Një fshat i vogël peshkimi dëshmon zhvillimin e Shenzhen-it

2018-05-29 17:03:58 CRI Komenti juaj Printoni

Qysh nga nisja e Reformës dhe Hapjes, Shenzhen-i në Kinën Jugore është shndërruar nga një qytezë e vogël e panjohur në një metropol me 20 milionë banorë dhe plot gjallëri. Me rastin e 40-vjetorit të Reformës dhe Hapjes në Kinë, fokusi i publikut është kthyer sërish tek Shenzhen-i, i cili u përcaktua si zonë pilot e Hapjes së Kinës para 40 vjetësh.

Fshati Yumin (që në gjuhën kineze do të thotë "peshkatar") ndodhet në distriktin Luohu të Shenzhen-it, ngjitur me Hong-Kongun. Në vitet '30 të shekullit të kaluar, disa peshkatarë nga qyteti Dongguan i Guangdong-ut mbërritën në lumin Shenzhen, duke vazhduar jetën e tyre të marrjes me peshkim. Për peshkatarët, varka është mjeti i prodhimit, si edhe shtëpia e tyre. 80-vjeçari Wu Jinqing është një ish-peshkatar nga ky fshat.

"Më parë unë jetoja në një varkë të vogël, një metër të gjerë dhe pesë metra të gjatë. E gjithë familja banonte atje. Ishte një kohë shumë e hidhur. Problemi më i madh ishin tajfunet, se duhej të tërhiqnim varkën në breg. Ishte një kohë shumë e vështirë," tregon Wu Jinqing.

Në fund të viteve '70 të shekullit të kaluar, provinca Guangdong u paraqiti një kërkesë autoriteteve qendrore të Kinës, duke shpresuar që pushteti qendror ta mbante parasysh gjendjen e Guangdong-ut, një provincë me një numër të madh pjesëtarësh të diasporës kineze jashtë vendit dhe ngjitur me Hong-Kongun e Makaon, të publikonte politikat e posaçme për Guangdong-un dhe të ndërtonte zonat e përpunimit në Shenzhen, Zhuhai dhe Shantou. Kjo ide mori mbështetje të madhe nga lideri i atëhershëm Ten Hsiao Pin. Në muajin gusht të vitit 1980, Asambleja Kombëtare Popullore e Kinës miratoi ndërtimin e zonës së posaçme ekonomike, duke publikuar "Rregulloren e përkohshme për zonat e posaçme ekonomike në Guangdong". Kështu, në Kinë lindi zyrtarisht zona e posaçme ekonomike.

Me mbështetjen me politika dhe masat e Reformës dhe Hapjes në Zonën e Posaçme Ekonomike të Shenzhenit, në fshatin Yumin u krijuan grupet e transportit me makina dhe varka, duke filluar bizneset, si rritja e peshkut dhe përpunimi. Zv.menaxheri i kompanisë "Yufeng" në fshatin Yumin, Huang Xingyan, thotë:

"Që nga viti 1978, kur filloi politika e Reformës dhe Hapjes, deri në fillim të viteve '80, brenda disa vjetësh, fshati Yumin realizoi akumulimin fillestar dhe akumulimin kolektiv të fondeve. Çdo familje ndërtoi shtëpi të bukura dhe vila moderne. Ndër fshatrat e mbarë vendit, Yumin-i u bë i pari ku të ardhurat familjare arritën mbi 10 mijë juanë."

Në fillim të viteve '90 të shekullit të kaluar, Zona e Posaçme Ekonomike e Shenzhenit filloi procesin e urbanizimit. Fshati Yumin u bë një nga fshatrat pilot të urbanizimit. Me krijimin e kompanisë "Yufeng", fshatarët e bënë vetë financimin, duke ndërtuar banesa të larta shumëkatëshe. Zv.menaxheri i kompanisë "Yufeng", Huang Xingyan, thotë:

"Këto banesa të fshatarëve që shohim tani janë bërë pas rindërtimit të qytetit të vjetër në vitin 2000. Rindërtimi u bë me orientim nga qeveria, u financua nga vetë fshatarët dhe u realizua nga kompania 'Yufeng'. Pastaj patëm këtë fshat modern peshkatarësh. Pas arritjes së mirëqenies dhe pasurimit, fshatarët tanë po gëzojnë një jetë më të çlirët dhe më të lehtë. Tani ne kemi një bazë të mirë ekonomike dhe po kryejmë zhvillimin nga ana kulturore, me të cilin banorët e fshatit mund të marrin pjesë më konkretisht në krijimin dhe praktimin e jetës në komunitet."

