Rrotat e trenit të shpejtësisë së madhe "Made in China" eksportohen në Gjermani

2018-08-30 14:10:12 CRI Komenti juaj Printoni

Ditët e fundit, 160 rrota për trenat me shpejtësi të madhe, të prodhuara nga grupi hekurudhor "Magang" i Ma'anshan-it, janë transportuar në Gjermani dhe janë gati për montim. Kjo është hera e parë që rrotat e trenit me shpejtësi të madhe të prodhimit kinez eksportohen jashtë Kinës dhe grupi "Magang" është bërë ndërmarrja e parë kineze që eksporton rrota të trenit me shpejtësi të madhe.

Kompania hekurudhore gjermane "Deutsche Bahn" është operatori më i rëndësishëm hekurudhor në tërë Europën dhe është i njohur për standardet e tij të rrepta lidhur me cilësinë dhe kërkesat e furnizimit. Zv.kryemenaxheri i departamentit të rrotave të trenit pranë grupit "Magang" An Tao shprehet që në vitin 2009 "Magang"-u u bë furnizuesi i parë i drejtpërdrejtë i "Deutsche Bahn"-it në Azi, pas shqyrtimit të cilësisë së rrotave për trenat e mallrave. Qysh nga ajo kohë, grupi "Magang" ka filluar furnizimin e rrotave të trenave të udhëtarëve dhe mallrave për kompaninë "Deutsche Bahn". Në vitin 2016, rrotat e trenit me shpejtësi të madhe të prodhuara nga grupi "Magang" kaluan në Kinë provën e qarkullimit të 600 mijë kilometrave, duke marrë certifikatën e parë nga Qendra e Certifikimit Hekurudhor e Kinës (CRCC), si prodhuese e rrotave të tilla. Pastaj, të dyja palët filluan kontaktet për furnizimin e rrotave të trenit me shpejtësi të madhe.

An Tao u shpreh që, megjithëse numri i rrotave të eksportuara nuk është shumë i madh, kjo është hera e parë që rrotat e trenave me shpejtësi të madhe të prodhimit kinez eksportohen jashtë vendit dhe futen në sektorin hekurudhor gjerman. Kjo, sipas An Taos, ka një rëndësi të madhe. I gjithë procesi i prodhimit të rrotave bëhet sipas kërkesave teknologjike të kompanisë "Deutsche Bahn". Nga shkrirja e hekurit e derdhja në kallëpe dhe deri në përpunimin dhe kontrollin e cilësisë, të gjitha punët përkatëse bëhen në Kinë.

"Mendoj se kjo porosi duhet të konsiderohet si një provë. Pas një periudhe qarkullimi dhe testimi në hekurudhat gjermane, besoj se tregu do të hapet vërtet. Tani ky është vetëm një besim fillestar te ne," thotë An Tao.

Përgjegjësi për Azinë i Zyrës së Blerjeve Ndërkombëtare pranë kompanisë "Deutsche Bahn", Frank Feuchter, vuri në dukje në një intervistë se, krahasuar me rrotat e trenave të zakonshëm të udhëtarëve e të mallrave, rrotat e trenave me shpejtësi të madhe kanë standarde relativisht më të rrepta.

"Prandaj, është e domosdoshme që të kryhet kontrolli shtesë për cilësinë e rrotave të trenit me shpejtësi të madhe. Gjatë dy vjetëve të ardhshëm të testimit, ato do të konkurrojnë me rrotat e kompanive të tjera furnizuese. Në fund, sipas rezultatit të testimit, ne do të vendosim se cila kompani i plotëson kushtet për të marrë pjesë në tender e mund të marrë porosi të shumta për rrota treni me shpejtësi të madhe nga 'Deutsche Bahn'. Ky pa dyshim është një proces shumë i vështirë dhe i ndërlikuar. Në fund të fundit, siguria dhe cilësia e rrotave të trenit me shpejtësi të madhe janë faktorë të rëndësishëm për qarkullimin e trenave," thotë Frank Feuchter-i.

Për të krijuar kontakte dhe bashkëpunim më të mirë me furnizuesit në Azi, veçanërisht në Kinë, kompania "Deutsche Bahn" në vitin 2015 hapi në Shangai degën e Azisë të Zyrës së Blerjeve Ndërkombëtare të saj. Gjatë tre vjetëve të kaluar, sipas Frank Feuchter-it, biznesi i kësaj zyre ka ecur mirë. Ai thotë se arritjet mahnitëse të Kinës për sa i përket hekurudhës me shpejtësi të madhe në vitet e fundit i kanë lënë një përshtypje shumë të thellë.

"Kina ka rrjetin më të madh hekurudhor me shpejtësi të madhe në botë dhe ky rrjet po rritet shpejt. Inovacioni i vazhdueshëm në teknologjinë e hekurudhave me shpejtësi të madhe është bërë 'gjendja e re normale' e kompanive kineze. Garantimi i cilësisë së produkteve në sasi kaq të madhe dhe me një proces krejtësisht të automatizuar tregon qartë aftësinë konkurruese. Ky është një standard shumë i rëndësishëm kur bëjmë blerje," thotë Frank Feuchter.

An Tao bëri të ditur që gjatë fazës së testimit, grupi "Magang" ka dërguar në Gjermani punonjës të posaçëm, të cilët bëjnë monitimin dhe vlerësimin e rregullt të rrotave të eksportuara. Ai tha se porosia e kësaj here nga kompania "Deutsche Bahn" është njohje dhe pranim i cilësisë së produkteve "Made in China" dhe tregon gjithashtu që aftësia e pavarur e kërkim-zhvillimit dhe inovacionit e Kinës është ngritur në një nivel më të lartë. Në të ardhmen, grupi "Magang" do të vazhdojë të shtojë investimet në studimin dhe certifikimin e produkteve, për të zgjeruar më tej tregun ndërkombëtar.

"Së pari, duhet të përmirësohet aftësia e kërkim-zhvillimit. Së dyti, duhet të zbatohet parimi 'Cilësia e para'. Së treti, sigurisht shërbimi është i rëndësishëm. (Me sigurimin e cilësisë, grupi "Magang") duhet të ketë një cikël të shpejtë furnizimi. Pasi të arrijmë këto elemente dhe me përpjekjet tona për të promovuar markën tonë, unë besoj se produktet 'Made in China' do të shfaqen në tregun botëror me një imazh më të mirë," thotë An Tao.

(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore