Ekonomia kineze, rezultate befasuese për tërë botën

2018-05-08 16:09:30 CRI Komenti juaj Printoni

"Çdo ekonomist, menaxher fondesh ose politikan që ka parashikuar me besim të plotë rënien ekonomike të Kinës tani ka marrë një shuplakë," ka komentuar gazeta singaporiane "The Straits Times" në një artikull mbi ekonominë kineze. Lidhur me këtë, ekspertët vënë në dukje se një "shuplakë" e tillë është e kuptueshme nëse analizohen me hollësi arritjet ekonomike të Kinës dhe arsyet për këto arritje. Ata janë të mendimit që, në fakt, ekonomia kineze është e qëndrueshme dhe po shfaq prirje pozitive zhvillimi. Kështu, zërat dhe fjalët për rënien, madje recesionin e ekonomisë kineze, sigurisht do të dalin se janë të pabaza.

Arritjet e spikatura në 2017-n

Të dhënat e publikuara nga Zyra Kombëtare e Statistikave e Kinës mbi ekonominë dhe zhvillimin shoqëror të Kinës tregojnë arritjet e zhvillimit ekonomik të Kinës: rritja e GDP-së është 0.2 pikë përqindjeje më shumë se në vitin 2016, mëkëmbja e parë pas vitit 2011; niveli i papunësisë në qytet është 3.9 %, niveli më i ulët qysh nga viti 2002; shkalla e shfrytëzimit të kapaciteve industriale është 77 %, që përbën rekord në pesë vjetët e fundit; numri i të varfërve në zonat rurale arriti 30.46 milionë, 12.89 milionë më pak se në vitin 2016, duke kaluar objektivin e vjetor etj.

Kryekonomisti i Zyrës Kombëtare të Statistikave të Kinës Sheng Laiyun shprehet që rritja ekonomike me 6.9 %, niveli i papunësisë nën 5 % dhe ai i inflacionit 1.6 % tregojnë që gjendja e ekonomisë kineze është vërtet e rrallë dhe përbëjnë arritje të spikatura në shkallë botërore.

Në një raport të publikuar nga Banka Botërore vihet në dukje se Kina ka pasur arritje të jashtëzakonshme në nxitjen e rritjes së shpejtë ekonomike dhe pakësimin e varfërisë. Në këtë raport thuhet që reformat e gjera kanë mundësuar rritjen e shpejtë të ekonomisë kineze dhe e kanë kthyer atë nga një ekonomi e mbyllur e drejtuar nga qeveria dhe e bazuar te bujqësia në një ekonomi të hapur me më shumë marketizim dhe urbanizim.

Zhao Xijun, zv.dekan i Shkollës së Financave pranë Universitetit Renmin, thotë: "Në themel të këtyre arritjeve qëndrojnë epërsitë e ekonomisë kineze: sistemi i ekonomisë socialiste të tregut është në përmirësim të shpejtë dhe ka ofruar mbështetje të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Kinës; qeveria e ka luajtur më mirë rolin e saj dhe ekonomia kineze ka më shumë aftësi të përballojë problemet e jashtme; reformat janë thelluar në mënyrë të gjithanshme, entitetet e ndryshme të tregut janë aktivizuar në mënyrë të plotë dhe mikroforcat e zhvillimit ekonomik janë rritur dukshëm; hapja është zgjeruar më tej, efektiviteti i shpërndarjes së burimeve është shtuar dhe forca konkurruese ndërkombëtare e Kinës ka ardhur duke u rritur."

Motorët e rinj të rritjes ekonomike i kalojnë parashikimet

Vitet e fundit, rritja ekonomike e Kinës është ngadalësuar. Lidhur me këtë, bashkësia ndërkombëtare ka filluar të shtrojë pyetjen: "A do të kërkojë Kina motorë të rinj për rritjen ekonomike?" Gazeta singaporase "The Straits Times" është e mendimit që, për këtë çështje, Kina pa dyshim ka vetëbesim. Arsyeja është e dukshme, sepse Kina po bën arritje të mëdha. P.sh. produktiviteti është në rritje, ka filluar të përdoret gjerësisht automatizimi dhe robotizimi, teknologjia e gjelbër po zhvillohet, ka nisur procesi i digjitalizimit dhe po krijohen kompani novatore të nivelit botëror. Të gjitha këto tregojnë që në Kinë po vjen vala e dytë e zhvillimit.

"Vitin e kaluar, nisja e bizneseve dhe krijimi i risive kanë njohur lulëzim. Ndërkohë, edhe energjitë e reja nxitëse të rritjes kanë shënuar përparime të reja," thotë Sheng Laiyun: "Në vitin 2017, numri i kompanive të reja ka pasur rritje vjetore me 9.9 % dhe çdo ditë janë regjistruar mesatarisht 16 600 kompani të reja. Për çdo 10 mijë persona ka pasur 9.8 patenta të reja, 1.8 më shumë se në vitin 2016; vlera e shtuar industriale e kompanive mbi përmasat e përcaktuara (pra me të ardhura vjetore mbi 20 milionë juanë) në sektorët e rinj strategjikë shënoi rritje vjetore me 11 %; shitja me pakicë në internet është rritur 32.2% dhe vëllimi i dërgimeve me postën e shpejtë është shtuar me 28%."

Zhao Xijun-i vë në dukje që tani motorët e rinj të rritjes janë bërë forca të rëndësishme të zhvillimit ekonomik të Kinës. Me faktorët e rinj, si thellimi i reformës së shpërndarjes së burimeve dhe nxitja e zhvillimit me cilësi të lartë, rritja që ka ardhur nga këta motorë të rinj i ka kaluar parashikimet, duke luajtur një rol mbështetës për rritjen ekonomike të Kinës dhe duke nxitur vazhdimisht rritjen e cilësisë dhe të efikasitetit të ekonomisë kineze.

Zv.drejtori i Zyrës së Studimit të Politikave në Komisionin Kombëtar të Reformës dhe Zhvillimit të Kinës, Meng Wei, vë në dukje që të dhënat tregojnë se energjia e re nxitëse e rritjes ka dhënë kontribut për më shumë se 30 % të rritjes ekonomike të Kinës dhe mbi 70% për krijimin e vendeve të reja të punës në zonat urbane. Sipas tij, tani disa provinca në Kinën Lindore kanë dalë jashtë fazës së rregullimeve strukturore dhe, në mënyrë graduale, motorët e rinj të rritjes po bëhen forca parësore për zhvillimin ekonomik.

Ndikim në rritje në botë

Me rritjen e fuqisë së saj, ekonomia kineze ka një ndikim ndërkombëtar gjithnjë e më të madh. Në vitin 2017, GDP-ja e Kinës i kaloi 12 trilionë dollarët amerikanë, duke përbërë 15 % të ekonomisë botërore, tre pikë përqindjeje më shumë se pesë vjet më parë dhe duke u renditur në vendin e dytë të botës. Rezerva valutore e Kinës zuri vendin e parë në botë dhe vëllimi i import-eksportit të Kinës gjithashtu pritet të rikthehet në vendin e parë në botë. Në Kinë është formuar rrjeti më i madh i autostradave, hekurudhës së shpejtë dhe internetit të lëvizshëm në botë. Kina ka kontribuuar për rreth 30% të rritjes ekonomike globale dhe vazhdon të jetë motori i rëndësishëm për stabilizimin dhe mëkëmbjen e ekonomisë botërore.

Specialisti i çështjeve kineze nga Senegali Adama Gaye e vlerëson lart rolin e Kinës në ekonominë globale. Ai thotë që ekonomia kineze ka luajtur një rol të rëndësishëm në ekonominë botërore dhe, në arenën ndërkombëtare, Kina luan një rol gjithnjë e më të rëndësishëm. Ai thotë se tashmë është bërë prirje që bota t'i kthejë sytë drejt Lindjes.

Drejtori i Perspektivave të Zhvillimit në Grupin e Bankës Botërore Ayhan Kose është i mendimit që ekonomia kineze ka bërë një paraqitje të paparashikueshme dhe të spikatur, gjë që i ka lënë përshtypje të thellë. Ai ka besim që Kina do të vazhdojë të jetë një forcë e rëndësishme për rritjen e ekonomisë globale.

(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore