40 vjet Reformë e Hapje, nga "kalimi i lumit duke prekur gurët" te "dalja jashtë vendit" me besim të plotë

2018-06-05 16:00:31 CRI Komenti juaj Printoni

Në dhjetor të vitit 2017, u përurua në Shekou të Shenzhen-it Muzeu i Reformës dhe Hapjes, ku janë demonstruar pamjet historike të Reformës dhe Hapjes së Shekou-t, duke u treguar eksplorimi i guximshëm i pionierëve të këtij procesi dhe kujtimet e gjalla të mbetura nga ajo periudhë.

Koha kalon shumë shpejt. 40 vjet më parë, fshati Xiaogang në Fengyang të provincës Anhui të Kinës Lindore filloi i pari në Kinë zbatimin e sistemit të përgjegjësisë me kontratë për prodhimin e përbashkët, që nisi procesin e Reformës dhe Hapjes në Kinë. 40 vjet më pas, Kina është bërë ekonomia e 2-të më e madhe në botë dhe më shumë se 700 milionë njerëz kanë dalë nga varfëria.

Sivjet është 40-vjetori i fillimit të Reformës dhe Hapjes të Kinës.

"Ne duhet të shfrytëzojmë rastin e festimit të 40-vjetorit të Reformës dhe Hapjes, për të hapur rrugët, për të ndërtuar ura dhe për të bërë reforma deri në fund," u shpreh presidenti Xi Jinping në mesazhin e urimit për Vitin e Ri 2018.

"Shekulli i 21-të filloi në 1978 në Kinë," është shprehur studiuesi britanik Martin Jacques para shumë vjetësh dhe tani kjo është pranuar gjerësisht në botë.

Gjatë 40 vjetëve, Kina "ka kaluar lumin duke prekur gurët", siç është një shprehje kineze, duke përfunduar kalimin nga ekonomia e planifikuar në ekonominë socialiste të tregut.

Gjatë kësaj periudhe, Kina ka pasur arritje të mëdha, si sistemi i përgjegjësisë me kontratë për prodhimin e përbashkët, zonat e posaçme ekonomike, anëtarësimi në OBT, hyrja e RMB-së në shportën e të Drejtave të Posaçme të Tërheqjes të FMN-së, nisma "Një brez, një rrugë" dhe Banka Aziatike e Investimeve Infrastrukturore.

Zv.presidenti i lartë i Bankës "Kasikorn" të Tajlandës, Wiboon Khusakul, u shpreh që, pas përpjekjeve shumëvjeçare, struktura ekonomike e Kinës po rregullohet, konsolidohet dhe përsoset në mënyrë graduale dhe Kina ka kaluar nga faza e "kalimit të lumit duke prekur gurët" në fazën e "daljes jashtë vendit me besim të plotë".

Studiuesi në Institutin e Lindjes së Largët pranë Akademisë së Shkencave të Rusisë, Aleksandër Romanov, u shpreh se Kina nuk kopjon përvon e vendeve të tjera, por ndërthur karakteristikat e veta me Reformë dhe Hapjen, duke pasur arritje kaq të mëdha.

Sot Kina është bërë ekonomia e dytë më e madhe e botës, fuqia e gjithanshme e vendit vazhdon të rritet dhe autoritetet po bëjnë përpjekje që të varfrit në zonat rurale të dalin nga varfëria deri në vitin 2020. Zhvillimi i Reformës dhe Hapjes jo vetëm ka favorizuar popullin kinez, por me kontributin e vet për më shumë se 30 % të rritjes së ekonomisë botërore, Kina është bërë edhe një stabilizuese për mbarë botën.

Ky vit është 40-vjetori i Reformës dhe Hapjes dhe një vit i rëndësishëm për zbatimin e planit të 13-të 5-vjeçar. Eksperti i çështjeve kineze në Universitetin "John Hopkins", Seth Kaplan, dhe ish-drejtori i Departamentit të Çështjeve Ndërkombëtare dhe Europiane të landit të Hessenit në Gjermani, Michael Borchmann, u shprehën që në procesin e Reformës dhe Hapjes, qeveria kineze ka vënë si përparësi interesat e njerëzve. "Synimi për zhvillim gjithëpërfshirës dhe që të gjithë njerëzit të përfitojnë nga rritja ekonomike është një pjesë e rëndësishme e përvojës së zhvillimit të Kinës".

Në raportin e Kongresit të 19-të të Partisë Komuniste të Kinës, vihet në dukje se kontradikta kryesore shoqërore në Kinë ka ndryshuar dhe tashmë është ajo mes kërkesës së njerëzve për një jetë më të mirë dhe zhvillimit jo të balancuar dhe jo të plotë. Aleksandër Romanov është i mendimit që thellimi i mëtejshëm i reformës do të garantojë rritjen ekonomike, do të plotësojë kërkesat e popullit për një jetë të bukur dhe ndërkohë do të shtojë fuqinë ndikuese të Kinës në arenën ndërkombëtare.

Profesori i Shkollës së Biznesit të Amsterdamit, Francois Lenfant, thotë se qeveria kineze ka një njohje të qartë e të plotë për sfidat në faza të ndryshme dhe ka marrë masa për t'u përballur me to. Në vitet e fundit, Kina ka thelluar reformat strukturore në fushën e ofertës, është përqendruar te cilësia e rritjes ekonomike dhe i ka dhënë gjallëri të re ekonomisë globale, në kushtet kur mëkëmbja e kësaj ekonomie është e dobët.

Të dhënat e publikuara nga Zyra Kombëtare e Statistikave e Kinës në janarin e sivjetshëm tregojnë që, për herë të parë, niveli i përgjithshëm ekonomik i Kinës arriti 80 trilionë juanë dhe rritja ekonomike shënoi 6.9%, duke shënuar rimëkëmbjen e parë që nga viti 2011. Kapaciteti i prodhimit me nivel të përparuar, inovacioni dhe nisja e biznesit janë në rritje të shpejtë, ndërsa prodhimi me nivel të prapambetur po del shpejt nga funksionimi dhe oferta me cilësi të lartë është në lulëzim. Konsumi ka dhënë kontribut për më shumë se 58 % të rritjes ekonomike dhe kontributi i Kinës për rritjen ekonomike botërore e ka kaluar 30%. Në të ardhmen, sipas autoriteteve kineze, ekonomia e Kinës do të zhvillohet me cilësi më të lartë.

Revista amerikane "Time" publikoi një numër që kishte të shkruar në kopertinë "Kina ka fituar". Kina ka pasur vullnet, dhe arritje të dukshme në procesin e reformës strukturore, duke u kundërpërgjigjur në mënyrë të fortë zërave negativë ndaj ekonomisë kineze. Ekonomisti nga Gana, Paul Frimpong, e vlerëson lart "Made in China", duke thënë se "Made in China" tani ka teknologji gjithnjë e më të lartë dhe shumë risi. Ai u shpreh që ekonomia kineze po kalon në modelin e zhvillimit në bazë të kërkesës së brendshme dhe konsumi po shndërrohet në një forcë të madhe prodhuese.

Khusakul vuri në dukje se ndryshimet cilësore në ekonominë kineze kanë qenë veçanërisht të dukshme në vitet e fundit. Gjithnjë e më shumë kompani kineze e kanë kuptuar rëndësinë e krijimit të markave të tyre dhe të përmirësimit të cilësisë së produkteve. Aktualisht, zhvillimi i tregtisë elektronike në Kinë zë pozicion drejtues në botë, duke nxitur vendet e Azisë Juglindore si Tajlanda të fillojnë të ofrojnë platforma në këtë drejtim. Revolucioni i konsumit elektronik i drejtuar nga Kina është në rritje të qëndrueshme dhe me siguri do të ketë një ndikim të gjerë e të thellë.

Në vitin 2017, presidenti Xi Jinping vuri në dukje në Forumin e Davosit se "duhet të këmbëngulim për një ekonomi të hapur botërore". Për këtë, Martin Jacques vlerëson që "kjo mund të merret si konsensus i ri global". Michael Borchmann mendon që proteksionizmi nuk përshtatet me botën e sotme, duke cituar fjalët e Xi Jinpingut: "Zbatimi i proteksionizmit është si futja e vetes në një dhomë të ërrët."

Romanovi u shpreh që shumë vende të Europës dhe Azisë nuk marrin përfitime konkrete nga modeli perëndimor, ndërsa Reforma dhe Hapja e Kinës i ka shpërndarë përfitimet e zhvillimit në gjithnjë e më shumë vende. Tani, këto vende po tregojnë më shumë interes për konceptet e hapjes të Kinës.

Në vitin 2013, Kina i paraqiti botës nismën "Një brez, një rrugë", me hapjen dhe gjithëpërfshirjen si veçanti, fitimet e përbashkëta si objektiv dhe konsultimet e përbashkëta si parim. Kjo nismë është mbështetur nga 140 vende dhe 80 organizata ndërkombëtare dhe ka ofruar një përkrahje për rritjen e qeverisjes globale në fushën ekonomike, duke dhënë kontribut për një ekonomi të hapur botërore.

Seith Kapland e quan Kinën si një nga përkrahësit më të fuqishëm të zhvillimit gjithëpërfshirës në arenën botërore. Ai mendon që Kina ka mjaft përvoja për të ndarë në këtë drejtim. Francois Lenfant nga ana e tij u shpreh që liderët kinezë kanë pohuar në shumë raste që Kina është e gatshme të ndajë përvojën e saj të suksesit në rritjen ekonomike dhe mundësitë e zhvillimit të saj bashkë me vendet e tjera. "Rritja e përbashkët ekonomike e Kinës dhe e vendeve të tjera është në të mirë të zhvillimit ekonomik global në një drejtim më gjithëpërfshirës e më të balancuar," thotë prof. Lenfant.

"Kina po zhvillohet drejt një ekonomie të hapur dhe po zbaton detyrimet e saj si një fuqi e madhe," thotë Khusakul, duke u shprehur që ekonomia kineze jo vetëm është e ndërlidhur ngushtë me atë botërore, por edhe do ta çojë përpara.

Reforma dhe hapja është rruga e domosdoshme e zhvillimit të Kinës dhe e realizimit të Ëndrrës Kineze. Në të ardhmen, Kina do të përpiqet më tej, duke mbledhur më shumë forca, për të arritur Ëndrrën Kineze të rilindjes së kombit kinez.(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore