshme për zhvillimin dhe hapjen e Pudong-ut."
Me hapjen për nxitjen e reformave, risive dhe zhvillimit, Pudong-u nuk kënaqet më vetëm me pozicionin udhëheqës brenda Kinës, por tani po kthehet në një qendër ekonomike, tregtare, transporti, financiare dhe shkencore të nivelit botëror. Pudong-u, nëpërmjet thellimit të gjithanshëm të Reformës dhe Hapjes, po krijon më shumë gjallëri për zhvillimin me risi.
Qysh nga fillimi i Reformës dhe Hapjes, qyteti Hangzhou i Kinës Lindore po përpiqet të shfrytëzojë aktivisht mundësitë e epokës dhe me ekonominë digjitale si forcë kryesore, ka nxitur zhvillimin me cilësi të lartë në bazë të integrimit industrial, shoqëror dhe urban. Hangzhou po eksploron kështu rrugën e vet, me reforma të stimuluara nga ekonomia digjitale.
Tani në Hangzhou, në mbi 98 % të taksive dhe 95 % të supermarketeve e dyqaneve të thjeshta mund të përdoret pagesa me celular. Qytetarët e Hangzhou-t vetëm me një celular mund të marrin 153 shërbime nga qeveria, si hyrje-dalje në kufi, subvencione për banesën, sigurime shoqërore etj. Krahas këtyre, edhe treguesi i trafikut i Hangzhou-t sivjet është ulur në vendin e 57-të, nga vendi i 5-të në 2016-n. Kjo është realizuar në bazë të ekonomisë digjitale që po lulëzon në këtë qytet.
Në vitin 2017, ekonomia digjitale kontribuoi për mbi 50 % të rritjes ekonomike të Hangzhou-t. Drejtori i komisionit të ekonomisë dhe informatizimit të Bashkisë së Hangzhou-t, Xia Jiliang, bën të ditur:
"Sot për zhvillimin ekonomik të Hangzhou-t sigurisht po harxhohen burime, por këto burime janë digjitale e të përhershme. Ekonomia digjitale ka një ndikim të madh në ekonominë e Hangzhou-t dhe unë mendoj që kjo ka ofruar një rrugë të vazhdueshme zhvillimi me cilësi të lartë për qytetin."
Në vitin 2016, kur në Hangzhou u zhvillua samiti i G20-s, u miratua nisma e zhvillimit dhe e bashkëpunimit të ekonomisë digjitale e G20-s. Hangzhou është bërë kështu një nismëtar i ekonomisë digjitale. Për tre vjet me radhë, ekonomia digjitale në Hangzhou ka ruajtur rritjen mbi 20 %. Zv.drejtori i Departamentit të Studimit të Politikave në Komitetin e PKK-së të Hangzhou-t Shen Jinhua thotë:
"Zhvillimi i ekonomisë digjitale dhe krijimi i shembullit të Hangzhou-t për një Kinë të bukur janë konceptet dhe eksplorimet aktive të Hangzhou-t për përshtatjen me risitë teknologjike e ndryshimet e mëdha shoqërore dhe për nxitjen e reformave të gjithanshme ekonomike e shoqërore. Kjo është njëkohësisht edhe një praktikë për ndryshimin e zhvillimit industrial."