Tani banorët e fshatit Yumin janë bërë aksionerë të kompanisë "Yufeng" dhe mund të marrin fitime vjetore nga kjo kompani. Krahas kësaj, edhe dhënia me qira është një nga burimet e të ardhurave të tyre. Banori i fshatit, Wu Jinqing, thotë:

"Mund të marrim çdo muaj mbi 40 mijë juanë dhe në një vit mund të fitojmë 400 - 500 mijë juanë. Një gjë e tillë as që mund të mendohej në të kaluarën."

Zhvillimi i fshatit Yumin është vetëm një pjesë e zhvillimit të Shenzhen-it gjatë 40 vjetëve të Reformës dhe Hapjes. Gjatë këtyre vjetëve, një numër kompanish të Shenzhen-it janë rritur në mënyrë të shpejtë dhe të qëndrueshme. Themeluesi i kompanisë "Huawei" Ren Zhengfei shpjegon pse ka zgjedhur Shenzhen-in: "Në vitin 1987, një dokument i publikuar në Shenzhen qartësoi të drejtat e pronësisë të kompanive private. Pa këtë dokument, nuk do të kishte 'Huawei." Në vitin 1999, në parairin e parë të teknologjisë së lartë të Kinës të zhvilluar në Shenzhen, asokohe 28-vjeçari Ma Huateng mori një financim prej 2.2 milionë dollarësh amerikanë. Pastaj, kompania e tij "Tencent" arriti një zhvillim të pandërprerë dhe në vitin 2012, të ardhurat e përgjithshme të saj arritën në 40 miliardë juanë, dhe vjet i kaluan 230 miliardë juanët. Në vitin 2018, numri i përdoruesve të aplikacionit "Wechat" të "Tencent"-it arriti mbi 1 miliard juanë.

Sekretari i Komitetit të Partisë të qytetit Shenzhen, Wang Weizhong, u shpreh që gjatë këtyre vjetëve, njerëzit në zonën e posaçme ekonomike kanë mbajtur gjithmonë parasysh strategjinë e pushtetit qendror për krijimin e një zone të tillë dhe kanë bërë përpjekje të shumta, kanë krijuar reforma dhe risi, kanë treguar guxim dhe kanë kryer prova të reja, duke krijuar mrekullinë e modernizimit dhe zhvillimit të qytetit.

"Në vitin 1979, vëllimi i GDP-së së Shenzhen-it ishte vetëm 197 milionë juanë dhe GDP-ja për frymë ishte vetëm 606 juanë. Pas gjithë këtyre vjetëve, në vitin 2017, GDP-ja e Shenzhen-it arriti 2.24 trilionë juanë dhe për frymë 183 100 juanë, me një rritje vjetore 23 %. Kjo është një shpejtësi e rrallë në mbarë botën dhe ne quajmë 'Shpejtësia e Shenzhen-it'," shprehet Wang Weizhong-u.

Në vitin 2017, niveli i GDP-së së Shenzhen-it u rendit pas atyre të Pekinit dhe Shangait dhe u barazua me të Hong-Kongut. Autoritetet vendore bënë të ditur që tani Shenzhen-i po përpiqet për të krijuar një mjedis ndërkombëtar lidhur me investimet dhe tregtinë, po thellon pandërprerë hapjen dhe risitë në sektorin financiar dhe po përgatit modelin e ri të tregtisë, për të formuar një sistem të ri me ekonomi të hapur. (Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore